Grevat mund t`i paralizojnë institucionet - Lajme - Kosova Sot
Grevat mund t`i paralizojnë institucionet

Grevat mund t`i paralizojnë institucionet

QEVERITARËT PO NGULFATEN NGA "MAJMËRIA", POPULLI PO ZHYTET NË VARFËRI

Canolli: Qysh ia rrit pagën vetes kryeministri në 3000 euro kurse qytetari duhet të mbijetojë me 75 euro pension?!

"Vetë ngritja e pagave për gjithë sistemin normativ, ashtu edhe atë qeveritar, për atë pjesën e interesit të ngushtë klientelo-politik, ka ndikuar shumë në rritjen e mosbesimit dhe fillimin e tendencave për rebelimin edhe të sferave të ndryshme, të të gjithë sektorëve të nëpunëse që financohen nga linjat buxhetore shtetërore. Paralajmërimi i sindikatave për greva të përgjithshme natyrisht se do ta ngufasë funksionimin e brendshëm institucional, këtë në mënyrë indirekte, por mbase edhe direkt, por këtë me veprimin e vet të pamatur e ka iniciuar vetë Qeveria, me në krye kryeministrin Haradinaj", thotë analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot"

BADALLAJ: NË CILIN VEND TË BOTËS NDODH KJO, QË QEVERIA I RRIT RROGAT PËR VETE DHE POPULLIN E LË NË RRUGË?!

Analisti politik Reshat Badallaj thekson se, duke parë provokimin që iu bë shtresave të tjera të nëpunësve në institucionet e shtetit me ngritjen arbitrare të pagave nga ana e kryeministrit, u dëshmua katërçipërisht se kjo përbërje politike e administrimit të shtetit nuk është qeveri në kuptimin e mirëfilltë. "Kjo është një bandë shumë e rrezikshme plaçkitëse e popullit. Askund në botë nuk rritet 100% paga si e bëri kjo bandë banditësh. Le ta thotë dikush se në cilin vend të botës ndodh kjo që qeveria rrit rrogat për veten e tyre dhe popullin e lë në rrugë ku papunësia është me e madhja në Evropë. Ose po i marrim shembuj vendet e rajonit. Banditi i bandës së Qeverisë së Kosovës, pagën e vet e ka më të madhe se të gjithë kryeministrat e rajonit. Mendoni vetëm këtë sa e ka pagën kryeministri i Kroacisë dhe sa është e zhvilluar si shtet krahasuar me Kosovën. Dhe, banda kuislinge e Qeverisë së tyxharëve të Kosovës në kohën e kaluar e goditi shumë rëndë buxhetin e Kosovës. E gjithë Kosova duhet ngritur në këmbë dhe duhet bërë grevë për ta shporrur këtë bandë hajdutësh që po punon vetëm për interesa të tyre personale për të trashur xhepat e tyre dhe e fusin popullatën në fukarallëk të skajshëm. Rritja e pagave 4% në sektorin civil është vetëm një mashtrim e llojit të bandës së tyxharëve të qeverisë kuislinge, hajdutëve të Kosovës. Kjo nuk është gjë tjetër pos tallje me popullin", është shprehur Badallaj për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova për të shpenzuar nga këta hajdutë duhet të ngrihet në protesta paqësore, njëkohësisht të shpëtohet edhe buxheti i shtetit."Pra, e vetmja rrugë për të ndalur hovin e këtyre banditëve dhe hajnave që tallen me popullin dhe që e quajnë veten qeveri është që populli duhet ta japë fjalën e vet këmbëngulëse duke i larguar hajdutët e që e ka emrin e vetëquajtur qeveri", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". 

