Shteti monopolist, falimenton 2379 biznese vetëm brenda një viti!

  • 21 October 2017 - 09:17
Shteti monopolist, falimenton 2379 biznese vetëm brenda një viti!

Sipërmarrja private po përballet me mbijetesën

Korporatokracia ka gjunjëzuar sidomos ndërmarrjet e vogla e të mesme

Sipas nënkryetarit të AKB-së, Suad Berisha, anketa e AKB-së ka treguar se politikat fiskale joadekuate kanë qenë ndër shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve, kurse më pas janë edhe mungesa e subvencioneve nga donatorët, monopolet, normat e interesit të bankave komerciale, mungesa e energjisë elektrike që është shumë e shtrenjtë, si dhe informaliteti dhe konkurrenca jo fer e bizneseve tona

Ambienti i pafavorshëm afarist që po mbretëron gjatë viteve të fundit ka bërë që në Kosovë të falimentojnë disa mijëra biznese. Sipas të dhënave zyrtare , në Kosovë janë të regjistruara më shumë se 150 mijë biznese.  Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tregojnë se vetëm në vitin 2016 janë shuar 2379 biznese derisa të dhënat e AKB-së tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit janë shuar 4400 biznese. Njohësit e kësaj fushe ankohen se asnjë qeveri deri më sot nuk punoi për krijimin e  ambientit më të favorshëm për biznese, por punuan duke lënë tërë ekonominë në duart e nëntokës dhe mafio-oligarkisë së lidhur me pushtetarët e nivelit të lartë qendror dhe atij lokal nëpër komuna. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të MTI-së lidhur me shkaqet e shuarjes së këtyre bizneseve që po mbyllen në vendin tonë zyrtarët e tyre nuk dhanë përgjigje për gazetën. Ndërkaq ne deputetët dhe ekspertët e kësaj fushe fajësojnë institucionet për dështimin për të përmirësuar kushtet e të bërit biznes. 

Ambienti i pafavorshëm biznesor

Nënkryetari i AKB-së, Suad Berisha, ka folur lidhur me indikatorët që po sjellin shuarjen e bizneseve në Kosovën në veçanti këtyre viteve të fundit. Ai për gazetën “Kosova Sot ” tha se nga anketa e bërë me bizneset vendore ka dalë se ndër shkaqet më kryesore është ambienti i pafavorshëm afarist, që po i falimenton bizneset. “Veç tij janë edhe mungesa e sundimit të rendit dhe të ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, zhvatja dhe haraçi”, u shpreh më tutje ai. Sipas Berishës, anketa e AKB-së ka treguar se politikat fiskale joadekuate kanë qenë ndër shkaqet kryesore të mbylljes së bizneseve, kurse më pas janë edhe mungesa e subvencioneve nga donatorët, normat e interesit të bankave komerciale, mungesa e energjisë elektrike që është shumë e shtrenjtë, si edhe informaliteti dhe konkurrenca jo fer e bizneseve tona. Ai sqaron se anketa e bërë nga AKB-ja na tregon se vetëm brenda dy viteve të fundit, 2015 dhe 2016, janë mbyllur 4400 biznese vendore. Ndërkaq, shifrat tregojnë se numri i bizneseve të mbyllura gjatë vitit 2016 ka arritur në shifrat prej 2.328 ndërmarrjeve të mbyllura. Ndërsa në vitin 2015  janë mbyllur 2.156 biznese dhe krahasuar me një vit më parë të dhënat flasin se numri i bizneseve të mbyllura në 2016 kanë shënuar një rritje prej 8.14 për qind.

 

Mungesa e sundimit të ligjit tremb investitorët

 

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për “Kosova Sot” ka thënë se në çdo raport ndërkombëtar që ka folur për Kosovën është potencuar se krahas politikave joadekuate fiskale janë edhe mungesa e sundimit të ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni shumë i madh nëpër institucione ndër indikatorët kryesorë që po i detyrojnë bizneset që të shuajnë veprimtarinë  e tyre.“Indikatorët janë shumë, por faktori më i madh i mbylljes së bizneseve te ne edhe më tej mbetet mungesa e sundimit të ligjit në vendin tonë, që po i tremb investitorët vendorë e të huaj që të investojnë këtu te ne, por edhe që po i detyrojnë ata që t’i mbyllin bizneset e tyre, andaj për pasojë e kemi edhe këtë rritje të shifrave të mbylljes së bizneseve nga viti në vit”, theksoi ai.“Është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha një arsye tjetër shumë me rëndësi që vjen deri te falimentimi”, vlerësoi Berjani. Ai është i mendimit se me Qeverinë e re nuk do të tolerohen gjëra të tilla dhe bizneset do të kenë hapësira shumë më të mëdha të veprimit.

