Dosjet më bizare, të publikuara nga CIA

  • 23 March 2017 - 19:09
Dosjet më bizare, të publikuara nga CIA

NGA FSHEHJET E INFORMACIONEVE TE TEORITË MË TË MËDHA KONSPIRATIVE

Kjo agjenci ishte e interesuar edhe në ndjekje të fantazmave

Ndër dosjet e CIA-s, nga të cilat është hequr velloja e sekretit, janë edhe ato për shndërrimin e çdo kompjuteri në pajisje spiunimi, apo dosja rreth vrasjeve që nuk mund të zbulohen. Ju duken bizare? Ka edhe më bizare se këto 

Image

1. VRASJA E PRESIDENTIT JFK

Njëra ndër teoritë më të mëdha të konspiracionit, thotë se CIA ka luajtur një rol të madh në vrasjen e presidentit Kennedy, gjë që, sipas kësaj teorie, ishte bërë për shkak se presidenti nuk ishte më i gatshëm që ta lejonte CIA-n të bënte "gjëra të caktuara". Njëri ndër dokumentet që është publikuar pa zhurmë viteve të fundit, tregonte se kreu i CIAs me të vërtetë kishte penguar publikimin e informatave rreth kësaj vrasjeje. Edhe pse CIA nuk pranon të ketë pasur gisht në këtë vrasje, ajo pranon se ka fshehur informata, transmeton gazeta Kosova Sot.

Image

2. RASTI PARANORMAL NË FRANCË

Ndoshta kurrë nuk do t'i paramendonit agjentët e CIA-s duke ndjekur fantazma, por duket se një gjë e tillë ka ndodhur. Rreth 7 dokumente të publikuara nga CIA tregojnë se kjo agjenci ishte e interesuar ndaj fenomenit paranormal "poltergeist". Në vitin 1980 një ngjarje e tillë që ndodhi në Francë, e zgjoi interesimin e CIA-s. Por, për shkaqe subjektive, CIA kurrë nuk e kishte studiuar këtë rast më në thellësi.

Image

3. EKSPERIMENTET STD NË GUATEMALA

Një kohë të gjatë CIA ka ndihmuar puçet në shumë vende, me të cilat SHBA-ja nuk kishte marrëdhënie të mira. Gjatë këtyre operacioneve, operativët e CIA-s ndonjëherë bënin eksperimente me popullsinë lokale. Njëri ndër eksperimentet e tilla ka ndodhur në Guatemala, rreth 70 vjet më parë. Me qëllim të studimit të mënyrës së përhapjes së sifilizit, zyrtarët e CIA-s infektuan me këtë sëmundje disa njerëz. Në vitin 2010 Shtëpia e bardhë ka kërkuar falje për këtë eksperiment. 

Image

4. PROJEKTI 4.1

Sado keq që mund të ketë qenë lëshimi i kriminelëve nazistë, si të pafajshëm, kjo nuk është as për së afërmi keq sa që është bërja e eksperimenteve për jetë a vdekje mbi popullin tuaj. Për fat të keq, CIA nuk mund të thotë se nuk është "e paqtë" ndaj këtyre akuzave. Pjesa më e madhe e eksperimenteve, të bëra gjatë viteve 1950, ishin bërë në Bikini Atoll dhe në ishujt tjerë Marshall, që gjendeshin aty afër. Projekti 4.1 kishte për qëllim studimin e efekteve të rrezatimit radioaktiv te njerëzit. 

Image

5. OPERACIONI "PAPERCLIP" (KAPËSE LETRASH)

Gjatë Luftës së Dytë Botërore dolën në pah anët më të këqija të njerëzimit, sidomos në ushtritë gjermane dhe japoneze. Pjesa më brutale ishte bërja e eksperimenteve të rrezikshme në njerëz të pafajshëm, përfshirë edhe gratë e fëmijët. Këto eksperimente dhanë rezultate të cilat, më pas, shërbyen qoftë për përfitimin e ilaçeve, apo edhe përsosjen e armëve. Operacioni "Paperclip" përfshinte mjekët nazistë, të cilët nëse pajtoheshin që t'ua jepnin amerikanëve diturinë e tyre, nuk ndëshkoheshin për krimet që kishin bërë. 

Image

6. OPERACIONI KLIMAKSI I MESNATËS

Në kuadër të këtij operacioni, agjentët e CIA-s studionin efektin e drogave të ndryshme te njerëzit, duke bërë eksperimente qoftë në qendrat e tyre, apo edhe në bordello të ndryshme. Ishte studiuar sidomos droga e quajtur "acid", e cila ishte tepër e rrezikshme dhe shkaktonte halucinacione të theksuara te përdoruesit. Duket se këto eksperimente nuk zgjatën shumë. 

Image

7. MK-ULTRA

Gjatë pjesës më të madhe, MKUltra ishte një projekt i cili diskutohej vetëm në grupet e mbështetësve të teorive të konspiracionit. Në fakt, Projekti "MK-Ultra" ishte një projekt i financuar nga CIA, që kishte për qëllim kontrollimin e mendjes së njeriut, rritjen e marrjes së informatave me anë të përdorimit të drogave, etj. Studiohej edhe mundësia e "shpëlarjes së trurit". 

Image

8. TEKNOLOGJIA V2K

Kur të tjerët ju thonë se "dëgjojnë zëra", mendimi i parë që ju vjen, është se ata janë çmendur. Por, në ueb faqen e Ushtrisë amerikane, një kohë ka qenë i pranishëm dizajni i armës jo vdekjeprurëse, të quajtur "Voice to Skull". Kjo armë në fakt mund të transmetojë zëra në mendjen tuaj, pa prezencën e valëve të zërit. Ushtria e quante këtë "teknologjia V2K" dhe po, ajo është përdorë në të kaluarën. Ushtria thotë se e ka përdorë për dëbimin e shpezëve nga aeroportet, por vetë fakti që ai dizajn është hequr nga ueb faqja e ushtrisë, të bën të dyshosh. 

Image

9. KONTAKTI ME NJERËZIT -HIJE TË MARSIT

Në kuadër të atij që duket si misioni më bizar të cilin e ka ndërmarrë ndonjëherë CIA, pjesëtarët e kësaj agjencie kishin kërkuar nga një njeri me aftësi të veçanta, që ta përshkruante planetin Mars sikur që ishte 1 milion vite para erës së re. Por, personi e përshkroi Marsin sikur që është sot, duke thënë se "ndiente mundësinë që dikur aty të kishin jetuar njerëz". Ai kishte thënë se ata njerëz atij i dukeshin sikur njerëz-hije dhe se ishin të shqetësuar rreth fatit të planetit të tyre. 

Image

10. RAPORTIMET RRETH PJATAVE FLUTURUESE

Dokumentet e publikuara të CIA-s tregojnë për raportimet rreth "pjatave fluturuese" gjatë viteve 1950, të cilat nuk mund të shpjegoheshin në asnjë mënyrë të logjikshme. Në vitin 1952 thuhet se objekte të tilla ishin vërejtur edhe mbi Gjermaninë lindore, por edhe mbi një minierë uraniumi në Kongon belge.

(Kosova Sot)