HERTICA: BUXHETI I SHTETIT ËSHTË DËMTUAR JO VETËM ME NGRITJEN E PAGAVE

Edhe sipas analistit Ali Hertica, politika është provokimi më i madh që u është bërë qytetarëve nga kjo qeveri, por madje edhe sektorëve veç e veç në administratën e shtetit."Këtë vit kryeministri Haradinaj ua ka dyfishuar pagën vetes, ministrave dhe prokurorëve, ku edhe ka bërë zotimin që do të jetë qershori muaji kur do të dalë para Parlamentit me miratimin e Ligjit për pagat". Mirëpo ai thotë se ligji mbeti vetëm fjalë në erë, prandaj ka rrezik që diskriminimi në paga të shpërthejë në pakënaqësi të mëdha gjithandej institucioneve të tjera dhe të paralizojë jetën dhe punën në administratë. "Por, sipas agjendës sa po vërej në qershor po shkon kabineti qeveritar në pushime. Sikur që dihet, buxheti i shtetit është dëmtuar jo vetëm me ngritjen e pagave, por kryeministri Haradinaj pati marrë edhe dy vendime tjera në dëm të buxhetit, kur Haradinaj fali dy borxhe të mëdha milionëshe vetëm pse "iu tek", siç thoshte vetë, duke e injoruar kështu tërësisht që në veprimin e tij të parë klasën punëtore dhe varfërinë e saj, derisa qeveria dhe qeveritarët sikur po ngulfaten nga "majmëria". Pra, nuk është e pritshme që tani të stabilizohet gjendja dhe të rregullohet e nivelizohet çështja e pagave, pasi që edhe Parlamenti i Kosovës mund të shkojë në korrik dhe gusht në pushime dhe ligji nuk do të bëhet për shkak të vonesës në aspektin procedural. Përndryshe vendimi i kryeministrit është skandaloz, ai po ndikon skajshmërisht në humbje të vullnetit për punë të punëtorëve të zakonshëm të stafit të ulët të administratës. Kryeministri me skandalin e tij dhe të gjithë kabinetit qeveritar ka shkelur pa kurrfarë dhimbje mbi shumicën e klasës punëtore, prandaj qytetarët po vazhdojnë të irritohen dhe të shfaqin mosbesimin e tyre dita-ditës ndaj kësaj qeverie", është shprehur analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot".

"Ngritja e pagave për gjithë sistemin normativ, ashtu edhe atë qeveritar, për atë pjesën e interesit të ngushtë klientelo-politik, ka ndikuar shumë në rritjen e mosbesimit dhe fillimin e tendencave për rebelimin edhe të sferave të ndryshme, të të gjithë sektorëve të nëpunëse që financohen nga linjat buxhetore shtetërore. Paralajmërimi i sindikatave për greva të përgjithshme natyrisht se do ta ngufasë funksionimin e brendshëm institucional, këtë në mënyrë indirekte, por mbase edhe direkt, por këtë me veprimin e vet të pamatur e ka iniciuar vetë Qeveria, me në krye kryeministrin Haradinaj, prandaj duhet dhe meriton të ndëshkohet", theksoi analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Greva e të punësuarve të sektorit publik në sistemin e drejtësisë po bëhet në shenjë të pakënaqësisë për rritjen e pagave për drejtuesit e Qeverisë, gjykatësit dhe prokurorët, që u bë për afro 100 për qind, ndërsa vetëm 4 për qind për shërbyesit civilë. Analistët politikë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe qytetarë e sindikalistë, theksojnë se kjo grevë po e dëmton edhe ashtu sistemin e brishtë dhe të inkriminuar të drejtësisë, por se gjendja mund të bëhet akoma më alarmante nga fakti setanimë kanë paralajmëruar greva për muajt që vijnë edhe subjektet e tjera sindikale dhe sektorët e tjerë publikë, duke kërkuar rritjen e pagave, siç ua rriti qeveria vetes dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas analistëve, kulmi i kësaj pakënaqësie po akumulohet tani, pasi që Qeveria vetë e nisi, për qejf të vetin, rritjen e pagave 100% dhe tani po hesht, nuk po reagon për grevat dhe paralizimin e institucioneve të drejtësisë. Ky lloj veprimi nga analistët, deputetët dhe qytetarët konsiderohet edhe një provokim nga Qeveria me pakënaqësitë që ka sjell me vendimin e saj për t'ia rritur pagën vetes, edhe atë jo më pak se 100%! Nëse nuk ndërmerren masa të tjera, sipas njohësve të këtyre rrethanave, mund të pritet që të bllokohen të gjitha institucionet, siç janë bllokuar tanimë për ditë të tëra institucionet e drejtësisë.

