Nëna në kërkim të “princit të kaltër” për vajzën 35-vjeçare, por i ka mbetur “fiksim” vetëm një

  • 30 April 2017 - 14:53
Nëna në kërkim të “princit të kaltër” për vajzën 35-vjeçare, por i ka mbetur “fiksim” vetëm një

Orjola, 35-vjeçarja nga Tirana, ka ftuar të ëmën, Lumturien në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i kërkuar të mos vazhdojë insistimin që ajo të gjejë njeriun e jetës. 

Orjola rrëfen se mëngjesi i saj nis me Lumturien, e cila vazhdon të insistojë që Orjola të gjejë “princin e kaltër”. Para 15 viteve, një djalë, i “pagëzuar” nga Orjola me emrin Beqir, ka takuar Lumturinë dhe i ka thënë që dëshironte që të merrte Orjolën për nuse, por duke qenë se ata u shpërngulën në një shtëpi tjetër, asaj i ka ngelur peng që nuk u njohën. Por, Orjola shprehet se kanë kaluar 15 vjet dhe ai mund të ketë vazhduar jetën e tij e të ketë krijuar familje.

Lumturia pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E diela shqiptare”. E pyetur nga Arditi se kush mund të ketë një mesazh për të, ajo përgjigjet se mund të jetë vajza ose djali. Lumturia shprehet se vajzën e saj e kanë kërkuar shumë djem, por njëri ishte i veçantë dhe e ka fjalën për djalin që na rrëfeu Orjola. Lumturia shikon në ekranin që ndodhet te muri ndarës Orjolën dhe shpreh gëzim.

Orjola – Mami, je mbretëresha ime dhe të dua pafund. Të lutem, mos ma përmend më këtë muhabet sepse jeta është kaq e bukur, ne do të kemi Zotin përpara që të dyja dhe do t’i realizojmë të gjitha ëndrrat e tua.

Lumturia – Faleminderit, por unë doja sepse mosha kalon dhe ikën shumë shpejt. Kjo duhet të vendosë për një person, për një të mirë si puna e Beqirit që thatë ju.

Lumturia rrëfen historinë e takimit me djalin dhe thotë se si çdo nënë, ajo do më të mirën për vajzën e saj. Arditi thotë se problemi i vetëm në këtë histori është se nuk dinë emrin e djalit dhe nuk kanë si ta gjejnë. Për këtë arsye, ai fton në studio piktoren Ilda Arshiaj, e cila do të pikturojë portretin e Beqirit sipas përshkrimit të Lumturies, për ta shfaqur publikisht, në mënyrë që ta gjejnë dhe ta martojnë me Orjolën.

Lumturia, e ngacmuar dhe nga Arditi, përshkruan me pak detaje djalin dhe thotë se nuk e mban mend mirë. Kur portreti përfundon, Lumturia shprehet se i ngjan, vetëm se duket më i madh, ai është 37 vjeç.

Arditi shprehet se ai djalë mund të jetë duke i parë dhe nëqoftëse nuk është martuar, të kontaktojë në “E diela shqiptare” dhe dasma të bëhet në studio. Lumturia shspreh entuziazëm, ndërsa Orjola afrohet për ta përqafuar  dhe për të parë “burrin e saj të ardhshëm”.

Orjola – Jo, është shumë serioz. Nuk shkojmë.

Lumturia – Po mir, serioz duhet njeriu. Shkoni mi.

Na mbetet vetëm të presim që Beqiri të bëhet i gjallë që të nisim përgatitjet për dasmën!

Image

 

 

(Kosova Sot)