Burjani: Shëtitjet dhe mospuna në Gjyqësorin e Kosovës është një rutinë e zakonshme, një papërgjegjësi, e cila nuk kontrollohet as gjykohet nga askush!

  • 22 June 2017 - 21:32
Burjani: Shëtitjet dhe mospuna në Gjyqësorin e Kosovës është një rutinë e zakonshme, një papërgjegjësi, e cila nuk kontrollohet as gjykohet nga askush!

Prof. i së drejtës Blerim Burjani thotë se shëtitjet dhe mospuna në Gjyqësorin e Kosovës është një rutinë e zakonshme, një papërgjegjësi, e cila nuk kontrollohet as gjykohet nga askush. "Po është bërë shprehi me udhëtime për mëditje dhe nuk ka rëndësi të çfarë natyre dhe rëndësie janë, por ka edhe udhëtime që arsyetojnë shpenzimet. Trajnimet e shumta, punët me kontrata të dyfishta dhe gjëra të tjera, edhe Gjyqësori edhe prokuroria funksion ashtu si funksionojnë institucionet e tjera njëjtë me shpenzime enorme, me udhëtime të shpeshta me tejkalime e të tjera. Pra, kjo është bërë trend, e kur s'ka ftesa u shkruajnë institucioneve nga jashtë për t'iu dërguar ftesa për shëtitje patën apo nuk patën punë", është shprehur Burjani. "Kjo gjithmonë ishte kështu në këto institucione, kur s'ka aktivitete atëherë u shkruajnë institucioneve simotra apo të ngjashme dhe ata u dërgojnë ftesa për të arsyetuar shpenzimet dhe vizitat e udhëtimit. Mbishpenzimet duhet të ndalen, mjaft shpesh ka reaguar auditori, por s'ka pasur zbatim të rekomandimeve të auditorit në shumicën e rasteve, s'ka realisht edhe mekanizëm tjetër auditori për të ndalur këto gjëra, përveç t'u shkruajë institucioneve qendrore", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)