Politika e korruptuar kontrollon drejtësinë

  • 19 August 2017 - 08:11
Politika e korruptuar kontrollon drejtësinë

Të inkriminuarit po i shpëtojnë ballafaqimit me ligjin

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se te sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë elemente që nuk e kanë vendin aty, por që kjo ka ardhur si rezultat i vetë sistemit politik të ndërtuar mbi baza korruptive dhe ndoshta edhe kriminale, derisa sipas tyre në Kosovë nuk bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve e prokurorëve duke u bazuar ne meritokraci të mirëfilltë e të besueshme, që bazohet në merita të dëshmueshme, duke pasur parasysh kualifikimet, etikën e integritetin profesional, aftësitë dhe efikasitetin në punë, por vetëm në bazë të lidhjeve të ndryshme korruptive. Ambasadori amerikan e tha para dy ditësh se pandëshkueshmëria e politikanëve duhet të marrë fund e të përfundojë menjëherë. "Kosova dhe kosovarët duhet të jetojnë në bazë të vlerave të vendeve të cilave duan që t'u bashkohen. Prandaj pandëshkueshmëria e politikanëve është problem kyç që duhet të zgjidhet. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të përdorin standarde të njëjta, sikur me çdo qytetarë tjetër të këtij vendi", u shpreh ndër të tjera përfaqësuesi i SHBA-së në vendin tonë. Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se tek sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë elemente që nuk e kanë vendin aty, por sipas tij kjo ka ardhur si rezultat i vetë sistemit politik të ndërtuar mbi baza korruptive dhe ndoshta edhe kriminale. "Nëse i marrim subjektet politike shihet një konglomerat i nduarduarshëm i figurave politike me të kaluar të dyshimtë dhe pa asnjë virtyt të domosdoshëm për vendet e tilla. Kjo gjendje ka krijuar dy mekanizma, gjoja të pavarur, por të varur kryesisht nga politika. Është këtu KPK dhe KGJK. Të dy këto institucione kanë dalë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por të dyja këto institucione kryesisht kontrollohen jo mbi baza ligjore, kuptohet nga subjektet politike në pushtet", theksoi ai. 

Mekanizmat formalë të drejtësisë

Sipas Kelmendit, KPK zgjedh gjoja dhe emëron prokurorët. "Dhe, në kuadër të kësaj, ky organ ka caktuar prokuror nga baza e deri në qendër që kanë të kaluar të dyshimtë, e të cilët lehtë, sikundër u pa, u vunë nën kontrollin e mekanizmave joformalë të skenës politike, asaj ekonomike dhe financiare.Tash kemi prokurorë të dobët në kuptimin kualifikues, sikundër që kemi pa virtyte, me elemente të shëndosha morale dhe etike, por elemente të varura dhe të dirigjuar nga pushteti politik", u shpreh më tutje ai."Këtë gjendje e kemi edhe në gjykata, duke filluar nga ato themelore, e duke kaluar tek Gjykata e Apelit, ajo Supreme dhe te Gjykata Kushtetuese.Tërësisht janë të mbushur me të tilla figura, me figura që lehtë korruptohen apo bien nën ndikimin e forcave joligjore", ka thënë Muhamet Kelmendi. "Tërë kjo shërohet me masa të trefishta:1. Spastrimi i figurave politike në skenën politike të Kosovës dhe të pushtetit. 2. Me ndërrimin total të KPK dhe KGJK duke futur njerëz Kuvendi në ato organe të kualifikuar dhe moralisht të pathyeshëm si dhe me etikë shtetërore dhe 3. Ndërmarrjen e një spastrimi në masë të të gjitha prokuroritë, nga ato themelore e deri tek kryeprokurori. Po kështu duhet bërë spastrim edhe te të gjitha gjykatave nga gjyqtarët dhe personeli i paaftë, i përfolur dhe i korruptuar. Mjafton një dyshim i vogël të largohet nga pozita e gjykatësit", u shpreh profesori universitar Muhamet Kelmendi. 

Ambasada amerikane t'u kërkojë llogari politikanëve të papërgjegjshëm

Analisti Naim Miftari thotë se për ta pasur një gjyqësi të drejtë së pari duhet ndarë atë njëherë e mirë nga politika e korruptuar, pasi vetë mënyrat e zgjedhjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të dirigjuara nga para sistemet politike dhe se ende pa u hapur vendi i punës për prokurorë dhe gjyqtarë dihet shumë mirë se kush do të pranohet në atë vend të punës e kush jo. Sipas tij konkurset, komisionet e tyre janë vet të korruptuara gjersa një kandidat i pavarur konkurron për prokuror ai kandidati tjetër para sistemit politik e ka në shtëpi pyetësorin dhe gjitha përgjigjet e sakta që duhet t'i thotë para komisionit verifikues. "Ambasadori amerikan Delawie ka të drejtë, por shumë herë e shohim krah për krah në konferenca bashkë me politikanët e korruptuar ata që e kanë sjellë Kosovën buzë greminës sot dhe drejtësinë e kanë bërë si rruga e Bever Hillsit. Ambasada amerikane duhet të kërkojë llogari pikërisht nga ata që i ka përkrah njëfarë mënyre gjerë sot. Por, pa ndryshuar mënyra e politikëbërjes në vendin tonë s'ka rregull", u shpreh ai. "Qeveria e Amerikës duhet ta rrisë shtypjen ndaj politikanëve të papërgjegjshëm dhe të korruptuar që 16 vite bëjnë ligjin e Maliqit ja ligjet e tipit PRONTO, duke harruar se sundimi i ligjit është mision dhe detyrë e shenjtë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. 

 

Image

 

Të korruptuarit nuk po ndëshkohen

Analisti Xhevat Sefaj ka nënvizuar se drejtësia në Kosovë, sistemi i drejtë- sisë është i ndërtuar në atë formë që gati i pamundësohet vendosja e rendit dhe ligjit ashtu siç ka nevojë shoqëria. Sipas tij, korrupsioni i niveleve të larta, i cili është i lidhur me pushtetin vështirë që ka për t'u luftuar. "Unë jam shumë pesimist se ka me pasur luftim të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, të cilat e dëmtojnë në masë të madhe përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Shihni qeveritë e tërë shteteve të Ballkanit perëndimor, që nga vitet e 90- ta kemi pushtetarë të korruptuar, familjet e tyre janë të pasura e populli i tyre i varfër dhe ende janë në pushtet dhe i kanë mbijetuar këtij lloj sistemi që e dominon Ballkanin. Në Shqipëri e kemi të njëjtën klasë politike që nga vitet e 90- ta, të dominuar nga tri parti: PD, PS dhe LSI, të cilët e kanë zhvatur shtetin bashkërisht, tërë këto vite familjet e tyre janë të pasura e populli një pjesë e madhe ende janë në varfëri ekstreme", theksoi ai. "Pra, tërë këto vite asnjë politikan, asnjë politikan i nivelit të lartë, nuk është dënuar për korrupsion as nuk u është konfiskuar pasuria e paligjshme. Në Mal të Zi e kemi të njëjtën situatë, që nga vitet e 90-ta udhëhiqet nga e njëjta klasë politike e Gjukanoviqit, të cilët ende janë në pushtet dhe nuk ka të dënuar për korrupsion të niveleve të larta. Situatë e njëjtë është edhe në Serbi, Maqedoni, por e njëjta situatë ka me ndodh edhe në Kosovë", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Xhevat Sefaj.

(Kosova Sot)