Mbetet me pasoja, pas pickimit nga mushkonja

  • 19 August 2018 - 15:03
Mbetet me pasoja, pas pickimit nga mushkonja

Një djalë 6 vjeç ka mbetur me ngërçe dhe ënjtje të trurit, pasi që u infektua nga një virus, si pasojë e pickimit nga mushkonja. Noah Surrett, nga Uejsesvilli, Karolina veriore, filloi të përjetonte dhembje të kokës, dy vjet më parë. E ëma e tij, LoriAnne dhe i ati, Dakota, i dhanë atij ilaçe kundër dhembjeve, por pa sukses. Të nesërmen, Noah filloi të përjetoi ngërçe. Pasi që u dërgua në spital dhe iu bënë disa analiza, mjekët iu treguan prindërve të djalit se i biri i tyre vuante nga sëmundja e rrallë, encefaliti "LaCrosse", e shkaktuar nga një virus, i cili bartet me anë të mushkonjës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Noah, ende nuk është i shëruar

LoriAnne ka deklaruar se i biri i saj, Noah, ende nuk është i shëruar, meqë vazhdon që të marrë ilaçe kundër ngërçeve. Ajo thotë se ka vendosur që ta bëjë publik rastin e djalit të saj, me qëllim që t'ua tërheqë vërejtjen prindërve të tjerë rreth kësaj sëmundjeje, duke shpresuar që të jetë e mundur parandalimi i sëmundjes te fëmijët e tjerë. Edhe pse shumë nga njerëzit që infektohen me virusin në fjalë, nuk manifestojnë ndonjë simptomë, simptomat rëndom fillojnë që të shfaqen 5 deri 10 ditë pas pickimit nga mushkonja. 

Prindërit e djalit janë duke mbledhur para

Simptomat mund të përfshijnë lodhjen, dhembjen e kokës, nauzenë dhe vjelljen. Në disa raste mund të vijë deri te inflamacioni i trurit, që në mjekësi quhet encefalit, me efekte anësore si ngërçe, komë dhe paralizë. Edhe pse nuk ka ndonjë mjekim adekuat për këtë sëmundje, rastet më të rënda duhet të shtrihen në spital, duke iu dhënë ndihmë në frymëmarrje dhe duke u trajtuar me infuzione. Midis viteve 2004 dhe 2013, në SHBA ka pasur gjithsej 787 raste të regjistruara me këtë sëmundje, ku 11 prej tyre përfunduan me vdekje. Në ndërkohë, prindërit e djalit janë duke mbledhur para, me qëllim të financimit të mjekimit të tij.

 

(Kosova Sot)