Hertica: Dështim skandaloz i institucioneve

  • 20 October 2017 - 16:48
Hertica: Dështim skandaloz i institucioneve

Analisti politik Ali Hertica pohon se injorimi i rasteve të dëmeve të luftës është një dështim total i të gjitha institucioneve të shtetit të Kosovës, fillimisht i vetë politikës kosovare që e ka heshtur këtë problem, por edhe i drejtësisë kosovare të telekomanduar nga politika që nuk e merr seriozisht, mirëpo i injoron paditë individuale të qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës."Këto vepra penale të qëndrueshme ndërkombëtarisht janë në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe duhet të trajtoheshin me prioritet edhe për kompensimin e dëmeve të luftës, për viktimat e shkaktuara civile e për bizneset e shkatërruara nga ana e vetë të ashtuquajturit "shtet juridik serb". Juridiksioni dhe baza ligjore e trajtimit të këtyre rasteve është e siguruar dhe e garantuar në masë të madhe me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit, por nuk ka pasur deri më tani as guxim veprimi institucional dhe as vullnet politik për mbështetjen e drejtësisë në trajtimin e kësaj çështje", tha Hertica. Ai potencon se krimi nuk harrohet dhe as nuk vjetërsohet, prandaj në të ardhmen jo të largët ky lloj shqetësimi duhet të vihet në rend dite nga Qeveria dhe nga gjykatat. "Konsideroj se veprimi i gjykatës kundër interesave të qytetarëve është diçka e pakuptimtë dhe realisht kjo duket sikur po ndodh nën hijen ose nën ndikimin e Beogradit", vijoi analisti Ali Hertica

(Kosova Sot)