Informaliteti mbush xhepat e mafio-oligarkëve, zbraz arkën e shtetit

  • 19 April 2018 - 08:29
Informaliteti mbush  xhepat e mafio-oligarkëve, zbraz arkën e shtetit

Ekonomia kosovare shënon vetëm regres

Beqiri: Buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kontrabanda dhe evazioni fiskal

Bazuar në Raportin e Progresit, që flet edhe për fushën e ekonomisë, kritika më e madhe që vjen ndaj Qeverisë "Haradinaj" është se Kosova nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Raporti e tërheq vërejtjen se ekonominë, edhe ashtu të brishtë të Kosovës, po e gërryen ekonomia informale dhe kontrabanda, e cila nuk do të mund të ishte e tillë, nëse politikanët e pushtetarët nuk kanë interesat evidente të tyre në biznese të kundërligjshme e mafioze, të cilat u mundësojnë qëllimisht për t'u ikur taksave, sepse më lehtë përfitojnë në këtë mënyrë te kundërligjshme. Analistët pyesin se përse Qeveria nuk ndërmori asnjë veprim, edhe pas akuzave publike që vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i adresoi në dhjetorin e vitit të kaluar për kontrabandën që po bëhet prej vitesh. Sipas Halitit, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kane akcizë, si janë cigaret, nafta,alkooli dhe të tjera. "Z. kryeministër, t'u kisha lut' me i kontrollue Doganat e Kosovës, jo me kamera, po me mekanizma më seriozë e të besueshme, që të kontrollohen për mallrat që hyjnë në kufi, e që kur ato hyjnë ilegalisht nëpër kufi, po ndalen kamerat, duke e ngritur trarin e kalimit të kontrabandës. Cigaret, alkooli, e sidomos nafta, janë kontrabanda më e madhe që po e gërryejnë përtokë buxhetin e Kosovës", ishte shprehur deputeti Haliti në Kuvendin e Kosovës. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetës, se çka thotë Qeveria dhe çka Doganat e Kosovës për këtë çështje, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Fiskalizimi duhet të përmbyllet

Eksperti i Integrimeve Evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri thotë për "Kosova Sot", se Qeveria e Kosovës duhet të organizohet më mirë që ta luftojë evazionin fiskal dhe kontrabandën, pasi shkalla e ekonomisë informale ende mbetet e lartë në vendin tonë. "Policia e Kosovës, së bashku me Doganën, duhet të koordinohen në shkallë më të lartë në veprimet e tyre të përbashkëta për luftimin e kësaj dukurie. Rritja e oficerëve doganorë dhe inspektorëve do të rriste kapacitet brenda ATK-së dhe Doganës, në mënyrë që të rritet efiçienca gjatë operimit të këtyre institucioneve", u shpreh ai. "Pajisja me arka fiskale e të gjitha bizneseve do të mundësonte uljen e theksuar të ekonomisë informale, dhe njëkohësisht do të mundësonte edhe rritjen e arkës së shtetit. Institucionet e vendit duhet të zotohen gjithashtu edhe për bashkëpunim rajonal me vendet fqinje për të qenë më të suksesshëm në luftimin e kontrabandës", theksoi Shaqiri. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për " Kosova Sot ", tha se Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të veprojë pas akuzave që i ka dhënë vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. "Mendoj që për 15 vjet Kosova ka qenë dhe është tranzit për kontrabandën ilegale, jo vetëm për duhan apo alkool, por edhe për kontrabandë me prodhimet ushqimore ku shumë nga këto produkte jo që po hyjnë ilegalisht, por janë edhe me afate të skaduara dhe të prishura, ku pastaj qytetarët po bëhen viktima të lloj-lloj sëmundjesh dhe viruseve", theksoi ai. "Vetëm me kamera nuk mund të kontrollohet Dogana e Kosovës, por duhet që të pajisen edhe me qen specialë, që janë të trajnuar për këso rastesh dhe që të bëhet në mënyrë manuale kërkimi i ndonjë dyshimi gjatë kontrollimit të kamionëve dhe maunave që hyjnë në territorin e Kosovës", vijoi më tej Grapci. 

