Llogaritësi interaktiv ju tregon sa gjasa keni t'i mbijetoni kancerit

  • 23 July 2017 - 20:32
Llogaritësi interaktiv ju tregon sa gjasa keni t'i mbijetoni kancerit

Testi nuk merr parasysh faktorët e ndryshëm, të cilët mund ta përshpejtojnë rritjen e tumorit

Bazuar në të dhënat nga më shumë se 2.3 milionë njerëz, ky llogaritës ofron prognozën më të besueshme rreth rrezikut të vdekjes brenda një periudhe prej dhjetë vjetësh

Të sëmurët nga kanceri tani kanë një instrument, i cili ua mundëson që ta dinë edhe sa vite jetë u kanë mbetur. I zhvilluar nga shkencëtarët, llogaritësi online jep të dhëna rreth jetëgjatësisë mesatare për gjashtë forma kryesore të kancerit. Bazuar në të dhënat nga më shumë se 2.3 milionë njerëz, ky llogaritës ofron prognozën më të besueshme rreth rrezikut të vdekjes brenda një periudhe prej dhjetë vjetësh. Përdoruesit përshtatin gjininë dhe moshën e tyre, për të parë se sa mesatarisht mund të zgjatë beteja e tyre kundër kancerit të gjirit, mushkërive, zorrës së trashë, prostatës, rektumit dhe melanomës, trasmeton gazeta Kosova Sot

Kërkuesit shkencorë

Por, testi nuk merr parasysh faktorët e ndryshëm të cilët mund ta përshpejtojnë rritjen e tumorit, sikur që janë pirja e duhanit, alkoolit, si dhe shprehitë ushqimore. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti i Leiçesterit e kanë përpiluar këtë llogaritës, meqë pacientët e prekur nga kanceri zakonisht kanë konfuzion rreth të dhënave statistikore. 

Statistikat e mbijetimit të kancerit

Studenti PhD, Sarwal Islam, i cili është autori kryesor i këtij llogaritësi, ka deklaruar se statistikat e mbijetimit të kancerit shpesh keqinterpretohen. Ai thotë se ky llogaritës ka për qëllim që ta informojë publikun, por edhe profesorët, me qëllim të minimizimit të keqkuptimeve. "Duam që të sigurohemi që pacientët ta kuptojnë se mbijetimi i tyre varet nga disa faktorë të ndryshëm", thotë ai. Prognoza është e ndryshme varësisht nga etapa e sëmundjes në momentin e zbulimit të tij. Profesori Paul Lambert, i cili ishte përfshirë në krijimin e këtij llogaritësi, tha se ata janë duke punuar në përpilimin e një llogaritësi të ri, i cili do të merrte parasysh një numër më të madh të faktorëve të rrezikut. 

(Kosova Sot)