Shteti po kapitullon, shoqëria në depresion

  • 10 December 2017 - 07:36
Shteti po kapitullon, shoqëria në depresion

Njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se ky vit që po e lëmë pas, i cili mbeti pa institucione në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit, do të mbahet mend si një vit të cilin e përmbyll Kosova me një ngecje të madhe në shumë fusha, prandaj ky është edhe një grusht i madh i politikës ndaj interesit publik, për çka qytetarët kanë rënë në depresion akoma më të thellë, pikërisht për shkak se nuk po shohin ardhmëri me këtë klasë politike të inkriminuar dhe mafio-oligarkinë dhe nëntokën që po e sundojnë në Kosovë. Tani qytetarët, sipas analistëve, janë bindur se të gjitha partitë politike në fakt po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si në nivelin qendror dhe atë lokal. Kjo bën që Kosova realisht të vazhdojë të rrëshqesë, ose veç ka rrëshqitur në duar të mafisë dhe e tërë klasa politike është në shërbim të mafisë, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës.

BE-ja kërkoi shkarkimin e dhjetëra pushtetarëve

 Analisti politik Gani Qarri vlerëson se kemi mbetur në vendnumëro."Edhe pse në vend çuditërisht kjo ende heshtet, të paktën ka më se 5-6 vjet që në perëndim flitet hapur se BE-ja kërkon me këmbëngulje nga Kosova shkarkimin e menjëhershëm të hiq më pak se 40 pushtetarëve dhe zyrtarëve më të lartë shtetërorë të inkriminuar si dhe vënien e tyre në bankën e të akuzuarve, në mënyrë që edhe vendit tonë përfundimisht t'i jepet drita e gjelbër, për heqjen e vizave dhe avancimin në drejtim të integrimit evropian", u shpreh ai. Sipas tij, këtë veprim, tash e atëherë, jo vetëm se nuk ka kush ta bëjë, por për aq më keq, as që flitet për këtë të vërtetë të hidhur."Ndaj, qytetarët e Kosovës vërtet ka kohë që janë lodhur nga kasta e tillë e politikanëve të inkriminuar, e duke pasur këto dhe shumë parregullsi të tjera parasysh, ata me të drejtë dhe arsye të plotë kërkojnë një alternativë tjetër politike dhe freskimin e politikëbërjes në vend me kandidatë të rinj, të cilët dëshmojnë qeverisje të ndershme e të sinqertë dhe nuk janë të përzier në korrupsion dhe krim të organizuar, përndryshe nuk u mbetet rrugëdalje tjetër, përveçse duke ikur nga vendi dhe mërguar sa më larg atdheut, fatkeqë- sisht", tha Qarri për "Kosova Sot". Ndërsa prof. Muhamet Kelmendi pohon se për të ndërtuar si duhet shtetin e së drejtës, për t'i dhënë shpresë qytetarit, duhet nisur nga kontrolli i ashpër i financave të partive politike, sepse financimi i partive politike është një çështje e cila duhet të kontrollohet më mirë nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës. Ai thotë se KQZ-ja ka për detyrë jo vetëm t'i marrë të dhënat financiare të partive politike, por dhe t'i analizojë financat e tilla, në mënyrë që financat të konstatohen se a janë burime që vijnë në rrugë ligjore apo nga veprimtaria ilegale. "Shikuar nga harxhimet e paritë politike i bëjnë, në tërësi, e sidomos gjatë fushatës elektorale, del që kapacitete financiare në Kosovë nuk janë të tilla që partitë e tilla të financohen legalisht dhe të kenë një bazë juridike të mjeteve financiare që ata i harxhojnë. Financimi nga shteti është shumë i ulët. Mbeti financimi nga bazat vullnetare të anëtarësisë. Anëtarësia nuk është një gjendje të mirë financiare, prandaj financat vijnë nga ndonjë burim tjetër", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, pa luftimin e oligarkisë ekonomike dhe mafiozëve Kosova nuk do të çlirohet.

Politika në shërbim të mafisë

 Po aq vlerësim negativ ka edhe analisti Ragip Guraziu. "Edhe në këtë vit, tërë klasa politike ishte në shërbim të mafisë, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës. Kosova realisht duke rrëshqitur, ose veç ka rrëshqitur në duar të mafisë dhe e tërë klasa politike është në shërbim të mafisë, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës dhe kjo s'do koment. Edhe në vitin 2017 qytetarët kanë rënë në depresion të thellë, pikërisht për shkak se nuk po shohin ardhmëri me këtë klasë politike të inkriminuar dhe mafio-oligarkinë dhe nëntokën që po sundojnë në Kosovë", u shpreh ai. "Janë bindur qytetarët se të gjitha partitë politike në fakt po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar si në nivelin qendror dhe atë lokal. Kosova realisht është duke rrëshqitur, ose veç ka rrëshqitur në duar të mafisë dhe e tërë klasa politike është në shërbim të mafisë, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës", tha Guraziu për "Kosova Sot".