Qeveritë e deritashme e lanë ekonominë në duart e nëntokës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), për “ Kosova Sot” tha se arsyeja kryesore e shuarjes së bizneseve është mungesa e sundimit të ligjit si dhe haraçi e zhvatja, por edhe pengesa të tjera nga Pakoja Fiskale.“E keqja më e madhe është se asnjë nga qeveritë e derisotme nuk kanë punuar sa duhet për krijimin e ambientit më të favorshëm për biznes ”, theksoi ai. Hoti tha se shumica e qeverive të deritashme punuan duke lënë tërë ekonominë në duart e nëntokës dhe mafio- oligarkisë së lidhur me pushtetarët e nivelit të lartë  qendror dhe lokal në komuna.“Shpresoj se me ardhjen e Qeverisë ‘Haradinaj’ gjëra të tilla më nuk do të tolerohen dhe për të gjitha bizneset vendore dhe të huaja me politikat e reja fiskale të kësaj qeverie do të vijnë ditë shumë më të mira, ku shpresojmë se do të bëhemi një shtet ku do të dominon sundimi i ligjit”, ka potencuar Hoti.

Pasojat e falimentimit mund të jenë të rënda

Ndërsa bankieri Milazim Abazi tha për gazetën”Kosova Sot” se falimentimi i bizneseve është një dukuri normale dhe kjo ndodh në tërë ekonominë e tregut, kudo në botë. “Suksesi dhe dështimi janë pjesë e biznesit, ndërsa tregu është rregullator i përgjithshëm”. Ai është i mendimit se Qeveria dhe institucionet e tjera duhet që të angazhohen në formimin e një klime të tillë të biznesit që tregu të funksionojë normalisht, sipas ligjeve, e mos t’i krijojë askujt favore.“Është e rëndësishme që numri i bizneseve të reja të jetë më i madh se i atyre që mbyllen. Në ekonominë e tregut është shumë me rëndësi që bartësi i biznesit edhe në rastin e dështimit të pranojë falimentimin dhe të jetë kooperues me organet e ligjit që falimenti i tij të jetë me sa më pak pasoja për të tjerët” vlerëson ai. “Kur të falimentosh duhet që të bashkëpunosh me kreditorët tuaj në mënyrë që nga shitja e aseteve të shlyhen ata. Në Kosovë shpeshherë ndodh që afaristi nuk e pranon falimentin dhe sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke vazhduar dëmet ndaj të besuarve të tij”, potencoi Abazi.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’), për gazetën ”Kosova Sot” tha se sipas përvojave të deritanishme, pas falimentimit të bizneseve , mes së cilave ka edhe biznese fiktive të "disejnuara " për qëllime korruptive dhe enkas për grante, tendere, privatizime, shpëlarje parash... qëndrojnë edhe majat e larta politike e institucionale të Republikës së Kosovës

“Indikatorët e tjerë që po i detyrojnë bizneset të mbyllen janë edhe barrierat e lëvizjes së lirë nëpër tregjet e BE-së, pastaj taksat e larta komunale, mungesa e subvencioneve, shpenzimet më të larta se fitimet, monopolet e krijuara nga korporatat, burokracia për leje ndërtimi dhe licenca si dhe humbja e tregjeve”, potencoi Suad Berisha

 

“E keqja më e madhe është se asnjë nga qeveritë e derisotme nuk ka punuar sa duhet për krijimin e ambientit më të favorshëm për biznes”, theksoi Enver Hoti

 

“Është edhe krijimi i monopolit të kompanive të mëdha një arsye tjetër shumë me rëndësim, që vjen deri te falimentimi”, vlerësoi Fadil Berjani

 

(Kosova Sot)