Gjyqtarët dhe prokurorët të filtrohen

  • 28 May 2017 - 07:27
Gjyqtarët dhe prokurorët të filtrohen

Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit duhet të jenë një ndër prioritetet e legjislativit të ardhshëm me bazë ligjore për të arritur reforma në këtë sistem, në mënyrë që parësore të jetë forcimi dhe zbatimi i ligjit, dhe sidomos edhe pavarësimi i gjyqësorit dhe prokurorisë nga gjyqtarë e prokurorë të papërgjegjshëm. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe derisa, sipas tyre, një prej shpresave kryesore, pra për Kosovën, mbeten zgjedhjet e datës 11 qershor të këtij viti, që nëse ndryshohet raporti i forcave apo nëse vijnë në pushtet forca të reja, të cilat deri më tani nuk kanë qenë, ata besojnë se ky është i vetmi shpëtim për sistemin politik, por edhe për sistemin juridik të Kosovës. Pra, a duhet që përbërja e re e Kuvendit të Kosovës të diskutojë më tepër për drejtësinë dhe reformat në drejtësi dhe që institucionet e vendit ta kenë interes parësor forcimin e zbatimit të ligjit, pavarësimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, për shkak se nëse kemi drejtësi të pavarur me kuadro me profesionalizëm cilësor, atëherë detyrimisht edhe njerëzit e politikëspushtetit do të silleshin dhe do të vepronin me përgjegjshëm me pushtetin politik dhe pasurinë e shtetit? Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se papërgjegjshmëria e pushteteve, pra ndërhyrjet, ndikimi dhe kontrolli evident për kaq kohë ndaj drejtësisë në tërësi ka bërë që të mos mund të kemi, siç tha, shtet të së drejtës të pavarur dhe sundim të ligjit. Andaj, sipas tij, me këto ndërhyrje nga politika sikur edhe në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i është bërë kështu në vazhdimësi shërbimi më i keq i mundshëm sistemit të drejtësisë në vend dhe sundimit të ligjit, derisa Kelmendi thotë se thjesht pa sundim të ligjit si kusht edhe për integrime në Bashkimin Evropian nuk mund të jemi të standardizuar në BE. " Prandaj, shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit duhet të jenë një ndër prioritetet e legjislativit të ardhshëm me bazë ligjore për të arritur reforma në këtë sistem, në mënyrë që parë- sore të jetë forcimi dhe zbatimi i ligjit, sidomos edhe pavarësimi i gjyqësorit dhe prokurorisë nga gjyqtarë e prokurorë të papërgjegjshëm", u shpreh Kelmendi.

Duhet një brez i ri kuadrosh

Analisti tjetër Shefqet Dibrani thotë se si dihet njëri nga kushtet esenciale për t'u integruar në Bashkimin Evropian është sundimi i ligjit, derisa kjo, sipas tij, mund të arrihet vetëm nëse kemi institucione të pavarura të drejtësisë, dhe po ashtu duhet të mos ketë ndërhyrje, e as politizim me rastin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Dibrani së këndejmi shton se ky është tregues se Kosova pashmangshëm duhet t'i nënshtrohet një procesi të reformimit në sistemin e drejtësisë, dhe i cili duhet të jetë proces që i përfshin të gjitha nivelet, dhe që duhet t'u jepet rasti kuadrove të reja që të integrohen në sistemin e drejtësisë, si dhe të hiqet dorë nga nepotizmi dhe familjarizmi me rastin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. " Pra, këndellja e sistemit të drejtësisë mund të bëhet vetëm me një brez tjetër, i cili është i arsimuar dhe kompetent për ta vënë në binarët e duhur drejtësinë në Kosovë dhe përkitazi duhen të ndodhin reforma në këtë sistem, të miratohet ligji për dekriminalizim dhe ai i 'Vetting'- ut, në mënyrë që të shkojë shoqëria demokratike përpara", ka vijuar ai. Tutje, Dibrani ka nënvizuar se po ashtu edhe përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës duhet të inkuadrohet në reformimin e sistemit të drejtësisë, e sidomos duke e përgatitur bazën ligjore për reforma, dhe rrjedhimisht duke e kontrolluar Qeverinë në atë mënyrë që ta pamundësojë ndërhyrjen apo ndikimin në zgjedhjen- emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe po ashtu, duhet që ta pamundësojë ndikimin dhe ndërhyrjen në vendimmarrje, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me korrupsionin, si dhe çështjet e tjera. "Pra, është nevojë e kohës një sistem i drejtësisë së pavarur nga politika, por që kjo pavarësi nuk arrihet pa vullnetin e politikës, e cila duhet të kuptojë se pa funksionimin e sistemit të drejtë- sisë nuk mund të funksionojë as shteti", potencoi Dibrani

