Emigracioni godet mjekësinë e politizuar e korruptive - Lajme - Kosova Sot
Emigracioni godet mjekësinë e politizuar e korruptive

Emigracioni godet mjekësinë e politizuar e korruptive

Mantelbardhët ia mësyjnë Evropës

"Gjatë këtij viti, nëntë punëtorë shëndetësorë, dy mjekë e shtatë infermierë, vetëm nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës, e kanë lëshuar punën, për të ikur në vendet e Bashkimit Evropian, apo më konkretisht në Gjermanë. Sipas të dhënave që i ka prezantuar Federata Sindikale e Shëndetësisë për numrin e mjekëve specialistë që kanë ikur nga Kosova, që nga hulumtimi i fundit i bërë në Kosovë ka qenë mbi 400", potencoi Ali Hertica për "Kosova Sot" Trendi i ikjes së mantelbardhëve nga Kosova po vazhdon me ritme të shtuara. Ndërkaq për njohësit e kësaj fushe arsyet e ikjes së këtij stafit mjekësor, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania, janë për shkak të pagave dhe kushteve më të mira për punë që u ofrohen krahasuar me Kosovën.

Por, sipas analistëve, kjo ikje e mantelbardhëve po bëhet edhe për një jetë më të mirë, në një shtet ku sundon ligji, e jo si është bërë situata në Kosovën e pasluftës, ku po sundon "Maliqi" në vend të ligjit. Ata theksojnë se nuk duhet të çuditemi se si po ikin mjekët, specialistët, infermierët, mjekët e Qendrave Familjare, me synimin e vetëm për një jetë më të mirë në shtetet ku mund të prosperojnë, ngase nuk duan që të jetojnë në shtetin e tyre të krimit të organizuar. Ndërkaq, analistët thonë se i tërë ky eksod i mantelbardhëve në shëndetësi po ndodh ngase asnjë qeveri e pasluftës, përfshirë edhe qeverinë aktuale, me ministër Uran Ismajlin, nuk arriti që të bëjë asgjë me konsolidimin e gjendjes alarmante në shëndetësi. Lideri i Sindikatave të Mjekësisë në QKUK, Xhemail Selmani, për gazetën "Kosova Sot", tha se ikja e trurit kombëtar po vazhdon e në vazhdën e kësaj prijnë punonjësit shëndetësorë, pra, përveç mjekëve, këtu përfshihen edhe infermierët.

