Kelmendi: KGJK-ja e KPK-ja duhet të jenë më efikase

  • 18 August 2017 - 21:30
Kelmendi: KGJK-ja e KPK-ja duhet të jenë më efikase

Analisti Naim Kelmendi thotë se ky mosefikasitet ndërlidhet me vetë kuadrin e institucionit në sistemin e drejtësisë, sikur janë gjyqtarët dhe prokurorët joprofesionistë, të paaftë dhe njëherësh edhe të korruptuar e të ndikuar nga politika dhe ndërlidhjet e tjera që ndikojnë tërthorazi dhe drejtpërdrejt në punën dhe efikasitetin e vetë sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tutje, sipas tij, në anën tjetër, mbase vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, por edhe ai Prokurorial do të duhej ta zhvillonin luftën e spastrimit nga gjyqtarët e prokurorët joprofesionistë, të paetikë, të paperfomancë, të papërgjegjshëm, e të korruptuar në detyrën dhe përgjegjësitë e tyre para ligjit. " Kjo, ngase pa spastrimin e kësaj kategorie gjyqtarësh e prokurorësh, asnjëherë nuk mund të mendohet se me këtë kategori mund të shkojë përpara zhvillimi i sistemit të drejtësisë, pra drejt reformimit, pasi pikërisht të tillë gjyqtarë e prokurorë janë pengesë për vetë sistemin e drejtësisë dhe Gjyqësorin përgjithësisht, por edhe për vetë zhvillimet e tij dhe të demokratizimit e të shëndoshjes së këtij sistemi", potencoi ai. "Së këndejmi, mendoj se ligji për 'Vetting'-un do të krijonte mundësi shumë të mira, që gjatë procesit të përzgjedhjes së bartësve të institucioneve të drejtësisë dhe Gjyqësisë të nxirrej kështu figura e pastër dhe e ndershme, por edhe e përgatitur profesionalisht për t'i emëruar më pastaj në pozitat e caktuara, qoftë në gjykata apo prokurori, apo edhe në poste të tjera të fushës së drejtësisë", theksoi për gazetën "Kosova Sot"analisti Naim Kelmendi.

(Kosova Sot)