Neziraj:Këto mjete duhet të përdoren për projekte të mëdha zhvillimore

  • 25 May 2018 - 20:53
Neziraj:Këto mjete duhet të përdoren për projekte të mëdha zhvillimore

Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se është për t'u përshëndetur iniciativa e qeverisë 'Haradinaj' që paratë e privatizimit të jenë pjesë e buxhetit të vendit."Por, kjo qeveri duhet që në këtë mandat qeverisës të përmbyllë procesin e privatizimit, duke i eliminuar të gjitha parregullsitë që e kanë përcjellë këtë proces. Gjithashtu në këtë mandat katërvjeçar duhet të përfundojë edhe likuidimi i Ndërmarrjeve Shoqërore, si parakusht për kthimin e të gjitha mjeteve të Fondit të Privatizimit dhe aktivizimit të këtyre mjeteve në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit", theksoi ai."Qeveria duhet që të marrë vendim që këto mjete të destinohen vetëm për ndërrimin e strukturës së ekonomisë së vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Këto mjete dhe mjetet e tjera si ato të Trustit Pensional të investohen në ekonominë tonë, në punësimin, sidomos të të rinjve, që të stimulohet me të gjitha format e politikave makroekonomike e fiskale, kreditore, me qëllim të zhvillimit më të hovshëm ekonomik", theksoi ai. "Këto mjete duhet të përdoren për projekte të mëdha zhvillimore, sidomos në fushën e prodhimtarisë të atyre produkteve, ku vendi ynë ka potencial dhe kapacitete", sugjeron analisti Neziraj.

 

 

(Kosova Sot)