Skandali i radhës i Ahmetit, jep leje të dyshimtë te xhamia (Video)

  • 21 September 2017 - 08:08
Skandali i radhës i Ahmetit, jep leje të dyshimtë te xhamia (Video)

TRAFIKIMI I LEJEVE TË NDËRTIMIT NGA OLIGARKËT E VV-së

Komuna e Prishtinës lejon të ndërtohet pompa e benzinës në zonën e banuar 

"Qytetarët tek Xhamia e Llapit sot janë më të rrezikuar se dje, kur nuk ishte pompa e benzinës. Kështu ndodh kur shteti udhëhiqet nga njerëz 'të fortë', që nuk përfillin asgjë, vetëm e vetëm që të zhvatin popullin e lodhur nga fukarallëku. Është për të ardhur keq që këta që e kanë pushtetin s'po pyesin për asgjë, as për interesat e qytetarëve, por veç për interesat e ngushta të tyre", tha Faton Mehmeti

Biznesmenit Ukshin Menxhiqi, që është në fqinjësi me ishkryeministrin Isa Mustafa, i është dashur të zhvillojë një betejë rreth trevjeçare në luftë për ta fituar të drejtën e ligjshme për biznesin e tij, "Bingo Benz", të cilin ia pati rrafshuar me tokë Isa Mustafa në mandatin sa ai ishte kryetar komune. Leja nga Komuna e Prishtinës i është lëshuar më 28.04.2017. Mirëpo, tani janë ngritur edhe disa dyshime të tjera, që sipas burimeve të gazetës thonë se tani, pas kalimit në qeveri, në pozitën e kryeministrit dhe fillimit të betejës në rrugë ligjore nga Ukshin Menxhiqi, është arritur marrëveshja për t'i hapur rrugë zhvillimit të këtij biznesi, aktivizimin sërish të pikës së karburantit po në të njëjtin vend, afër Xhamisë së Llapit në Prishtinë, duke e pajisur pronarin me gjithë dokumentacionin e ministrive relevante me ndikim, që e bënë të ligjshëm këtë veprimtari, por me kusht që kjo t'i jepet me qira kompanisë EXFIS, në të cilën dyshohet se i kanë aksionet e veta edhe djemtë e ish-kryetarit të Komunës dhe kryeministrit të deridjeshëm, Isa Mustafa. Pas raportimeve në media se tani EXFIS ka filluar punën pa leje ndërtimi, gazeta është interesuar, ka kontaktuar pronarin e BINGO BENZ-it, Ukshin Menxhiqin, i cili ka rrëfyer gjithë historinë e ballafaqimit të tij më drejtësinë, dhe pasi e ka fituar atë, i është dashur që të ndjekë një procedurë të gjatë prej plot 27 muajsh deri në finalen e procesit, marrjes së lejes nga Komuna e Prishtinës. Sidoqoftë, ai tha për gazetën se ka vendosur që ta japë me qira këtë objekt për EXFIS-in, pasi që i ka mjaftuar edhe një interes i tillë.

Skandali po mbulohet nga Komuna

Sado që ai tani si pronar i ligjshëm posedon dokumentacionin e rregullt nga të gjitha instancat e institucioneve relevante, duke filluar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nga MBP-ja, për çështjen e sigurisë, pëlqimin edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës për njohësit e qeverisjes joserioze dhe me dyshime korruptive të kreut të Komunës, Shpend Ahmeti, ekzistojnë akoma dyshime për parregullsi në marrjen e vendimit final, pasi që fjalën e fundit është dashur ta japë Komuna dhe biznesi është shumë afër xhamisë së vjetër, Xhamia e Llapit- Ramadanisë, që përfshin pjesën historike të Çarshisë së Vjetër. Analisti Faton Mehmeti, duke parë peshën që ka ambienti kulturor historik dhe dendësia e banimit aty, konsideron se rasti në fjalë megjithatë është skandal në vetvete, që realisht në një shtet normal do të trondiste jo vetëm komunën, por edhe qeverinë dhe dyshimet për ndonjë marrëveshje të veçantë të interesit profitabil mes palëve nuk mund të përjashtohet si kompromis i lejes së ndërtimit. "Derisa tek ne kalohet në heshtje, kjo s'duhet të kalojë në heshtje, pasi përveç shkeljeve të procedurave përbën edhe rrezik për jetën e qytetarëve. Qytetarët tek Xhamia e Llapit sot janë më të rrezikuar se dje, kur nuk ishte pompa e benzinës. Kështu ndodh kur shteti udhëhiqet nga njerëz 'të fortë', që nuk përfillin asgjë, vetëm e vetëm që të zhvatin popullin e lodhur nga fukarallëku. Është për të ardhur keq që këta që kanë pushtetin s'po pyesin për asgjë, as për interesat e qytetarëve, por veç për interesat e ngushta të tyre", tha Faton Mehmeti. Ai tani këtu nuk e përjashton as efektin elektoral të lëshimit të lejeve të ndërtimit në nivel kryeqyteti, madje edhe në këtë rast."Në veçanti tani, që janë zgjedhjet komunale në Kosovë po shpërndajnë leje ndërtimi në këmbim të votave, një grup njerëzish të pandershëm e kanë ngulfatur jetën e qytetarit. Duke ndërtuar vend e pa vend ia kanë humbur pamjen qytetit, gjelbërimi ka mbetur si oazë, ndërsa ndërtimet po e rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve të vendit", theksoi Mehmeti për "Kosova Sot". 

