Drejtësia nën kthetrat e politikës së inkriminuar

  • 16 April 2018 - 07:55
Drejtësia nën kthetrat e politikës së inkriminuar

"Amerika kishte fat se kishte burrështetas të pastër dhe patriotë që e donin Amerikën dhe e donin forcimin e ligjit dhe shtetit, kishte fat se kishte edhe FBI-në e pastër, si organ hetues federal, derisa fatkeqësisht Kosova nuk ka politikanë të pastër, me peshë, që mund të ndikojnë në sundim të ligjit. Fatkeqësisht, Kosova nuk ka FBI që mbron ligjin dhe shtetin e Kosovës, por Kosova ka një AKI që i shërben privatisht Hashim Thaçit dhe disa të tjerëve", është shprehur analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot"

Duke parë dhe analizuar se sa fuqishëm është i ndikuar sistemi i drejtësisë në vend nga politika, njohësit e kësaj fushe dhe analistët politikë vlerësojnë se pa ndryshime rrënjësore në politikë dhe pa pastrim të plotë të sistemit nga servilët e politikës ky sistem aktual i drejtësisë assesi nuk mund të jetë efektiv dhe i pavarur, assesi nuk mund t'i shmanget kontrollit nga politika korruptive dhe e inkriminuar. Pra, sipas njohësve të kësaj fushe, me këtë përbërje të sistemit të drejtë- sisë kurrë nuk do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni i pushtetarëve në të gjitha pushtetet dhe nivelet, por vetëm do të mbyllen dosjet e tyre njëra pas tjetrës, duke bërë kështu edhe avokatinë e mbrojtjen e të inkriminuarve të pushtetit dhe mafio-oligarkisë kriminale! Prandaj, ata theksojnë se kështu sikur e kemi, nuk ka se çfarë i duhet Kosovës një sistem drejtësie i instaluar që amniston nga përballja me drejtësinë krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike, kontrabanduesit dhe nëntokën kriminale, por ky duhet të ndryshohet me urgjencë, duhet të pastrohet përmes procesit të VETTING-ut. Ndryshe, kështu si po keq funksionon në dëm të drejtësisë profesionale, analistët dhe njohësit e fushë së theksojnë se është një njollë e zezë për shtetin e Kosovës se si po bashkëjetojnë drejtësia e politika "në një shtrat të krimit të organizuar", të korruptuar për interesa të tyre të përbashkëta kriminale! Ata mbeten të shqetësuar dhe me të drejtë pyesin se deri kur do të tolerohet në Kosovë nëntoka në të cilën bëjnë pjesë disa familje mafioze të organizuara dhe klane kriminale, që do të kenë në duart e tyre shtetin e Kosovës, përfshirë edhe tërë sistemin e drejtësisë, për qaka tanimë Kosova po i ngjan kohës së sundimit të Al Kaponës, Nostres, Pablo Eskobarit etj.,ku të fortët dhe nëntoka e bëjnë ligjin, ngase edhe "de-fakto" janë mbi ligjin e Kushtetutën e vendit