Qeveria të iniciojë reformën

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka veçuar se reformën në radhë të parë duhet ta bëjë Qeveria, ngase, sipas tij, kësaj të fundit i takon si pushtet ekzekutiv që i përgatit dhe i zbaton ligjet që të përgatisë një reformë të domosdoshme të sistemit të drejtë- sisë, ashtu siç ishte propozuar nga qeveria shqiptare e Shqipërisë dhe siç ishte kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. " Pra, duhet një reformë rreth ligjeve, e cila nënkupton në radhë të parë rregullimin detal dhe rigoroz të procedurave të rekrutimit dhe të përzgjedhjes së bartësve të pushtetit, gjegjësisht përgjegjësive në gjyqësor dhe në drejtësi, pastaj do të duhej të bënte ligje e dispozita për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë, dispozita dhe rregullore lidhur me ashpërsimin e masave disiplinore dhe të kodit etik të bartësve të funksioneve të gjyqë- sorit dhe drejtësisë", u shpreh ai. "Me një fjalë, do të duhej që Qeveria e ardhshme ta kuptojë mirë dhe rrënjësisht gjendjen e vështirë dhe të papërballueshme të gjyqësorit në çdo segment, përmes propozim -ligjeve të caktuara dhe akteve nënligjore t'i japë oferta Parlamentit për ta reformuar dhe për ta ndryshuar me ligjet e sipërpërmendura, në mënyrë që të avancohet dhe të ndryshohet gjendja në sistemin e drejtësisë", spikati për gazetën "Kosova Sot" Profesori universitar, Mazllum Baraliu. 

Me lidershipin e njëjtë nuk ka ndryshime

e Avokati Tomë Gashi ka nënvizuar se në këtë sistem kemi të bëjmë faktikisht me shtet të kapur dhe ku sistemi politik në mënyrë direkte ndikon në çështje juridike dhe atë ndikon në çështjet juridike ku ata kanë interes, ndërsa në të tjerat jo, atëherë, sipas tij, është e pamundshme që Parlamenti i Kosovës të bëjë diçka tjetër, përveçqë të presim struktura të reja politike dhe me ndryshimin e sistemit politik do të vijë edhe te ndryshimi pozitiv i sistemit juridik. " Sigurisht që me forca të vjetra nuk mund të kemi sistem të ri juridik dhe gjithçka varet prej politikës. Kështu që, një prej shpresave kryesore për Kosovën mbeten zgjedhjet e datës 11 qershor të këtij viti, që nëse ndryshohet raporti i forcave apo nëse vijnë në pushtet forca të reja, të cilat deri më tash nuk kanë qenë, besoj që ky është i vetmi shpëtim për sistemin politik, por edhe për sistemin juridik të Kosovës", potencoi ai. "Ndërsa, nëse kemi ndryshim të sistemit politik, atëherë duhet ta imitojmë apo të bëjmë njëjtë si Shqipëria të instalojmë një sistem të 'Vetting'- ut, ku do të filtrohet secili gjyqtar dhe secili prokuror që të shohim se a e ka vendin aty apo eventualisht ata që nuk e kalojnë 'Vetting'- un, apo pastërtinë apo dijet që i kanë, atëherë detyrimisht të ndërrohen me persona të rinj dhe të aftë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" avokati Tomë Gashi.

 Kosova Sot