Makineria vrastare e Milosheviqit iu hakmor "Kosova Sot" se ishte zëri i luftës së UÇK-së

  • 24 March 2017 - 08:14
Makineria vrastare e Milosheviqit iu hakmor

NË 18-VJETORIN E DJEGIES SË REDAKSISË DHE SHTYPSHKRONJËS SË "KOSOVA SOT" (3) 
Fetahu: Gjykatat tona kanë një urdhër prej dikujt, që të mos i shqyrtojnë paditë kundër Serbisë për kompensimin e dëmit.

Në 18-vjetorin e djegies së gazetës "Kosova Sot", përfaqësues të popullit, analistë, profesionistë të kulturës e sportit shprehen se është rast i pashembullt që gjykatat e Kosovës nuk i kanë shqyrtuar paditë, qofshin ato të individëve apo kompanive, siç është "Kosova Sot" ndaj Serbisë për dëmet milionëshe, që u kanë shkaktuar atyre. Ata thonë se ajo çka ka ndodhur me gazetën "Kosova Sot" gjatë kohës së okupimit, është dëshmi dhe shpërfaqje e karakterit të okupatorit, i cili u përpoq ta ndalte zërin e së vërtetës gjatë luftës,shkruan gazeta Kosova Sot.

Besa Gaxherri - deputete LDK:  Të merresh me gazetari, të funksionosh si medium në vitet e 90-ta e sidomos gjatë kohës së luftës, ka qenë jo vetëm sfidë, por sakrificë. Unë përgëzoj dhe uroj gazetën "Kosova Sot", që për asnjë moment dhe me asnjë kusht nuk u ndal për të na mbajtur të informuar sa më drejt dhe saktë. Sa i përket punës në drejtësinë tonë, fatkeqësisht, drejtësia në Kosovë lë për të dëshiruar. Gjendja jo e mirë në prokuroritë dhe gjykatat tona, reflekton në tërë popullatën pakë- naqësi, padrejtësi dhe pasiguri. Ne si institucione, por edhe si shoqëri në tërësi duhet të jemi më kërkues dhe më këmbëngulës që të kemi drejtësi për të gjithë. Ne duhet ta kemi guximin që të cekim emrat, të cilët janë katapultuar në drejtësi dhe nuk i kontribuojnë drejtësisë, që të largohen nga sistemi i drejtësisë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, nuk mund të jetë i tillë, kur ata të cilët na ndajnë atë drejtësi janë të padenjë.

Hasan Preteni- ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion "Respekt për ju dhe gazetën e juaj, bashkëpunimi me ju ishte shumë profesional, i sinqertë dhe gjithmonë real. Uroj edhe shumë përvjetorë të tjerë të jetës në liri!"

Adil Fetahu, analist A. Sa i përket rolit të gazetës "Kosova Sot", si medium informativ që ka përkrahur luftën e UÇK-së, unë as nuk do të lëshohem në vlerësimin e punës së gazetës. Vetë fakti që Serbia, më 11 mars 1999, përmes organeve të dhunshme i ka shqiptuar dënimin me 300 mijë DM (valuta DM nuk ishte valutë nacionale e Serbisë, prandaj në atë valutë as që ka mundur gjykata të shqiptojë dënim). Fakti se më 18 mars 1999, policia e ka ndaluar botimin (ku mundet policia ta ndalojë botimin e gazetës, në qoftë se për këtë nuk ka pasur vendim gjyqësor?!), dhe e ka konfiskuar gazetën në të gjitha pikat e shitjes. Fakti që ditën e bombardimeve, ia kanë vënë flakën dhe kanë djegur objektet dhe pajimet, duke shkaktuar dëm material momental mbi 5 milionë euro, dhe dëm të vazhdueshëm në vlerë të pacaktuar, për shkak të pamundësisë për të botuar gazetën e për të shtypur libra, flasin vetvetiu për rolin e gazetës "Kosova Sot" në atë kohë e ato rrethana. B. Ndërkaq, sa i përket mosshqyrtimit të padisë së Gazetës kundër Serbisë, për kompensimin e dëmit të shkaktuar, konsideroj se gjykatat e Kosovës përgjithësisht kanë gabuar që nuk i kanë shqyrtuar paditë, qofshin ato të individëve apo të kolektiveve punuese, për dëmet e shkaktuara. Sipas Ligjit mbi procedurën kontestimore, që ishte ligj federativ dhe që ka vlejtur në gjykatat e Kosovës deri vonë, derisa është miratuar ligji përkatës i Kosovës, gjykata ka qenë e obliguar ta shqyrtojë dhe të marrë vendim lidhur me padinë e paraqitur. Gjykata, sipas detyrës zyrtare gjithmonë, si çështje paraprake shqyrton çështjen e kompetencës së përgjithshme, kompetencës lëndore dhe territoriale, dhe në qoftë se gjen se nuk është kompetente për një çështje të ngritur, merr aktvendim, me të cilin shpallet jokompetente dhe e udhëzon palën për t'ia paraqitur padinë organit kompetent, apo gjykatës kompetente, ose vetë gjykata ia procedon lëndën gjykatës kompetente, respektivisht organit kompetent. Sidoqoftë, duket se gjykatat tona kanë një urdhër prej dikujt, që të mos i shqyrtojnë paditë kundër Serbisë për kompensimin e dëmit. Ju nuk duhet të ndaleni me kërkesën tuaj të drejtë - kërkoni vendim konkret nga gjykata, po edhe t'i paraqitni padi gjykatës kompetente të Serbisë, në Beograd. Pse jo. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se ju po e pranoni Serbinë si shtet tuajin, veçse po kërkoni një të drejtë tuajën - kompensimin e dëmit të cilin ua ka shkaktuar Serbia. Dhe natyrisht, për këtë ju do të duhej ta angazhoni ndonjë avokat agil, që do ta ndjekë procedurën deri në realizimin e së drejtës së kompensimit

