Amerika bën thirrje për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pas dënimit të Mlladiqit

  • 22 November 2017 - 19:51
Amerika bën thirrje për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pas dënimit të Mlladiqit

SHBA i bëri sot thirrje shteteve dhe popujve të Ballkanit për të punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, pas dënimit me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-kreun e serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiq.

“Uashingtoni mbështet punën e rëndësishme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe respekton vendimet e saj”, deklaroi për median një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Ne do të vijojmë të përkujtojmë viktimat e krimeve çnjerëzore të kryera në Ish-Jugosllavi”, shtoi ai, duke bërë thirrje gjithashtu për të shmangur ‘’çdo retorikë përçarëse’’, përcjell Atsh.

Ratko Mlldiç, i cilësuar “Kasapi i Ballkanit” u shpall sot fajtor për gjenocid në enklavën e Srebrenicës, në Bosnje ku 8 000 burra dhe djem myslimanë u vranë në 1995. 

Më shumë se njëzet vjet pas konfliktit që shkaktoi më shumë se 100 000 të vdekur, ai gjithashtu u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

 (Kosova Sot)