Treni përplaset me kamionin, 2 të vdekur
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Itali gjatë natës së shkuar. Një tren i linjës rajonale Torino-Irvea -Aosta është përplasur me një automjet të tipit Tir rreth orës 23.30 të natës së shkuar.
Aksidenti ka shkaktuar 2 viktima njëri prej të cilëve është makinisti i trenit, e rreth 20 të plagosur, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të komunës Caluso, në zonën e quajtur Area, e në një kalim hekurudhor me nivel.
Sipas hetimeve të para, automjeti i tipit Tir i nisur nga Republika Çeka e që transportonte kontejnerë ka hyrë në kalimin hekurudhor duke shembur traun pengues dhe pse semafori sinjalizonte mbërritjen e trenit. Treni është përplasur fuqishëm me automjetin Tir dhe tre prej vagonave të tij kanë dalë jashtë shinave.
Dy viktimat janë makinisti i trenit Roberto Madau, 61 vjeç, dhe një nga personat që shoqëronte ngarkesën që transportonte automjeti Tir.
(Kosova Sot)