Lexuesit nga Gjakova: Punë vetëmohuese e "Kosova Sot" në informimin e popullatës gjatë luftës Mevlyde Mezini-Saraçi, veprimtare Vuçiqi, si shërbëtor dhe ministër i informimit në qeverinë serbe, ka pasur për mision mbylljen e dritares së informimit për politikat gjenocidiale të kryekriminelit serb, Milosheviq, fshehjen e informatave për krimet serbe të kryera në Kosovë, por edhe si shenjë e hakmarrjes ndaj informatave të sakta që ka plasuar kjo gazetë për ngjarjet dhe krimet në Kosovë, të cilat kanë bërë jehonën e vet në opinionin kombëtar e ndërkombëtar dhe kanë ndikuar edhe në ndërhyrjen e forcave të NATO-s mbi caqet serbe. Duke e dënuar me gjobë, duke ia ndaluar botimin e gazetës "Kosova Sot" e më vonë edhe me djegien e objektit deri në themel, kanë bërë krim kundër të drejtës për informim, kundër fjalës së lirë, por edhe mbi të drejtat e njeriut, të drejta këto të garantuara me konventa ndërkombëtare. Fatbardhësisht ata këtë qëllim e arritën vetëm për një moment, ndërsa më pastaj çdo gjë ka folur në favor të kësaj gazete dinjitoze.

Agon Batusha, kryetar i grupit të këshilltarëve komunalë të 'Vetëvendosjes' Ajo çka ka ndodhur me gazetën "Kosova Sot" gjatë kohës së okupimit është dëshmi dhe shpërfaqje e karakterit të okupatorit. Dhuna ndaj shtypit të asaj kohe, shantazhet, kërcënimet, madje deri në tentim-zhdukjen e gazetës "Kosova Sot" janë dëshmi absolute se nën çfarë rrethanash kemi jetuar si popull dhe pa dyshim, që tregon karakterin e ish-ministrit, përkrahësit të veprimeve të Milosheviqit, kryeministrit të tanishëm të Serbisë, Vuçiqit. Kjo dëshmon se Republika e Kosovës duhet të jetë më e vendosur që të adresojë këto çështje në bisedimet me Serbinë, ashtu e vendosur sikur që ishte "Kosova Sot" për t'iu kthyer fuqishëm tregut medial dhe për të qëndruar aty gjithnjë vertikalisht.

Iliriana Pylla, gazetare-redaktore televizive Nuk është e vështirë të kuptohet se përse pushteti serb veproi në këtë mënyrë ndaj gazetës "Kosova Sot". Kishte pak mënyra informimi në atë kohë e ndër to "Kosova Sot" bënte një punë vetë- mohuese në informimin e popullatës. Kështu veproi deri në momentin e djegies së shtypshkronjës, por as kjo nuk e sprapsi nga përcaktimi i drejtë. Përkundër të gjitha dëmeve shumë të mëdha që pësoi gazeta "Kosova Sot" u rimëkëmb për të qëndruar dinjitoze dhe për t'u forcuar vit pas viti. Urojmë që këto suksese të "Kosova Sot" të vazhdojnë edhe më tej.