Qeverisje korruptive dhe skandaloze

Ekonomisti Mustafë Kadriaj, për " Kosova Sot ", tha se Raporti i Progresit nuk mund të jetë pozitiv për Kosovën dhe nuk është aspak befasuese, sepse Raporti krijohet në bazë të të dhënave në terren dhe këto të dhëna tregojnë për evazion fiskal,korrupsion të zyrtarëve në të gjitha nivelet dhe si rezultat po dëmtohet qytetari dhe perspektiva e Kosovës. "Me këtë nivel të korrupsionit, Bashkimi Evropian nuk jep dritë të gjelbër për Kosovën, sepse në bazë të raportit bëhet agjenda për shtetet, kështu që Kosova ende është larg për agjenda serioze të BE-së", u shpreh ai. "Nuk ka mundësi që të jetë Raporti pozitiv, kur në Dogana ndalen kamerat dhe kalohet gjithçka duke dëmtuar buxhetin përmes evazionit fiskal si edhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarit. Me këtë nivel qeverisës dhe me këtë kryeministër nuk priten ditë të mira për perspektivën e Kosovës në raport me BE-në", theksoi Kadriaj. "Me një kryeministër që në çdo deklaratë të krijon neveri dhe të bën me u ndie keq që në duart të kujt është shteti i Kosovës dhe me këtë edhe e rrit dozën e pesimizmit", vijoi më tutje ai. "Për fat jo të mirë, ky kryeministër ia ktheu orën prapa perspektivës së Kosovës, të vetmen punë të mirë që do ta bënte kryeministri, nëse ka pak ndërgjegje dhe ia do të mirën Kosovës, duhet të japë dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare", ka vlerë- suar Kadriaj. 

Ekonomia drejt rrënimit

Analisti Ragip Guraziu, për 'Kosova Sot", tha se jo rastësisht, kritika më e madhe që vjen nga Raporti i Progresit flet për fushën e ekonomisë, që na tregon se Qeveria e Kosovës nuk e ka shtuar luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. "Është ekonomia informale dhe kontrabanda fajtori kryesor që po e gërryen ekonominë e brishtë të vendit tonë, e cila nuk do të mund të ishte e tillë, nëse politikanët e pushtetarët nuk kanë interesa evidente të këtyre bizneseve të kundërligjshme e mafioze, të cilat i lënë qëllimisht dhe po u mundësojnë për t'u ikur taksave, sepse më lehtë përfitojnë në këtë mënyrë të kundërligjshme", u shpreh ai. "Jam shumë i habitur se qysh Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar urgjentisht pas akuzave që i ka bërë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që pati deklaruar se po kontrobandohen, sidomos cigaret,alkooli, nafta, që si mallra me akcizë po e gërryejnë përtokë buxhetin e Kosovës", vlerësoi Guraziu. "Këto dukuri negative, që po e përgjysmojnë buxhetin e vendit, nuk do të ndalen, përderisa të vijë në pushtet një gjeneratë e re me duar të pastra", tha më tej ai.

Veriu, jashtë kontrollit tatimor

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës. "Rreth 30-38 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk u bindet ligjeve të Republikës së Kosovës", u shpreh ai. "Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale. Sipas disa analizave, buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kjo veprimtari, ende shumë kompani nuk janë fiskalizuar, në vendet rurale nuk ka një vullnet për të paguar tatimin, gjithashtu komuniteti serb është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë kosovare, siç dihet ata ende vazhdojnë që valutë zyrtare të kenë dinarin serb, dhe nuk respektojnë asnjë ligj të shtetit", potencoi Beqiri. "Vetëm në vitin 2017, sipas ATK-së, për shmangie tatimore apo evazion fiskal janë realizuar 667.014.00 euro, pa ndëshkime dhe interesa. Raporti i Progresit 2018 ka specifikuar qartë mangësitë në kriteret ekonomike, në mesin e tyre edhe ekonomia informale dhe evazioni fiskal", theksoi ai

Projektet kapitale u harruan

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Ali Lajçi, për " Kosova Sot", tha se kjo dukuri po përcillet që nga pas lufta, ngase sistemi i kontrolleve të shtetit ka qenë shumë i dobët, sidomos Qeveria me dikasteret e saj. "Evazioni është evident dhe po reflektohet në zbrazje të arkës së shtetit, por informaliteti kalon në shumë fusha dhe sot jemi të mbuluar me një informalitet të shumëfishtë", theksoi ai. Lajçi, tha se sot kemi invazion nga tregu i jashtëm, kemi një mungesë të kontrollit të cilësisë, derisa projektet shtetërore qeveritare kanë kaluar në projekte të tenderomanisë dhe strukturave të veta klienteliste partiake. "Kurse janë harruar projektet shtetërore kapitale, që e çojnë para zhvillimin ekonomik të shtetit. Ka mangësi të funksionimit të shtetit ligjor dhe sikur ta kishin këtë shumë më vështirë do të mundej të funksiononte hajnia e informaliteti, sepse do ta luftonin këtë", ka vlerësuar Lajçi. Sipas tij, pushtetarët tanë nuk po krijojnë infrastrukturë ligjore, që t'i zënë kontrabanduesit dhe në mungesë të shtetit ligjor kemi krim të organizuar korrupsion informalitet dhe evazion fiskal.

(Kosova Sot)