Perspektiva e errët Sipas Selmanit, arsyet janë të shumta, por më kryesorja është ndjenja e mosperspektivës, duke përfshirë pagat e ulëta, kushtet e vështira për punë, vëllimi i madh i punës, përgjegjësia e madhe, pasiguria në punë për shkaqet e mbingarkesës dhe mungesave të shumta të mjeteve të punës, aparaturës, materialit hargjues, barërave etj."Veç saj, nuk ka sigurime shëndetësore e nuk po flasim për sigurimin profesional në punë dhe rrezikshmërinë në punë, që janë kapitull i veçantë. Fundi i fundit, përse të qëndrohet në një vend ku nuk ka kurrfarë sigurie as për shëndet, as për jetë, as për shkollim, as për punë!... Këto janë disa nga arsyet madhore, të cilat po na shtyjnë të mendojmë edhe ne që kemi dhënë dhe po vazhdojmë të japim kontributin tonë në këtë fushë, se a ia ka vlejtur dhe a ia vlen që të vazhdojmë të qëndrojmë dhe të japim kontributin tonë në këtë fushë?!... Mosha mesatare na ka ikur mbi 53 vjeç, kemi të papunë si specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë, ashtu edhe infermierë, e në anën tjetër kemi shumë mangësi në plotësimin e numrit të punonjësve për kokë banori", ankohet ai. Sipas sindikalistit Selmani, sistemi publik shëndetësor tek ne i ka 14080 punëtorë për 1.800.000 banorë, ndërsa Maqedonia i ka 19.500, Shqipëria mbi 18.000, Mali i Zi 18.000 për numrin e banorëve e prej 6.40000 dhe nëse bëjmë krahasimin me Malin e Zi neve na bie ta trefishojmë numrin e punonjësve shëndetësorë në raport me numrin e popullatës."Nuk ka siguri për gjykim të drejtë, shpifjet e insinuatat, kërcënimet në dhe nga rrafshi intelektual janë bërë vlerë, me të cilat përballesh në çdo hap dhe çdo ditë, sidomos për ata që angazhohen për rend, rregull dhe prosperitet në shoqëri", potencoi Selmani. Qindra mjekë duan të largohen Analisti Ali Hertica për gazetën "Kosova Sot" thotë se mantelbardhët kosovarë vazhdojnë të ikin dhe kjo dukuri është shpeshtuar sidomos vitet e fundit, ku si arsye është punësimi i tyre në shtetet dhe ku pagesa është më e mirë."Kështu, gjatë 5 viteve të fundit, rreth 900 mjekë kanë kërkuar dokumentet që të mund të angazhohen jashtë. Gjermania është destinacioni më i preferuar, të cilin mjekët e zgjedhin më shpesh për të punuar, por këtu është edhe Zvicra dhe vende të tjera të Evropës (për Zvicër hëpërhë nuk mund të jepet një shifër e saktë sa është ky numër i mjekëve që e kanë braktisur këtë shtet", u shpreh ai. "Ikja e stafit mjekësor po paraqitet si një problematikë dhe shqetësim në Kosovë këto dy vitet e fundit. Arsyet e ikjes së këtij stafi, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania si destinacion, ndërlidhen me pagat dhe kushtet më të mira për punë. Për atë se pse ikin dhe si të mbahet ky personel në spitalet shtetërore, kanë disa arsye. Sepse shumë nga infermieret, të cilat kanë mbaruar shkollimin e mesëm profesional, përcaktohen për profesione të cilat paguhen më mirë dhe ku mund të ndërtojnë karrierë akademike", vlerësoi Hertica. Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se po na ikin mjekët, specialistët, infermierët, mjekët e qendrave familjare, duke e bërë këtë vetëm e vetëm për një jetë më të mirë në shtetet ku mund të prosperojnë, ngase me të drejtë mjekët tanë nuk duan që të jetojnë në shtetin e krimit të organizuar. "Kështu siç jemi, po vazhdojnë të na ikin mjekët dhe stafi mjekësor nga Kosova, sidomos në dy vitet e fundit. Duhet të jenë arsyet e ikjes së këtij stafit mjekësor kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania, për shkak të pagave dhe kushteve më të mira për punë, për jetë më të mirë në një shtet ku sundon ligji, e jo si në Kosovë, ku sundon 'Maliqi' në vend të ligjit", potencoi ai."Në shëndetësi asnjë qeveri e pasluftës, përfshirë edhe këtë aktualen, me ministër Uran Ismajlin, nuk kanë bërë gjë në këtë drejtim, i cili përveç shëtitjeve dhe komunikatave në portale, gati nuk arriti që të bëjë asgjë me konsolidimin e gjendjes alarmante në shëndetësi", ka thënë Guraziu. Qytetarët u injoruan nga qeveritë Sipas qytetarëve tanë, arsyet e ikjes së këtij stafi mjekësor janë kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku prin Gjermania, dhe e tëra kjo po bëhet për shkak të pagave dhe kushteve më të mira për punë, për një jetë më të mirë në një shtet ku sundon ligji, e jo si në Kosove ku sundon "Maliqi" në vend të ligjit. Qytetari nga Tërrnava e Podujevës, Nebih Begolli, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ikja e qytetarëve po bëhet për kushte më të mira."Qeveria jonë duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj mantelbardhëve, por deri më tash të gjitha qeveritë i kanë injoruar kërkesat e tyre për kushtet dhe rrogat më të mira, sepse qeveria shumicën e parave po i ndan për vete dhe stafin megaloman të më shumë se 20 ministrave e 90 zëvendësministrave. Prandaj, qeveria jonë shumë më tepër duhet që të investojnë në arsim dhe në shëndetësi, sepse fundja kur populli shkollohet e vetëdijesohet edhe punët në shtet shkojnë më mbarë", u shpreh ai. Ndërsa qytetari nga Prishtina, Ismail Hamiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ky shtet për momentin nuk e ka mundësinë që stafit të mjekëve, farmacistëve, stomatologëve, motrave medicinave dhe stafit tjetër mjekësor, t'u ofrojë rroga më të dinjitetshme dhe kushte më të mira pune. "Qeveria nuk ka ofruar ndonjë klimë që do të garantonte qëndrimin e tyre për shkak të pagave dhe kushteve më të mira për punë, për një jetë më të mirë e më të dinjitetshme dhe ajo që është më kryesorja për një shtet ku sundon ligji, e jo si në Kosovë, ku sundon 'Maliqi' në vend të ligjit", ka thënë ai. Sipas Hamitit, Qeveria e Kosovës, me qëllim të ndërprerjes imediate të këtij trendi, duhet që të punojë që të ketë rritje të rrogave dhe përmirësim të kushteve të punës. 

LIBERALIZIMI, MUNDËSI PËR TË IKUR "Pesha e punës dhe puna me ndërrime është gjithashtu një nga arsyet për mungesën e infermiereve tek ne, nëse merret parasysh fakti se shumica nga të punësuarit janë gra, të cilat kanë rol kyç në familjen. Me liberalizimin e vizave, shumë infermiere nga Kosova do të vendosin karrierën e tyre profesionale ta vazhdojnë në vendet e zhvilluara evropiane, ku gjithsesi motiv janë të ardhurat mujore, por dhe zhvillimi i karrierës dhe mundësia për përvetësim më të lartë të arsimimit në magjistraturë apo doktorantë", ka thënë Ali Hertica për "Kosova Sot".

KRIMINALIZIMI I SHËNDETËSISË "Po na ikin edhe doktorët, edhe infermierët, por edhe pacientët e sëmurë, sepse kjo është një shëndetësi tërësisht e kriminalizuar, e udhëhequr nga ministra kukulla dhe e sunduar nga nëntoka kriminale, nuk ka shans që ta rikuperojë veten dhe të përkujdeset për shërimin e pacientëve, e as për sigurinë dhe dinjitetin e mjekëve dhe infermierëve kosovarë", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)

1 orë e 10 minuta më parë
15/11/18