Aeroporti i Gjakovës futet në lojën parazgjedhore

  • 25 April 2017 - 19:32
Aeroporti i Gjakovës futet në lojën parazgjedhore

Qysh në dhjetorin e vitit 2013 Qeveria italiane ia ka dorëzuar këtë aeroport Qeverisë së Kosovës, por që nga atëherë nuk është bërë thuajse asgjë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Të gjithë kryetarët e deritashëm të pasluftës të komunës së Gjakovës aeroportin e këtushëm e kanë pasur si një ndër atutë e rëndësishme të fushatës parazgjedhore. Vazhdimisht është premtuar se në momentin kur Qeveria e Italisë, e cila e ka ndërtuar këtë objekt menjëherë pas luftës, do t’ia dorëzojë këtë aset kosovarëve, aty do të fillojnë fluturimet komerciale dhe kjo do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Ky dorëzim i aeroportit ndodhi para gati tre vjet e gjysmë, më saktësisht në dhjetorin e vitit 2013, por që nga atëherë, pos që e ka marrë statusin e ndërmarrjes publike qendrore, aty nuk ka ndodhur asgjë që do të vlente të përmendet. Në fakt, muajt e fundit ky aeroport ka qenë shpesh prezent në mediet tona, por më shumë për shkak të rrezikimit të pronës 9 milionëshe, në mungesë të rojave!

Të kota ishin apelet e Qeverisë komunale të Gjakovës drejtuar Qeverisë qendrore që të ndërmerret diçka që ky aset shumë i rëndësishëm të funksionalizohet, pasi ato apele hasnin në vesh të shurdhër. Çuditërisht, ditët e fundit thuajse diçka ka ndryshuar! Vetëm gjatë muajit prill kryeministri i vendit, Isa Mustafa, dy herë e ka vizituar Aeroportin e Gjakovës, që tek gjakovarët ka ngjallur shpresat se më në fund do t’ia shohin hairin këtij objekti. Mirëpo, njëkohësisht, shumëkush këto vizita i konsideron vetëm si fillim i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, e mbase edhe për zgjedhjet e parakohshme qendrore që paralajmërohen së shpejti. Se ky konstatim mbase mund të jetë i saktë e dëshmojnë edhe fjalët që kryeministri Mustafa dhe kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, i thanë ditë më parë gjatë takimit në këtë aeroport. Ata me këtë rast nuk thanë asgjë të re dhe konkrete, se kur do të mund të funksionalizohet ky aset dhe në ç’drejtim do të bëhet kjo. “Ne u morëm vesh që të punojmë të gjithë së bashku, ministritë përkatëse, agjencitë qeveritare, Komuna, bordi dhe menaxhmenti i këtij aeroporti, në mënyrë që t’i gjejmë alternativat më të mira sa më shpejt. Qeveria do të marrë për obligim të sigurojë financimin që bordi, menaxhmenti dhe punonjësit, të cilët merren me administratën dhe me sigurinë e saj, të vazhdojnë dhe të kenë mundësi që të punojnë”, ka thënë Mustafa, në ndërkohë që Kusari-Lila ka premtuar se shumë shpejt do të fillojë studimi i fizibilitetit të këtij aeroporti, gjë që ishte dashur të kryhet shumë më herët, gjatë këtyre tri viteve e gjysmë.

Para pak muajsh nuk paguheshin as rojet e aeroportit!

Këto pohime të përgjithësuara të Mustafës e Kusari-Lilës e kanë nxitur shumëkënd që këto vizita t’i konsiderojë si fillim i fushatës parazgjedhore. Këtë e thotë edhe Agon Batusha, këshilltar komunal nga radhët e ‘Vetëvendosjes’. “Ky aeroport, më shumë se një aset për zhvillim të rajonit të Gjakovës, është shndërruar në atu për grumbullim votash, që provohet të bëhet me premtime, të cilat shpesh shndërrohen në akuza të ndërsjella mes nivelit lokal dhe atij qendror. Përderisa të mos ketë angazhime serioze dhe konkrete në terren, më nuk mundemi t’u besojmë premtimeve paraelektorale. Nuk është e drejtë të bëhen lojëra në kurriz të qytetarëve të papunë, të cilët shpresojnë se me funksionalizimin e këtij aseti mbase mund të gjejnë një vend pune. Mos të harrojmë që vetëm para ca muajsh Aeroporti i Gjakovës kishte mbetur edhe pa roje, për arsye të mos ndarjes së fondeve nga Qeveria! E tash...?!”, ka thënë Batusha. Këtyre premtimeve të fundit nuk u beson shumë as Masar Lluka, këshilltar komunal nga radhët e AKR-së.“Sikurse shumë elemente të tjera ekonomike, edhe Aeroporti i Gjakovës duket sa ka humbur tërësisht nga agjenda e Qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Prandaj nuk ka pasur asnjë progres gjatë më shumë se tri viteve të fundit. Për këtë arsye, premtimet e tashme se ky aeroport do të funksionalizohet së shpejti nuk i marr si shumë reale, pasi më shumë u ngjajnë premtimeve paraelektorale”, ka thënë Lluka. Një gjë është e sigurt, tash kur po afrohen zgjedhjet lokale, e mbase edhe ato të parakohshme qendrore, Aeroporti i Gjakovës pritet që edhe shumë herë të “futet në lojë”!

“Sikurse shumë elemente të tjera ekonomike, edhe Aeroporti i Gjakovës duket sa ka humbur tërësisht nga agjenda e Qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Prandaj, nuk ka pasur asnjë progres gjatë më shumë se tri viteve të fundit”, është shprehur Lluka.

(Kosova Sot)