Luan Shllaku, kryetar i degës së AKR-së në Gjakovë Veprimet që Serbia i ndërmori në Kosovë, e në këtë kontest edhe veprimet vërtet vandale që ai i bëri karshi gazetës "Kosova Sot", nuk duhet të na befasojnë shumë, kur dihet se veprimet e armikut tonë shekullor vazhdimisht përcilleshin me barbari dhe vandalizëm. Ai u mundua të shkatërrojë vatrat e dijes dhe qendrat e informimit, që të na fuste në një terr informativ. E, asokohe, "Kosova Sot" ishte bërë një qendër shumë e rëndë- sishme e informimit jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të opinionit ndërkombëtar, prandaj serbët e shfrynë tërë mllefin, duke ndërmarrë veprime vërtet vandale. Fatbardhësisht efektet e një veprimi të tillë ishin vetëm të momentit, pasi "Kosova Sot" mbijetoi, bile jo vetëm që mbijetoi, por u bë edhe më e fortë.

Shkëlzen Saraqini, kustos i muzeut komunal Mjetet e informimit, të shkruara dhe elektronike, janë fuqi e madhe dhe këtë e ka ditur mjaft mirë pushteti i atëhershëm i Serbisë dhe vasalët e tij. Kur nuk ke informim të saktë, real dhe të shpejtë, çdo pushtet shumë lehtë dhe pa kurrfarë problemi manipulon me popullatën. Kur pas vakumit informativ që u krijua pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në skenë u paraqit "Kosova Sot". Ajo menjëherë u bë cak i veprimeve destruktive të pushtetit serb, për faktin e kjo gazetë nga dita në ditë rriste autoritetin dhe besimin që gëzonte nga lexuesit. "Kosova Sot" në kohën kur u paraqit në treg luajti një rol shumë të rëndë- sishëm në informimin e saktë dhe të drejtë të opinionit, edhe pse gazetarët e saj përballeshin me rrezikun dhe për punën e tyre duhej shumë sakrificë. Kjo gazetë ishte bërë një ushqim shpirtëror jo vetëm për kosovarët, por edhe për botën liridashëse. Sepse informonte me kohë dhe me saktësi e korrektësi për të gjitha të bëmat e këqijat e pushtetit të atëhershëm të Serbisë ndaj popullit shqiptar. E them me plot përgjegjësi se "Kosova Sot" ia arriti qëllimit informativ dhe e realizoi objektivin e saj themelues. Kjo, pra, ishte arsyeja e vetme pse gazeta "Kosova Sot" u dënua materialisht dhe u shkrumbua nga zjarri në tërësi. Mirëpo, të gjithë ata që menduan se kështu do t'i mbyllet goja këtij mediumi, gabuan rëndë që dëshmuan të gjitha këto vite të pasluftës.

Zë i fuqishëm i kohës, e tillë vazhdon të jetë edhe sot Engjëll Berisha, drejtor i bibliotekës rajonale "Ibrahim Rugova" në Gjakovë S'ka dyshim se regjimi pushtues i Serbisë gjatë periudhës para dhe gjatë luftës ka ndjekur krejt çka e ka konsideruar shqiptare, edhe mediet, edhe personalitetet dhe subjektet. Mbaj mend atë kohë, kur "Kosova Sot" doli me vizion dhe me qëndrim në mbrojtje të masës, në kohën kur asaj i duhej dritë e syve, i duhej frymëmarrje. Nuk është pretenduar kot ndaj kompanisë, as rastësi, por qëllim për ta shkatërruar në themel. Regjimi shkoi në radikalizëm, duke mbyllur çdo informim. Djegia dhe shkatërrimi u bë doktrinë deri në mbarimin e luftës, me qëllim për ta zhdukur veprimtarinë. E pësoi redaksia e gazetës, emri i kompanisë "Kosova Sot", ngase kishin bazament të fortë në mosthyerjen e qëndrimeve të tyre dhe ushqenin masën me guximin, me qëndrueshmërinë, ashtu siç informonin botën me krimin që Serbia e bënte këtu. Pra, ishte bërë zë i fuqishëm i kohës, dhe e tillë vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën.

Nevruz Gjocaj : Asgjë, në këtë jetë nuk ndodh rastësisht, mediet përfaqësojnë opinionin e elitës intelektuale tek populli, si një pishtar drite në errësirë. E tillë ishte edhe e përditshmja "Kosova Sot". Okupatori serb duke e vërejtur rolin dhe vlerën e saj të madhe, ndërmori të gjitha masat e mundshme për ta shkatërruar dhe shuar tërësisht deri në themel, por fatbardhësisht edhe me këtë rast u dëshmua se ajo çka buron nga shpirti i një kombi nuk mund të shkatërrohet dhe shuhet kurrë, sepse është ndërtuar në themele të forta, dhe është bekuar nga vetë Zoti. Plagët u shëruan, "Kosova Sot" u ringjall dhe ajo po lulëzon, është e përditshmja më e madhe kosovare, e cila përherë gjendet në duart e lexuesve, dhe përherë është aktuale dhe e pasur me informacione prej të gjitha sferave të jetës

(Kosova Sot)