Arrestimi i Tahirit, Prokuroria: Kemi prova të reja që e lidhin me trafikun e drogës

  • 21 October 2017 - 10:24
Arrestimi i Tahirit, Prokuroria: Kemi prova të reja që e lidhin me trafikun e drogës

Në vijim të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve dhe Rregulloreve, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar sërish që zhvillimi i seancës për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri të jetë me dyer të mbyllura.

Kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda Besim Hajdarmataj tha se faktet e reja që organi i akuzës ka mbledhur nga hetimet ditën e djeshme, përbëjnë sekret hetimor. Prokurori ka kërkuar të depozitojë këto prova të reja para deputetëve, ndërkohë që në mbledhje është parashikuar të bëhet mbrojtja e Tahirit nga avokati i tij Artan Hajdari.

“Kemi bërë disa veprime hetimore që e implikojnë deputetin Saimir Tahiri. Dje ne kemi marrë një pjesë tjetër të përgjigjes të ardhur nga autoritetet italiane,. Edhe këto përbëjnë sekret hetimor”, tha Hajdarmataj. 

Prokuroria kërkon arrestimin e Saimir Tahirit duke e akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës në bashkëpunim me bandën e Habiljave, kreu i të cilëve Moisi Habilaj, kushëri i largët me ish-ministrin e Brendshëm, u arrestua në Itali. 

Këshilli i Rregullores, mandateve dhe imuniteteve përbëhet nga 10 antarë: Gramoz Ruçi, Vasilika Hysi, Bledar Çuçi, Klotilda Bushka, Ulsi Manja si perfaqesues te PS, Eduard Halimi,  Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Dhurata Çupi si perfaqesues te PD dhe Nasip Naço i LSI.

(Kosova Sot)