Avokati i Tahirit kërkon që atij t’i heqet ndalimi i lëvizjes jashtë vendit

  • 18 December 2017 - 15:42
Avokati i Tahirit kërkon që atij t’i heqet ndalimi i lëvizjes jashtë vendit

Avokati Maks Haxhia apeloi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda, që i ndalon ish-ministrit Saimir Tahiri daljen jashtë vendit.

Haxhia dorëzoi në apel kërkesën për ndryshimin e kësaj mase.

Tri ditë më parë, gjyqtarja Liljana Baku dëgjoi e pyeti edhe të dyshuarin Tahiri për vendimin në mungesë të shpallur në 9 dhjetor, që e ndalon të dalë jashtë vendit.

Gjatë seancës, Maksim Haxhia tha se nuk ka asnjë provë të re, sipas të cilave të kërkohej kjo masë në gjykatë, shkruan Top Channel.

Avokati kujtoi se nuk ekziston rreziku i ikjes përderisa rezulton se Saimir Tahiri ka dalë jashtë vendit dhe është kthyer sërish.

Në fakt, në një pikë ishte dakord me mbrojtjen edhe prokurori, i cili tha se përderisa Tahiri është deputet i Kuvendit, ai nuk është i rrezikshëm, e rrezikshme është vepra për të cilën ai dyshohet, u shpreh Gentian Osmani.

Për dy episode, atë të përgjimeve ambientale në Itali, ku Habilajt lakojnë emrin e Saimir Tahirit për dhurata dhe për patentat e gjetura në mjetin e Orest Sotës, ish-ministri tha: “Nuk kam asnjë tromaksje sa i takon dy patentave që janë gjetur në makinë dhe që dy persona flasin për emrin tim. Unë nuk do doja t’ ju shikoja ju apo këdo tjetër këtu vetëm sepse gjenden patenta pa patur asnjë provë tjetër. Kështu janë përmendur edhe emra gjyqtarësh, madje i kryetarit të Gjykatës së Lartë për t’u korruptuar”.

(Kosova Sot)