"Vettingu" tremb kosovarët

  • 24 March 2017 - 07:52

Mungon vullneti politik, shkruan gazeta Kosova Sot.

"Kosova nuk ka bërë një reformë në drejtësi aktualisht përpos asaj që është bërë në vitin 2010, por të cilën do ta quaja një reformë të pjesshme, për faktin sepse reforma ka pasur të bëjë vetëm me emërimin e gjyqtarëve dhe mandatin e tyre, ndërsa reforma nënkupton më shumë se kaq, pasi reformë nënkuptohet kur çdo gjë fillon nga fillimi, pra reformim i tërë sistemit. Ndërkaq, për të qenë një reformë si ajo që ka filluar në Shqipëri, mendoj se këtu mungon vullneti politik", theksoi Prof. Avdullah Robaj

Një reformë në drejtësinë kosovare, e ngjashme me atë në Shqipëri, pashmangshmërisht se do të prekte gjyqtarët dhe ata prokurorë të korruptuar e të lidhur me oligarkinë financiare dhe mafiopolitikën. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, derisa kanë thënë se reforma duhet të jetë asisoj, që të përfshijë në tërësi reformimin e sistemit të drejtësisë. Ndaj është shtruar edhe çështja se a duhet që kësaj radhe bashkësia ndërkombëtare të shtojë presionin te politika kosovare, në mënyrë që të ndodhë reforma e thellë në drejtësinë kosovare për ta 'shkulur' kësisoj sistemin korruptiv në Gjyqësor e Prokurori, që thuhet se ka zënë rrënjë të thella që 16 vjet qysh kur filloi së rindërtuari si sistem? Kjo, ngase populli është i lodhur me këtë qeverisje të keqe, kështu që bashkësia ndërkombëtarë duhet sa më parë të ndihmojë që të imponojë reformën në drejtësi për të pastruar sistemin e drejtësisë në mënyrë që më pas të pastrohet edhe politika, pushteti e bizneset e inkriminuara! Prof. Ass. Dr. Avdullah Robaj, në një prononcim për Gazetën "Kosova Sot", ka thënë se reforma në drejtësi në Republikën e Shqipërisë nuk është e rastësishme, ngase, sipas tij, është marrë fillimisht Shqipëria si vend i Ballkanit, e cila ka pasur probleme të mëdha sa i përket sistemit të drejtësisë si njëra nga tri shtyllat e pushteteve.

Kosova bëri reformë të pjesshme

pjesshme Robaj thotë se Kosova konsiderohet si shtet më i ri dhe si shtet i cili ka pjesërisht mbikëqyrje ndërkombëtare dhe prezencë ndërkombëtare në sistemin ligjor dhe të drejtësisë është menduar që fillimisht të fillohet me Shqipërinë dhe nga rezultatet e atjeshme pastaj të vazhdojë në vende të tjera të Ballkanit, siç është Kosova, Maqedonia dhe shtetet e tjera, derisa, sipas tij, suksesi pastaj në Kosovë do të ishte shumë më i mirë për faktin, sepse zakonisht Kosova merr modele nga Shqipëria, si të mira ashtu edhe të këqija. " Në rastin konkret, modeli i një reforme të mirë në drejtësi në Shqipëri i zbatueshëm do të reflektonte edhe në Republikën e Kosovës. Së dyti, Kosova nuk ka bërë një reformë në drejtësi aktualisht përpos asaj që është bërë në vitin 2010, por të cilën do ta quaja një reformë të pjesshme, për faktin sepse reforma ka pasur të bëjë vetëm me emërimin e gjyqtarëve dhe mandatin e tyre, ndërsa reforma nënkupton më shumë se kaq, pasi reformë nënkuptohet kur çdo gjë fillon nga fillimi, pra reformim i tërë sistemit, ndërkaq për të qenë një reformë si ajo që ka filluar në Shqipëri mendoj se këtu mungon vullneti politik", theksoi ai. "Në Shqipëri ka munguar për 25 vjet vullneti politik, por tash i ka detyruar bashkësia ndërkombëtare dhe përkundër kësaj shihet se çfarë rezistence të fuqishme ka atje, prandaj këtu aktualisht mungon vullneti politik, por edhe mungon presioni nga bashkësia ndërkombëtare. Përndryshe, këtu te ne reforma duhet të jetë asisoj që të përfshijë në tërësi reformimin e sistemit të drejtësisë, dhe mendoj se duhet filluar me infrastrukturën ligjore ose legjislacionin, ngase ka nevojë sidomos sa i përket kodit procedural. Pastaj duhet që të rritet përgjegjësia si dhe të shtohet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkatësisht të trefishohet numri i tyre dhe kësisoj pastaj vjen deri tek ajo që është kryesorja ku të gjithë e kemi 'gojën' si institucionet, si shoqëria civile, si të gjithë që thonë shteti i së drejtës", u shpreh Robaj.