Image

Lista e gjatë e dështimeve

 Analisti Skënder Mulliqi vlerëson se ky vit i mbrapshtë dhe me ngecje që po e përmbyll Kosova është vetëm edhe një numër më shumë që iu shtohet viteve të dështuara në qeverisjen e vendit për 17 vitet e kaluara."Radha është bukur e gjatë për t'i numëruar të gjitha dështimet e kësaj klase politike që 17 vjet. Edhe në këtë vit ishim dëshmitarë të dështimeve. Nga paperspektiva e krijuar po largohen masovikisht të rinjtë nga Kosova, sikur të ekzistonte platformë e posaçme për këtë temë. Arsimi ka mbetur shumë larg niveli të dëshiruar, nuk po programohen kuadro sipas nevojave të zhvillimit ekonomik të vendit. Shëndetësia moti ka kolapsuar nga njerëzit e papërgjegjshëm për këtë punë, sikur po na mungon përgjegjësia dhe morali, duke filluar nga nivelet komunale deri te niveli qendror", theksoi ai."Varfëria dhe papunësia në vend të zvogëlimit kanë shënuar përmasa enorme. Nuk kemi reformim në asnjë sistem të jetës dhe të punës. Drejtësia nuk është e nivelit të kërkuar, ende ka mbetur më shumë drejtësi selektive. Nuk po kemi investime dhe as investitorë të jashtëm si imediate për kapërcimin e krizës ekonomike. Kemi administratë shtetërore të stërngarkuar. Nuk patëm njohje të reja", vijoi më tutje Mulliqi për "Kosova SOT". Sipas tij, pamë gjatë këtij viti më shumë zënka të ndërsjella të kësaj garniture politike sesa punë, për çka janë edhe të thirrur ta bëjnë. Ndërkohë analisti politik Ali Hertica konsideron se për këtë rënie të madhe që po shënon vendi një pjesë të përgjegjësisë e bartin edhe qytetarët që po nënshtrohen dhe nuk po e ndëshkojnë këtë klasë politike të tej inkriminuar e të degraduar. "Përkeqësimi i situatës ekonomike dhe varfërimi i skajshëm i popullsisë ka qenë arsyeja që votuesi dhe qytetari përgjithësisht është dashur t'i vërë gishtin kokës për ta kuptuar se kungullin nuk duhet t'u shkojë gjithmonë përmbi ujë atyre që nuk çajnë kokën për varfërimin e këtij populli", theksoi ai."Deputeti që është përfaqësues i një grupi të madh qytetarësh në vend se të dërgojë në Kuvend mesazhin dhe kërkesat e votuesit të tij ai lufton për aspiratat partiake, duke harruar zgjedhësit e tij", ka thënë Hertica për "Kosova Sot".

Image

Manipulimi i shifrave

Me shpresa të thyera për shkak të politikës së tej inkriminuar po e mbyllin këtë vit Kosova dhe qytetarët e saj, edhe sipas analistit Dardan Grapci. "Kuptohet që qytetarët jo vetëm që kanë rënë në depresion, por si duket çdo gjë tani e kanë njësoj, edhe nëse dikush del dhe u thotë të vërtete ata nuk do të besojnë, sepse janë të ngopur nga fjalët pa vepra. Për këtë është fajtor politika me klasën e politikanëve të korruptuar dhe të inkriminuar me nëntokën", potencoi ai. "Shumica e qytetarëve nuk dëshirojnë me ditë se çka po ndodh me partitë apo kush po i financon ata, ajo se çka duan qytetarët janë vetëm punësimi dhe paga sa për të mbijetuar brenda një muaji, derisa ta marrë pagën e radhës, por ka edhe qytetarë që e dinë që partitë politike shumica nga to po financohen nga mafio-biznesmenët dhe me këtë po e kontrollojnë mendjen dhe jetën e qytetarit duke i vënë kushte p.sh. "nëse nuk bëhesh anëtar i kësaj partie do të të largojmë nga puna, ose nëse nuk voton për këtë parti s'do e marrësh pagën e këtij muaji", tha Grapci për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Mustafë Kadriaj pohon se si rezultat i të gjitha lëvizjeve manipulative që ndodhën në skenën politike në Kosovë, pikërisht po nga këto subjekte të cilat vetëm mbarë nuk dinë të mendojnë, duke ngritur kauza dhe çështje, të cilat për fat të keq ende munden me i shit në opinionin kosovar kanë bërë që Kosova ta mbyllë edhe vitin 2017 me bilanc negativ dhe mungesë perspektive për qytetarin. "Partitë politike, përveçqë ia kanë shtrënguar litarin qytetarit sikur nuk mjaftohen duke ndikuar edhe në agjenci të pavarura për ta manipuluar atë, sikur ishte Agjencia Statistikore ku Qeveria e kaluar që udhëhiqej nga LDK-ja trumbetonte për indeksin e zhvillimit ekonomik në rritje, për rritje edhe të investimeve të huaja dhe ulje të papunësisë, përderisa tani po del që raporti i fundit i ASK-së jep shifra për rritje të papunësisë për këtë vit", tha Kadriaj për "Kosova Sot". Sipas tij, i njëjti institucion për të njëjtin tregues brenda vitit jep raporte kundërshtuese, duke krijuar mosbesim të opinioni publik.

(Kosova Sot)