Rritja e pagave për qeveritarët u bë në mënyrë arbitrare

Deputeti Ali Lajçi, duke e konsideruar arbitrare, të kundërligjshme dhe të padrejtë mënyrën se si qeveria i rriti pagat parcialisht, thotë se ka rrezik të madh të shtimit të pakënaqësive, por kjo do t'i bënte mirë anës tjetër për rrëzimin e kësaj qeverie."Fillimi dhe vazhdimi i kësaj greve në institucionet e drejtësisë tregojnë se pakënaqësia e akumuluar ka filluar të shpërfaqet dhe do të zgjerohet edhe më tej, edhe te qytetarët. Kjo rritje e pagave në mënyrë arbitrare dhe selektive, në kuptimin e interesave të ngushta, ka krijuar indinjatë sikur te qytetarët edhe në administratën shtetërore, si tek stafi i administratës në drejtësi edhe tek sektorët e tjerë, që duhet të jenë të barabartë në kuadër të sistemit, prandaj edhe ata kanë të drejtë të revoltohen, të bëjnë greva dhe kërkesa, kjo është shumë e drejtë dhe legjitime tani. Mirëpo, pa Ligjin e pagave dihet që çdo ngritje e pagave është arbitrare dhe tani këta e kanë shfrytëzuar këtë terren, jo vetëm kjo qeveri, por edhe ato të përparshmet dhe në këtë kuptim kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë sjellje arbitrare për interesat e tyre, por që po shpërfaqen me pakënaqësi të cilat mund të eskalojnë", është shprehur deputeti Lajçi për "Kosova Sot". Sipas tij, kemi shumë sektorë të jetës sonë shoqërore, të cilët faktikisht tani dhe ata kërkojnë dhe kanë të drejtë të kërkojnë rritjen e pagave dhe të benefiteve tjera që u takojnë."Kjo qeveri me sa po duket nuk është e interesuar për ta zgjidhur këtë problem, por vetëm po mundohet që sa më shumë t'ia zgjasë jetën vetes në pushtet. Këtë e ka objektiv kryesor, edhe pse po shihet që nuk e ka legjitimitetin, por po mbahet akoma, derisa ne si opozitë nuk po arrijmë t'i bëjmë votat e mjaftueshme për të ngritur mocionin për rrëzimin e kësaj qeverie. Ndryshe keqqeverisjes së kësaj qeverie nuk ishte dashur t'i japim asnjë orë afat më shumë për të vazhduar", theksoi Lajçi për gazetën.

Kelmendi: Ngritja e pagave ka arritur kulmin e diskriminimit

Prof. Muhamet Kelmendi theksoi për "Kosova Sot" se realisht të ardhurat personale në prokurori, në Kuvend, në Presidencë dhe në Gjykata, kanë qenë edhe ashtu e kështu tepër të larta, mbi 8 herë mbi mesataren e të ardhurave në Kosove, por ngritja e tanishme ka arritur kulmin e diskriminimit."Rritja e tashme e të ardhurave në qeveri dhe në sektorët e tillë e ka thelluar diferencën mbi 10 apo 15 herë. Kjo është e dëmshme. Natyrisht se Qeveria kundruall Presidencës, Prokurorisë dhe gjykatave i ka pasur të ardhurat e ulëta. Diferencat kanë qenë të dukshme. Por, mendoj se është dashur me ligj të bëhet një koordinim dhe harmonizim i të ardhurave personale në tërë sektorin publik. Kjo do të ishte shumë më efektive dhe diferencat do të ruheshin e sanksionoheshin kundruall punës dhe vendit. Mirëpo, kështu nuk u veprua. Por, gjendja shumë më e rëndë tani është në sektorin privat, atje ku kemi eksploatim skllavërim dhe padrejtësi të mëdha", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". "Ata njohin vetëm forcën e ligjit. Nuk ka mjet tjetër. Dhe në këtë rrugë jemi larg, andaj shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë? Unë mendoj se klasa punëtore duhet të ngrihet në greva. Por, ata e kanë një sindikatë formale dhe të manipuluar. Nuk ka kush i organizon. Këtej duhet ta rregullojnë edhe organizimin sindikal dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në rrugë dhe me greva të tyre", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Ngritja e pagave, për interesin e ngushtë klientelo-politik

Politologu Arsim Haziri thotë se provokimi i Qeverisë me pagat duhet të përfundojë me provokim të masës gjithëqytetare, me protesta, në mënyrë që të arrihet edhe ndryshimi substancial politik në qeverisjen e vendit, duke e dërguar në shtëpi këtë kastë të tanishme politike që po qeveris vendin."Është përgjegjëse e plotë dhe nuk mund të ketë amnisti, sepse vetë qeverisja aktuale është bartëse e gjitha këtyre provokacioneve, është bartëse e përgjegjësisë së neglizhencave për zgjidhjen e drejtë dhe të arsyeshme të problemeve. Kjo qeveri me veprimet e veta sikur ishte provokimi me rritjen e pagave në mënyrë joracionale dhe diskriminuese, vetëm sa e ka sabotuar përpjekjen për zhvillimin e përgjithshëm në interesin qytetar e shtetëror. Madje vetë ngritja e pagave për gjithë sistemin normativ, ashtu edhe atë qeveritar, për atë pjesën e interesit të ngushtë klientelo-politik, ka ndikuar shumë në rritjen e mosbesimit dhe fillimin e tendencave për rebelimin edhe të sferave të ndryshme, të të gjithë sektorëve të nëpunëse që financohen nga linjat buxhetore shtetërore. Paralajmërimi i sindikatave për greva të përgjithshme natyrisht se do ta ngufasë funksionimin e brendshëm institucional, këtë në mënyrë indirekte, por mbase edhe direkt, por këtë me veprimin e vet të pamatur e ka iniciuar vetë Qeveria, me në krye kryeministrin Haradinaj, prandaj duhet dhe meriton të ndëshkohet", theksoi analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot".