Pastrimi i sistemit, i domosdoshëm

Analisti Naim Kelmendi thotë se një reformë në drejtësinë kosovare, e ngjashme me atë në Shqipëri, pashmangshmërisht se do të prekte gjyqtarët dhe ata prokurorë të korruptuar e të lidhur me oligarkinë financiare dhe mafio- politikën. Sipas tij, në sistemin e drejtësisë tash e 16 vjet me radhë ka zënë vend dhe është rrënjosur korrupsioni në Gjyqësor e në Prokurori, por që me një reformë substanciale dhe pashmangshmërisht esenciale për reformimin e Gjyqësorit e Prokurorisë do të mund të kishte më pastaj një sistem të drejtësisë me integritet e kredibil, të besueshëm e në funksion të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit. " Vetë mungesa e shtetit të së drejtës në funksion të ligjit dhe mosvendosja e sistemit të drejtësisë në binarë të shëndoshë, në pavarësinë e tij totale ligjore pa kapjen dhe ndikimin e politikës, ka bërë që edhe investimet e huaja të mos vijnë në Kosovë, dhe kjo i ka shkaktuar shumë dëme të konsiderueshme edhe sferës ekonomike të vendit, ngase në atë vend ku sistemin e drejtësisë e kontrollon politika, dhe ku shteti i së drejtës nuk funksionon, aty nuk shkojnë investitorët potencialë dhe fatkeqësisht kështu mund të jetë edhe për disa kohë, derisa drejtësia kosovare të sundohet nga interesat politike dhe kapja e tyre e dëmshme", u shpreh ai. "Andaj, duke e pasur parasysh gjendjen e këtillë në sistemin e drejtësisë, populli mbase ka humbur besimin ndaj drejtësisë kosovare, të inkriminuar e të kapur, prandaj patjetër se do të duhej ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në reformimin dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë në mënyrë që përfundimisht pastaj të pastrohet edhe politika me të inkriminuarit, por edhe pushteti dhe bizneset e inkriminuara", ka theksuar për Gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. 

Pasurimi i pajustifikueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani ka konsideruar se frika nga verifikimi i performances ligjore, po ashtu frika nga shkeljet e qëllimshme, pastaj frika nga abuzimet e shumta, si dhe lidhja me oligarkët politikë dhe grupet e nëntokës janë shkaktarët e mungesës së vullnetit për reforma. Pastaj, siç tha Dibrani, është pasuria marramendëse dhe jeta luksoze e disa gjyqtarëve dhe e disa prokurorëve, të cilët dyshohet se janë korruptuar dhe janë të lidhur me forma të kundërligjshme me rrjetet financiare të bizneseve të dyshimta dhe të mafio- politikës, që pengojnë reformat në drejtësi, prandaj si duket prokurorë e gjyqtarë, që janë në vende kyçe, janë kryesisht kundër kontrollit dhe verifikimeve të gjithanshme në fushën e drejtësisë, ngase, siç tha, një verifikim i ngjashëm me 'Wetting'-un në Shqipëri, do t'ua qesë të palarat shumëkujt, prandaj një reformë e thellë dhe e gjithanshme është domosdoshmëri për ta rimarrë veten sistemi i drejtësisë. " Por, pa dyshim, pa ndërhyrje nga bashkësia ndërkombëtare, pa një presion të jashtëm tek strukturat politike dhe pa prangosjen e përgjegjësve kryesorë nuk do të ketë reforma as të përcipta, sepse pa një garanci të jashtme nuk mund të bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë, i cili pastaj do të arrinte për ta shkulur sistemin korruptiv në Gjyqësor e Prokurori dhe i cili më pastaj do të zgjerohej edhe në institucionet e tjera, të cilat kanë shtrirë rrjetin dhe kanë lëshuar rrënjë të thella kudo në qeverisjen e vendit", u shpreh ai. "Kosova ka pësuar tërmet të madh, sidomos në drejtësi, prandaj kjo gjendje nuk sanohet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, e cila kësaj radhe duhet të bëjë trysni serioze dhe duhet të imponojë reforma serioze në drejtësi", theksoi Dibrani.

Të disiplinohen zyrtarët e drejtësisë

Avokati Emrush Kastrati mendon se ne e kemi pasur një reformë gjatë vitit 2010, lidhur me sistemin gjyqë- sor, kur një pjesë e gjyqtarëve nuk është zgjedhur dhe emëruar për shkak të procedurave disiplinore që kanë qenë në vazhdim e sipër nën hetime. " Megjithatë, te ne ka nevojë për një disiplinim, një kontroll te gjyqtarët dhe prokurorët për lëndët e caktuara, kur i zhagisin me qëllim apo pa qëllim, por që këtu do të duhej që të merrej më shumë zyra e prokurorit disiplinor, dhe palët t'i iniciojnë parashtresat dhe ankesat për të shkuar tutje dhe vetëm kështu mund të shkohet përpara", ka deklaruar për Gazetën "Kosova Sot" avokati Emrush Kastrati.

(Kosova Sot)