Ahmeti: Rreziku nga "tradhtia" e deputetëve të partive të vogla duke u trafikuar tek fituesi i zgjedhjeve

  • 27 May 2017 - 22:00
Ahmeti: Rreziku nga

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, nuk e përjashton rrezikun që pas zgjedhjeve të parakohshme, Kosova të ballafaqohet me një situatë të pafavorshme për proceset dhe sfidat që e presin në të ardhmen, sepse ka rrezik që blloqet e ndërtuara para zgjedhje do të prodhojnë një realitet të ngërçit politik, i cili do të përkthehet në bllokim të proceseve integruese e shtetndërtuese. Zgjidhjen e përkohshme të krizës, Ahmeti e sheh vetëm tek tradhtia e deputetëve të partive të vogla me trafikim të tyre tek fituesi i zgjedhjeve. "Historia e re politike e Kosovës na dëshmon se një gjë është e pritur, pasi që disa parti të vogla pas zgjedhjeve mund të shkëputen nga koalicionet parazgjedhore për të marrë pak pushtet, të cilat e kanë dëshmuar se me çdo kusht e shohin pushtetin si mundësi për të mbijetuar", ka theksuar ai. "Partive të vogla, pushteti ua determinon mbijetesën në skenën politike kosovare, prandaj kalkulimet e tyre politike janë brenda konturave të interesave për pushtet. Gjykoj se partitë e vogla mund të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, por duke kalkuluar fuqinë politike, që mund të kenë mbas zgjedhjeve, nuk garantojnë një stabilitet të qeverisë së ardhshme, kushdo që do ta formojë qeverinë", tha Hidajet Ahmeti.

(KOSOVA SOT)