Flasin Mustafa dhe Thaçi, ja çfarë u bisedua në Bruksel

  • 24 January 2017 - 19:29
Flasin Mustafa dhe Thaçi, ja çfarë u bisedua në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Beogradit i është bërë e qartë se Kosova do të veprojë si shtet i pavarur dhe sovran.

“Shpresoj që pas këtij takimi, Serbia do të qetësohet dhe do të ulë agjendën e vet nacionaliste në raport me Kosovën dhe pretendimin për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe do të ishte mirë që Serbia ta njohë sa më parë që të jetë e mundur”, tha Thaçi.

Ai tha se me BE-në janë hapur të gjitha çështjet, përfshirë edhe fletarrestimet e Serbisë, ndërsa i ka bërë thirrje Beogradit që të mos manipulojë me serbët e Kosovës.

“Kemi insistuar që Bashkimi Evropian të jetë i qartë dhe i vendosur në presionin e vet ndaj Beogradit”, tha Thaçi.

Thaçi përsëri theksoi se muri në veri të Mitrovicës, i ngritur nga autoritetet lokale atje, duhet të rrënohet dhe se Serbia duhet të zhbëjë strukturat e saj në veri të Kosovës, ndërsa Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur për takimin e zhvilluar me delegacionin serb.

Ai në Interaktiv  tha se kanë kërkuar nga Serbia që të repsektoj integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Ai tha se janë pajtuar që të përshpejtohet procesi i dialogut.

“Në Kosovë ndërkaq do të vendosim për rifornatizimin e dialogut”, tha ai, duke shtuar se do të ulen të flasin edhe me opozitën për këtë format. Sipas tij, dialogu nuk është çështje vetëm e koalicionit, por i të gjithëve, edhe i opozitës edhe të shoqërisë civile.

“Mendoj se tensionim nuk do të ketë. Serbia u zotua se do të përmbahet nga gjuha tensionuse”, tha ai.

Ai tha se kanë biseduar edhe për murin. “Nëse nuk rrëzohet muri nga ata që e ndërtuan, atëherë ne do ta rrënojmë”

(Plotësuar)

Takimi i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel ka përfunduar.

Ky takim u mbajt me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht shefes për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini.

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se janë pajtuar gjatë takimit që dialogu të vazhdojë me përfaqësim në nivel të lartë.

Vuçiq u tha gazetarëve se takimi me Thaçin e Mustafën ishte shumë i vështirë, por ndonëse qëndrimeve të kundërta, është arritur që për disa gjëra të pajtohen përmes dialogut të hapur.

Vuçiq gjithashtu ka theksuar që është arritur marrëveshje që zyrtarët “ta ulin topin” në deklaratat e tyre, dhe që të gjithëve do t’ju sugjerohet që të sillet në pajtim me këtë.

Ndërsa, presidenti serb Tomislav Nikoliq ka thënë se BE-ja duhet të kuptojë se Serbia nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu ai ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për ngjarjet e fundit sikurse ajo e trenit. 

 

(Plotësuar)

Ka filluar takimi i delegacionit të Serbisë në Bruksel ,  në të cilin kësaj here janë presidenti dhe kryeministri, Tomisllav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq dhe shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Pas takimit me serbët, Mogherini do të takohet me liderët shtetërorë të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Pastaj në axhendë është  paraparë darka e punës të të dyja delegacioneve dhe shefes së BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

(Kosova Sot)