Qeveria t'u thotë STOP abuzimeve me ndërtimet

Sipas profesorit të së drejtës, Riza Smaka, logjika e respektimit të ligjit kërkon që askund të mos lejohen ndërtime të strukturave të ndryshme afariste apo banesore në kundërshtim me kërkesat e planifikimit hapësinor. Edhe Smaka nuk e përjashton një dyshim për mundësinë e tejkalimit - shkeljes së atyre rregullave. Madje ai thotë se qeveria e tanishme do të duhet të merret që nga fillimi me konstatimin nëse janë respektuar në tërësi rregullat, ligjet dhe kriteret për ndërtim."Ndërtimet e strukturave banesore e komerciale në kundërshtim me kërkesat e planifikimit hapësinor e urbanistik si dhe me dispozitat ligjore referuar ndërtimeve në përgjithësi janë dukuri tepër negative, të dëmshme dhe irrituese. Ndërtimet e tilla janë në kundërshtim flagrant me postulatet elementare urbanistike, estetike, ambientaliste e kulturore. Prishtina do të duhej të ishte shembull për të mirë në favor të gjelbërimeve e hapësirave rekreative dhe të pikëpamjeve estetike, por, mjerisht, është e kundërta", theksoi Smaka. "Nëpërmjet ndërtimeve në kundërshtim me ligjin e aplikuar, referuar kërkesave urbanistike, ambientaliste, estetike dhe rekreative, për të qenë edhe më keq, pa mëdyshje janë të ngërthyera dhe të involvuara edhe me krimin ekonomik nëpërmjet aplikimit të formave më se të shumta e të ndryshme të korrupsioneve dhe të abuzimeve me pronat publike!", tha Riza Smaka.

Dyshohet për marrje të mitës

Analisti Ragip Guraziu thotë se veçanërisht është Shpend Ahmeti ai që ka filluar me një avaz të objekteve fetare dhe pompave të benzinës dhe nuk po dihet kur do të ndalet."Mbase atëherë me siguri kur zgjohen nga gjumi i thellë prokuroria dhe gjykatat dhe Shpendi të përfundojë në burg, e le më që po kërkon mandatin e dytë, por kësaj i thonë tmerr. Skandalet e Shpend Ahmetit nuk kanë të ndalur, tani duke rrezikuar edhe atakuar edhe objektet fetare, siç është Xhamia e Llapit në Prishtinë, dhe qytetarët përreth, ku kjo xhami është më e shenjta dhe më historikja deri më tani në Prishtinë. Shumë interesant, Shpendi po vazhdon me avaze të tjera, në vazhdën e shitjeve të lejeve ndërtimore pa kurrfarë kriteresh, apo lejimin e legalizimin e objekte pa leje, marrjet e mitosë janë në pyetje me siguri, e tani u ka hy në punë edhe objekti fetar", tha Ragip Guraziu. Të dyshimtë e sheh këtë veprim edhe analisti Reshat Badallaj, pasi, siç thotë ai, skandalet e Shpend Ahmetit dhe bandës së tij aty rrotull nuk kanë të ndalur, duke e shkatërruar kryeqytetin. "Kjo bandë ka hetuar se i ka ditët e numëruara dhe nuk kursen asgjë për të pasuruar jo vetëm për veti, por edhe për bandën e tij që e rrethojnë. Janë duke vepruar sipas asaj "T´i mëshojmë sa jemi në pushtet". Tashti ka hedhur hapin tjetër të hajnisë, pas atyre të shitjeve të lejeve të ndërtimit, lejimin e legalizimeve, dhënien e tokave në zemër të Prishtinës, bandës serbe 'Devolli', mashtrimet me autobusët, që akoma 21 prej tyre mrizojnë në garazhet e Çekisë, që qëllimisht këtë "bakllava" e ka lënë më vonë, sepse u duhen lekët, ka lejuar në emrin e tij ndërtimin e një pompe të benzinës bash në kufi me Xhaminë e Llapit, konkretisht dy-tre hapa larg saj", potencoi Badallaj për "Kosova Sot". Komuna e Prishtinës nuk ka kethyer përgjigje për pyetjet e dërguara nga gazetari.

(Kosova Sot)