< SHBA: Tillerson nuk synon rritjen e tensioneve me Rusinë - Lajme - Kosova Sot
SHBA: Tillerson nuk synon rritjen e tensioneve me Rusinė

SHBA: Tillerson nuk synon rritjen e tensioneve me Rusinė

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, nuk dëshiron që mospajtimet diplomatike ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës, të përshkallëzohen më tutje dhe synon përmirësim të lidhjeve ndërmjet “dy fuqive atomike”, ka thënë mbrëmë zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert.

“Mendoj se sekretari beson se nuk është i domosdoshëm aksioni i mëtejshëm i përshkallëzimit në këtë pikë dhe ne synojmë përpjekje për të lëvizur përpara”, tha Nauert.

Këto komente janë bërë në periudhën e rritjes së tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës.

Shtetet e Bashkuara më 31 gusht kanë urdhëruar mbylljen e Konsullatës së Rusisë në San Francisco dhe të dy përfaqësive tregtare në Uashington, ndërsa në shenjë të hakmarrjes, Moska ka urdhëruar shkurtim të madh të personelit diplomatik amerikan në Rusi.

Në mospajtimet e gjëra ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, përfshihen edhe akuzat e komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, sanksionet e imponuara nga fuqitë perëndimore kundër Moskës për aneksimin e Krimesë së Ukrainës dhe për mbështetjen e forcave separatiste në pjesën lindore të Ukrainës, pastaj për strategjitë lidhur me Sirinë dhe Korenë Veriore.

Zëdhënësja Nauert e ka përmendur vizitën në Moskë të përfaqësuesit special amerikan për Korenë Veriore, Joseph Yun, për biseda me zyrtarët rusë, si shenjë të vazhdimit të bashkëpunimit në përpjekje për ballafaqim me Phenianin, lidhur me programet e ndaluara raketore dhe atomike të Koresë Veriore.

(Kosova Sot)

8 orë e 45 minuta më parë