Drejtësia e asgjësuar

Një gjykim të tillë, të saktë, e jep njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari. "Kosova ngjan shumë në qytetin amerikan të Çikagos, të viteve 1930-1945, para dhe pas luftës së Dytë Botërore, por si qeveria qendrore si qeveria lokale u kacafytën me mafinë dhe duke iu falënderuar edhe FBI-së u mund krimi i organizuar, mafia e cila fshihej pas sindikatave të punëtorëve. Edhe gjatë luftës fshihej kinse edhe pas patriotizmit. Siç ishte rasti i bosit të mafisë, Qarli Luçano. Por, Amerika kishte fat se kushte burrështetas të pastër dhe patriotë që e donin Amerikën dhe e donin forcimin e ligjit dhe shtetit, kishte fat se kishte edhe FBI-në e pastër si organ hetues federal, derisa fatkeqësisht Kosova nuk ka politikanë të pastër, me peshë, që mund të ndikojnë në sundim të ligjit. Fatkeqësisht Kosova nuk ka FBI që i mbron ligjin dhe shtetin e Kosovës, por Kosova ka një AKI që i shërben privatisht Hashim Thaçit dhe disa të tjerëve. E kjo bën që fatkeqësisht AKIja jonë në vend që të mbrojë ligjin dhe shtetin nga agresioni i hapur serbo-rus, ajo bëhet pjesë e serialeve turke me gylenistët që në njëfarë mënyre i kidnapon dhe i shet shtetasit e huaj, por edhe të vetët, në vend që të mbrojë shtetin tonë nga mafia politike dhe e konspiracionit ndërkombëtar", theksoi Miftari për "Kosova Sot". Sipas Skënder Kapitit, derisa në Kosovë nuk ndodh VETTING-u, situata do të vazhdojë të jetë e tillë, pa sundim efikas të ligjit dhe me drejtësi të padrejtë për qytetarin, që mbron krimin dhe korrupsionin e lidhur me politikën."Fatkeqësisht shteti në Kosovë është kapur nga politika e krimit dhe e korrupsionit. Shteti i tillë është një shtet abstrakt dhe si i tillë është shumë larg, i paarritshëm dhe që nuk u shërben qytetarëve të Kosovës, por vetëm mafio-oligarkisë. Këtu së pari është asgjësuar drejtësia përderisa shteti "abstrakt" dhe pseudo-ligjor është mjet, i cili i shërben qëllimit dhe përdorimit të tij si mjet avantazhi, abuzimi, krimi, vjedhjeje dhe korrupsioni, nga ana e pushtetit politik, qeveritar qendror e lokal, si dhe nga gjyqësori. Kur themi shteti kuptohet se është fjala edhe për drejtësinë, sepse shteti krijohet vetëm se shoqëria ka nevojë për drejtësi, prandaj kur e përdor konceptin shtet duhet që të kemi parasysh drejtësinë. Shteti dhe drejtësia nuk duhet të jenë pronë e korrupsionit, e krimit, as e politikës dhe as e atyre të "fortëve", siç është në Shqipëri dhe në Kosovë. Në një shtet me drejtësi të tillë si vetë shteti kalërojnë të gjitha të këqijat sociale, si krimi, korrupsioni, papërgjegjshmëria, kontrabanda, varfëria, papunësia, krimi i organizuar dhe sidomos padrejtësia", theksoi Kapiti për "Kosova Sot". Në një situatë të tillë, sipas Kapitit, kjo gjendje favorizon vetëm mafio-oligarkinë, e cila është e interesuar më së shumti për një gjendje të tille, pasi kështu ajo bëhet sundimtare e "xhunglës", ku ligjin e bën më i forti dhe më i forti është ai i cili nuk ka frikë se ndëshkohet nga ligji, përderisa ligjin e ka dhe e bën vetë ajo, pra antiligji i më të fortëve, pra oligarkia e krimit dhe e korrupsionit. "Gjendja në Kosovë është kjo, sepse pushteti, politika dhe drejtësia i ka veshur me fuqi dhe me pushtet pikërisht ata individë të cilët nuk e dinë se përse janë aty dhe të cilët bëjnë çfarë të duan me demokracinë ,me ligjin, me pushtetin dhe me detyrën shtetërore që ata e kanë marrë", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

Politika e inkriminuar e ka politizuar çdo institucion publik

Analisti politik Hidajet Ahmeti thekson se për të vlerësuar mirë dhe analizuar rrënjësit drejtësinë kosovare, që të hetohet se sa thellë është e lidhur më politikën e inkriminuar, më së miri flet rasti i fundit i gjëja ngritje s së aktakuzave për aferën 'Pronto'. "Sikur që e vërejtëm së fundi, afera "Pronto" është shembulli më i mirë i dëshmimit besnik të kapjes së sistemit të drejtësisë në vend. E themi këtë pasi që zvarritja e një skandali të tillë nga drejtësia nuk është gjë tjetër veçse shpërfaqje e kapjes së thellë të këtij sistemi. Tani përmes këtyre aktakuzave, që konsideroj se edhe ashtu janë të vonuara, dyshoj shumë se do të mund të kemi një përfundim të dëshiruar nga qytetarët për këtë skandal dhe aferë të bujshme. Konsideroj se përmes këtyre veprimeve sipërfaqësore gjyqësori po mundohet vetëm që të krijojë perceptimin tek qytetarët e painformuar sa duhet se po punohet në drejtim të përmirësimit të imazhit dhe kredibilitetit të humbur skajshmërisht në drejtësi që nga paslufta e deri më sot. Unë konsideroj se hierarkia kriminale është ndërtuar në mënyrë sistematike, të orkestruar dhe duke funksionuar brenda hallkës zinxhirore të krimit. Politika e inkriminuar ka politizuar çdo institucion publik të ashtuquajtur 'institucione publike të pavarura', duke ndërtuar komoditetin për komunitetin e tyre, krejt falë ndërtimit të institucioneve, e posaçërisht njerëzve super të dëgjueshëm që udhëheqin institucionet e rëndësishme publike. Kjo lidhje kriminale e njerëzve të pushtetshëm kanë krijuar një anarki totale në institucionet kyçe të shtetit. Krimi më i madh i pasluftës ka ndodhur falë institucioneve të drejtësisë që janë kapur nga pushtetet e pasluftës, duke amnistuar çdo veprim kriminal të pushteteve të pasluftës", tha analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".

Këtu së pari është asgjësuar drejtësia, përderisa shteti "abstrakt" dhe pseudo-ligjor është mjet, i cili i shërben qëllimit dhe përdorimit të tij si mjet avantazhi, abuzimi, krimi, vjedhjeje dhe korrupsioni nga ana e pushtetit politik, qeveritar qendror e lokal, si dhe nga gjyqësori. Kur themi shteti kuptohet se është fjala edhe për drejtësinë, sepse shteti krijohet vetëm se shoqëria ka nevojë për drejtësi, prandaj kur e përdor konceptin shtet duhet që të kemi parasysh drejtësinë. Shteti dhe drejtësia nuk duhet të jetë pronë e korrupsionit, e krimit, as e politikës dhe as e atyre të "fortëve", siç është në Shqipëri dhe në Kosovë", është shprehur analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot"