Kadri Veseli dhe Pacolli shtyhen kush e arriti Marrëveshjen e Demarkacionit, Limaj falënderon të gjithë

  • 24 February 2018 - 21:31
Kadri Veseli dhe Pacolli shtyhen kush e arriti Marrëveshjen e Demarkacionit, Limaj falënderon të gjithë

Kadri Veseli dhe Behgjet Pacolli kanë nisur një garë se kush e arriti Marrëveshjen e re të Demarkacionit e cila do të votohet të mërkurën. Veseli ka thanë se pajtimi ka ardhur pas bisedimeve me Haradinajn dhe Avdullah Hotin. Ndërsa Pacolli ka thënë se marrëveshjen e ka arritur me Haradinajt. I ka dhënë merita edhe Fatmir Limajt. Ky i fundit i ka falënderuar të gjithë për akordimin e ri që i hapë rrugë liberalizimit të vizave.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në orët e vona të së shtunës, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku zyrtarizoi arritjen e konsensusit politik me LDK-në në lidhje me çështjen e projektligjit për demarkacion me Malin e Zi.

Por, ajo që po bije në sy më së shumti është “lufta” me deklarata mes Kadri Veselit dhe Behgjet Pacollit. Të dy po mundohen që ta marrin merita se kush e arriti Marrëveshjen e Demarkacionit.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, me një status në profilin e tij në Facebook, ka thënë se  marrëveshjen e arritur sot e ka bërë pas bisedave që kam pasur me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

“Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit”, ka shkruar Veseli.

Kurse,  zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se kanë arritur marrëveshje mes partive politike në qeveri duke përfshirë edhe LDK-në, lidhur me votimin pro të demarkacionit në seancën e së mërkurës.

“Ramë dakord që të heqim dorë praktikisht vetëm në një fjali në tekstin që e ka rënduar tërë situatën. Kjo fjali është që raporti i Bulliqit, do të jetë pjesë e Ligjit, por do të shërbejë vetëm si dokument informativ.  Ka qenë me rëndësi që të gjendet një konsensus tek partitë shqiptare, do të thotë mes LDK-së, dhe po e quajë kështu koalicioni qeverisës, sigurisht mbetet një punë për të bërë me deputetët e tjerë, dihet se mungojnë edhe dy tri vota, por është një atmosferë pozitive dhe nuk do të jetë problem të sigurohen edhe dy apo tri vota ”, ka thënë Pacolli.

Fatmir Limaj ishte marrë më së gjati për të gjetur një zgjidhje për demarkacionin. Kishte realizuar vizita edhe në Mal të Zi larg mediave. Kishte arritur t’i bindte liderët e Kosovës se duhet të arrijnë një pajtim për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit që ishte arritur më 2015.

Megjithëkëtë, Limaj ende nuk ia ka lënë asnjë meritë vetes. As sot kur e kanë marrë aprovimin e Haradianjt për të përfillur kërkesën e LDK’së që në marrëveshjen e re të Raporti i Shpejtim Bulliqit të jetë vetëm informues.

Kryetari i NISMA’s i ka falënderuar të gjithë për arritjen e marrëveshjes së re të demarkacionit që pritet të votohet të mërkurën.

“I falënderoj të gjitha forcat politike që përmes dialogut kemi ardhur deri të vendimi i përbashkët për të votuar demarkacionin. Lë të na shërbeje kjo si shembull se vetëm përmes dialogut, transparencës dhe respektit dhe duke pasur në qendër interesin e vendit ne se bashku mund t’i tejkalojmë me sukses edhe shumë sfida që na presin. Java e ardhshme do t’i sjellë Kosovës, shumë lajme  të mira të cilat kanë munguar për vite”, ka shkruar Limaj pasi është arritur marrëveshja.

(Kosova Sot)