Putin ndan me Erdoganin shqetësimin për vendimin e Trumpit për Jerusalemin

  • 07 December 2017 - 23:22
Putin ndan me Erdoganin shqetësimin për vendimin e Trumpit për Jerusalemin

Presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh sot shumë i shqetësuar pas vendimit të Donald Trump-it për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, duke i bërë thirrje palëve që marrin pjesë në konfliktin izraelito-palestinez të përmbahen dhe t’i drejtohen dialogut.

“Gjatë një bisede telefonike të zhvilluar sot në mbrëmje me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, Vladimir Putin deklaroi se është shumë i shqetësuar nga vendimi i Trump-it”, sipas një komunikate të Kremlinit.

“Këto lloj masash mund t’i bllokojnë rrugën prespektivave të procesit të paqes në Lindjen e Mesme”, njoftoi Kremlini duke shpallur të papranueshëm çdo përshkallëzim të tensioneve dhe duke bërë thirrje që të lehtësohet rifillimi i negociatave izraelito-palestineze.

“Rusia, anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe e Kuartetit (OKB, SHBA, BE, Rusi) për Lindjen e Mesme, kërkon një ekzistencë të sigurt dhe paqësore të Izraelit brenda kufijëve të njohur ndërkombëtarisht, si dhe realizimin e shpresës së popullit palestinez për krijimin e një shteti të tyre të pavarur”, kishte deklaruar më parë ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, përcjell Atsh.

Vendimi i shpallur të mërkurën nga Trump-i për të njohur zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe që të transferojë ambasadën e SHBA-së nga Tel Avivi drejt këtij qyteti ka shkaktuar një valë ndërkombëtare kritikash, me përjashtim të Izraelit.

(Kosova Sot)