Qytetarët e anketuar kërkojnë largimin e kësaj qeverie

Gazetari ka kontaktuar dhe anketuar edhe qytetarë lidhur me pakënaqësitë e tyre që kanë ndaj Qeverisë, pas veprimeve të fundit të rritjes së njëanshme dhe të kundërligjshme të pagave. Ata theksojnë se sa më gjatë të vazhdojë kjo qeverisje, aq më shumë dëm do t'i bëhet vendit, prandaj janë të gatshëm që edhe me mjete demokratike, protesta, ta kundërshtojnë vazhdimin e mandatit të kësaj qeverie. Qytetari Shyqyri Balaj theksoi për "Kosova Sot" se qeveritarët tanë po e shfrytëzojnë një popullatë tepër të ulët dhe të kulturuar, që është shumë optimiste për të ardhmen, por që këtë optimizëm po e keqpërdor skajshëm klasa politike e inkriminuar në maje të shtetit. Kjo ka ndodhur edhe tani me rastin e pagave. "Shikoni, në Kosovë kemi një popull interesant, që ka shpresë shumë të madhe dhe është ndoshta keq për të thënë, por duke e parë se sa shpresë ka populli për të ardhmen, sikur po del i padijshëm për nga optimizmi i tepruar. Vetëm të bazohemi tani këtu, tek rritja e pagave, që është bërë kundërligjshëm e në mënyre selektive që e ka bërë për kryesinë e ngushtë dhe atë stafin e vet, këtu është dashur që populli të grihet të nesërmen në protesta dhe ta bllokojë qeverinë, për të mos e lënë asnjë zyrtar qeveritar të hyjë as në zyrën e Qeverisë dhe as në zyrën e Kuvendit. Mirëpo, këtu populli po tregohet shumë tolerant, po mban akoma shpresë për diçka pozitive dhe me këtë sikur po del përfundimisht edhe popull i padijshëm. Ka shpresë populli që do të ndryshohet diçka, por me këta njerëz është e sigurt që ajo nuk do të ndodhë. Kjo ngritje e popullit është dashur të ndodhë që para trekatër vjetësh, por tani në këtë vit konsideroj se është rasti më i duhur dhe më kritik që populli të ngrihet kundër këtyre, sepse është rasti më i mirë për shkak të provokimeve që po bëhen kundër shumicës së popullit të varfër", theksoi Shyqyri Balaj për "Kosova Sot". Një mendim të tillë e ndan edhe Shemsi Canolli, i cili po ashtu mendon që skandali me pagat është provokim, i cili duhet të përmbyllet tani me protesta qytetare. "I padrejtë dhe skandaloz ka qenë ai vendim, qysh me ngrit ai rrogën për vete në atë përqindje kur 60% e popullatës është në varfëri dhe e papunë. Qysh ia ngrit pagën vetes kryeministri në 3000 euro kurse qytetari duhet të mbijetojë me 75 euro pension, ose ai tjetri me ndihmën sociale, vetëm sa për të thënë. Këto padrejtësi po i di krejt populli, por po më duket se nuk po kanë çfarë të bëjnë. Edhe këto partitë politike kanë ndikuar, sepse e kanë përçarë popullin, po u thonë rrini ju mos u qoni në protesta e në demonstrata, sepse ne vijmë nesër në pushtet e ju fusim në punë. Edhe kur vijnë ata, nesër pasnesër, në pushtet e fusin dikë të vetin në punë, kurse populli mbetet i shkapërderdhur dhe jo i bashkuar. Kemi pasur do protesta më herët, si për demarkacion dhe asociacion, por është krijuar edhe një bindje tjetër që sado të protestosh në Kosovë punë nuk mund të kryesh, sepse vërtet këta e kanë kapur shumë shtetin", theksoi Shemsi Canolli për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)

14 orë e 31 minuta më parë
18/07/18