Meta: Shqipëria duhet të ecë përpara me hapin e ëndrrave të të rinjve

  • 23 October 2016 - 12:53
Meta: Shqipëria duhet të ecë përpara me hapin e ëndrrave të të rinjve

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në një takim me të rinjtë e Lëvizjes Rinore të Durrësit ku u shpërndanë edhe 300 karta të reja të anëtarësimit. Në fjalën e tij, Meta, teksa vlerësoi punën e LRI-së, u shpreh se Shqipëria duhet të ecë përpara me hapin e ëndrrave të të rinjve dhe se për ta bërë këtë duhen përfshirë gjithnjë e më shumë në vendimmarrje të rinjtë.

“Ju përgëzoj për rritjen, për fuqizimin dhe për ristrukturimin tuaj këtu në Durrës dhe besoj se të gjithë jemi dakord se Shqipëria duhet të ecë përpara me hapin e ëndrrave të të rinjve. Dhe që të ecë me këtë hap dhe këtë ritëm, pa diskutim këtë mund ta realizojmë vetëm duke i përfshirë të rinjtë gjithnjë e më shumë në mënyrë thelbësore në vendimmarrje. Këtë punë po e bën shumë mirë LRI-ja dhe për realizimin e këtij projekti ju keni mbështetjen time më të plotë”, tha kryetari i LSI-së.

Duke folur për zgjedhjet e datës 6 nëntor, Meta tha se synon një mandat të ri në krye të kësaj force politike për të ngritur LSI-në në një stad më cilësor e përfaqësues.

“Në 6 nëntor unë do të jem kandidat për kryetar i LSI-së, jo thjesht për të marrë një mandat të ri të kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por e shoh këtë mandat të ri si mundësinë më të mirë që ta investoj për të ngritur LSI-në në një stad më të lartë, më të ri, më cilësor, më përfaqësues, më gjithëpërfshirës dhe për të realizuar një LSI shumë më të re e cila e ndihmon Shqipërinë që të ecë me hapin e ëndrrave të të rinjve”, - tha ai, teksa shtoi: “Në programin tim për të ardhmen, fuqizimi i LRI-së në të gjithë strukturat vendimmarrëse të Lëvizjes Socialiste për Integrim është prioritet kryesor”.

(Kosova Sot)