Disa projekte shtyhen nga viti në vit

  • 11 January 2017 - 18:23
Disa projekte shtyhen nga viti në vit

ÇKA MUND T'I SJELLË KOMUNËS SË GJAKOVËS VITI 2017?

Optimizëm dhe shpresa të përmbajtura

"Pres që projektet e filluara tash e sa vjet të shkojnë drejt finalizimit, sepse zvarritja e tyre po e shumëfishon koston e shpenzimeve për to, siç janë projekti i ujësjellësit të fshatrave të Rekës së Keqe, pastaj rruga Ramoc-Korenicë, e të tjera", ka thënë këshilltari komunal, Dervish Tahiri
Në një prononcim në prag të vitit të ri, duke folur për atë se çka mund të presë Komuna e Gjakovës nga viti 2017, kryetarja e komunës, Mimoza Kusari-Lila, është shprehur shumë optimiste, e bindur se, siç thotë ajo, puna e mirë gjatë tri viteve të kaluara do të kurorëzohet plotësisht në vitin e katërt dhe të fundit të këtij mandati të kësaj qeverie komunale. "Janë të gjitha parakushtet që gjatë vitit 2017 të kurorëzohet puna e tri viteve paraprake. Këtu në radhë të parë mendoj në realizimin e projekteve kapitale, siç janë Impianti i ujërave të zeza, Ngrohtorja e re e qytetit, në të cilat është parapa të investohen rreth 27 milionë euro, pastaj godina e re e Kuvendit të Komunës, funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës, i Zonës së lirë ekonomike dhe i Parkut industrial, në ç'mënyrë do t'i përmbushim premtimet që i kemi dhënë", ka thënë Kusari-Lila, shkruan gazeta Kosova Sot.

Projektet ruhen për kohë zgjedhjesh

Me parashikimet e kryetares së komunës plotësisht pajtohet edhe bashkëpartiaku i saj, Hasan Krasniqi, këshilltar komunal. "Pres që komunës së Gjakovës, gjatë këtij viti, t'i ndodhin shumë gjëra të mira. Do t'i numëroj disa nga ato - bashkëpunimi më i mirë i asamblistëve të të gjitha subjekteve politike në të mirë të qytetarëve, transparencë më të madhe në përgatitjen dhe marrjen e vendimeve, që në skenë të dalin njerëz meritorë dhe me përgatitje profesionale, krijimin e ambientit më të mirë për bizneset, duke eliminuar disa te meta karshi bizneseve ekzistuese dhe krijimin e kushteve më të mira për bizneset e reja, transparencë për shpenzimin e parasë publike. Pres fillimin e realizimit të projekteve për Ngrohtoren e re, Impiantin e ujërave të zeza dhe godinën e Komunës, rritjen e të hyrave nga prona komunale (banesa dhe lokale afariste) që është evidentua dhe pres që AKP-ja më në fund t'i lejojë Komunës shfrytëzimin e pronës të disa ndërmarrjeve shoqërore për nevoja të saj si dhe vazhdimin e investimeve në infrastrukturë, duke përfshirë këtu edhe zgjerimin e rrugëve hyrëse-dalëse në qytet", ka thënë Krasniqi. Më i rezervuar në pritje është treguar Bahri Bokshi, kryetar i degës së PD-së në Gjakovë, i cili gjatë këtyre tri viteve të mandatit si asamblist është munduar të jetë vazhdimisht neutral. "Mendoj se në vitin 2017 në Komunën e Gjakovës nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh në krahasim me vitin paraprak. Megjithatë, duke e ditur faktin se ky është vit zgjedhor, atëherë mund të ketë realizim të disa projekteve që janë në procedurë. Gjithashtu mendoj se edhe niveli qendror do t'i nxisë disa projekte të tilla drejt realizimit. Shpresoj se Qeveria lokale do të angazhohet më shumë në realizimin e projekteve që janë paraparë për këtë vit. Sido që të jetë, brenga ime kryesore është ngecja në zhvillimin ekonomik që po ka reflektim shumë negativ në gjendjen e përgjithshme, e këtu nuk pres shumë ndryshime, pasi dihet se tërë kjo është i ndërlidhur kryekëput me nivelin qendror", ka thënë Bokshi.

Nuk do fjalë, pret punësimin e fëmijëve të diplomuar

Shumë më pesimist për atë që Komuna e Gjakovës mund të presë gjatë vitit 2017 është shprehur asamblisti i opozitës (AAK-së), Dervish Tahiri. "Pres që Qeveria komunale t'ia qartësojë vetes kompetencat që i ka dhe t'i qaset seriozisht realizimit të kërkesave të qytetarëve. Pres që projektet e filluara më në fund të realizohen sepse zvarritjet po e shumëfishojnë koston e shpenzimeve. Raste konkrete për këtë ka shumë, por po i përmendi dy-projekti i ujësjellësit të fshatrave të Rekës së Keqe dhe rruga Ramoc-Korenicë, e cila disa herë përgatitet për t'ia hedhur shtresën e asfaltit, por pastaj punët kthehen në gjendjen 0, e shumë e shumë raste të tjera. Po flitet shumë se disa projekte me qëllim janë lënë për sivjet, pasi ky është vit zgjedhor dhe ato do të shfrytëzohen në fushatën elektorale. Nëse kjo del kështu, atëherë kjo është vërtet e dhembshme, sepse duke u lënë për në fund të mandatit i kanë bërë dëm buxhetit dhe parasë publike", ka thënë Tahiri. Sido që të jetë, shpresa e qytetarit Adem Ademaj duket se është pasqyrimi më plastik i gjendjes aktuale në Gjakovë dhe pritshmërive."Nuk po më duhen asgjë fjalët e politikanëve, sepse më as që po u besoj. Nga ata po pres që të hapin vende të reja të punës që i kanë premtuar, sepse i kam dy fëmijë që e kanë kryer fakultetin e që nuk po mund të gjejnë punë. Po kam dëshirë të besoj se viti 2017 do të jetë fatlum për ata, por nga përvoja e viteve të deritashme po frikohem se po besoj kot", ka thënë Ademaj.

(Kosova Sot)