Operacioni “Çelësi”, konfiskohen 135 kg marihuanë

  • 13 September 2017 - 16:51
Operacioni “Çelësi”, konfiskohen 135 kg marihuanë

Policia e Kosovës përmes operacionit policor “Çelësi” ka arritur të shkatërrojë një grup të organizuar të trafikimit me narkotik dhe të konfiskojë një sasi prej 135 kilogramëve narkotik të llojit marihuanë.

Në një konferencë për shtyp, zyrtarë të lartë të policisë thanë se gjatë këtij aksioni janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë ndalur si të dyshuar.

Kapiteni i drejtorisë së antidrogës, Reshat Murseli, tha se më 11 shtator policia ka zbatuar planin taktik operativ në rrugën Gjilan-Ferizaj në fshatin Bibaj, duke kontrolluar një depo në të cilën bëhet grumbullimi dhe transportimi i mallrave për në shtetet perëndimore dhe anasjelltas, nën dyshimin se në brendësi të mobilieve mund të ketë të kamufluar sasi të narkotikëve.

Po ashtu, Murseli bëri të ditur se prejardhja e narkotikëve ka ardhur nga Shqipëria dhe se destinim ka pasur Zvicrën.

Operacioni policor “Çelësi” është realizuar më datën 11 dhe 12 shtator të këtij viti.

(Kosova Sot)