Policia i jep goditjen e radhës Habilajve në Vlorë...dhe një 'kunjë' me Prokurorinë

  • 21 October 2017 - 10:11
Policia i jep goditjen e radhës Habilajve në Vlorë...dhe një 'kunjë' me Prokurorinë

Prokuroria për Krime të Rënda thotë se nuk ka pasur asnjë referim më herët nga policia për bandën e Habilajve, por blutë e Vlorës edhe këtë të shtunë kanë këmbëngulur se më 30 prill të 2017-ës, policia ka referuar në organin e akuzës materialet procedurale për grupin kriminal të Habilajve për aktivitetin në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj, tha se pas mega-operacionit të tre ditëve më parë në Babicë të Vlorës ku u zbuluan 4 ton kanabis në vilën që shërbente si baza ku grupi i Habiljave strehonte lëndën narkotike, aksioni vijon për të gjetur dhe sekuestruar të tjera sasi kanabisi të kësaj bande.

Ndërkohë, puna e policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, është fokusuar tashmë në sekuestrimin e pasurive të Habiljave, që dyshohet se janë vënë me të ardhura nga veprimtari kriminale. Kështu, në Vlorë policia ka referuar në prokurori materialet për sekuestrimin e 5 bizneseve të Habilajve, 5 automjeteve dhe një mjeti lundrues gomone. 

Policia thotë se do të vijojë puna për të bllokuar edhe llogaritë e mundshme bankare të këtij grupi kriminal.

Në Itali është arrestuar kreu i bandës Moisi Habilaj, ku në përgjimet e kryera nga autoritetet italiane del dhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kushërinj mes njeri-tjetrit. Për Tahirin prokuroria shqiptare është duke i kërkuar Kuvendit t’i heqë imunitetin e deputetit në mënyrë që ta arrestojë pasi e gjen të lidhur me trafikun e drogës. 

Deklarata e plote

Policia e Vlorës ka referuar në Prokurori, materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale", parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në vijim të Mega - Operacionit "Banda e Babicës",  të zhvilluar nga  Policia e Vlorës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe mbështetjen e Repartit Delta Forcë, ku u sekuestrua 4 ton Cannabis Sativa, armë gjahu, municion luftarak, mjet lundrues dhe u arrestuan dy shtetas, ju informojmë se:

Operacioni për identifikimin dhe kapjen e pjestarëve të bandës së Babicës, gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike që mund të jetë fshehur nga kjo bandë është në vijim.

Policia e Vlorës në sinkronizim të plotë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka vijuar kontrollet në disa objekte dhe prona në pronësi të vëllezërve Habilaj, për kapjen e pjestarëve të kësaj bande, por edhe sekuestrim të lëndës narkotike, pasi dyshohej se në këto objekte mund të kishte sasi të lëndës narkotike të fshehur.

Policia e Vlorës ka vijuar punën për identifikimin  dhe sekuestrimin e aseteve dhe pasurive që  rrjedhin nga kjo veprimtari kriminale ku ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të vëllezërve Habilaj, për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal "Pastrimi i produkteve të veprës penale", për 3 aktivitete biznesi, 5 automjete dhe një mjet lundrues.

Po në këtë kuadër po bashkëpunohet me Drejtorinë e Përgjthshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave për evidentimin dhe bllokimin e llogarive bankare të këtij grupi kriminal.

Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë edhe njëherë faktin se Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në datën 30 Prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet proceduriale për grupin kriminal të njohur si "Habilaj", pas informacioneve të siguruara për aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Gjithashtu, gjatë natës në vijim të operacionit dhe kontrolleve të ushtruara nga policia lokale Vlorë dhe FNSH Fier:
-       U kap një person në kërkim ndërkombëtarë, konkretisht shtetasi Fredi Hoxhaj, 42 vjeç, banues në fshatin Rromës, Bashkia Selenicë.

Ky shtetas është shpallur në kërkim Ndërkombëtar, nga Gjykata e Catanzaros, Itali për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Pjesmarrje në organizatë kriminale”.
-       Si dhe gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore dhe lokalet e natës, në një lokal nate u arrestua në flagrancë shtetasi Musto Kapaj, 26 vjeç, banues në fshatin Gjorm - Vlorë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” të parashikuar nga neni 279 i Kodit Penal, pasi ju gjetë me vete një armë e ftohtë, thikë.

Gjej rastin që në emër të Policisë së Shtetit të ftoj çdo qytetar që ka informacion apo konstaton veprimtari antiligjore të telefonojë falas në numrat 112 ose 129, duke u garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë dhe të ashpër.

(Kosova Sot)