Politikanët bllokojnë tregun e përbashkët shqiptar

  • 13 October 2015 - 17:30
Politikanët bllokojnë tregun e përbashkët shqiptar

Partneriteti kombëtar do ta zvogëlonte importin miliardësh

 “Pa dyshim që njerëzit e fuqishëm të politikës qëndrojnë prapa këtyre kompanive, pasi nuk veprojnë në të mirë të dy vendeve që të kishim një treg të përbashkët Kosovë-Shqipëri", ka theksuar Lutfi  Rexhepi

Eksportet e Serbisë në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë, arrijnë një kuotë alarmante, rreth 1 miliard euro gjatë një viti, sipas të dhënave zyrtare të doganave. Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë deficit të thella tregtare, ndërsa vendet në rajon si Serbia janë në ekspansion tregtar. Përfaqësuesit e bizneseve ankohen se nuk ka kushte për të zhvilluar prodhimin vendor. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, thotë për gazetën se qeveritë e pasluftës në Serbi definitivisht humbjen e tyre në luftë me Kosovën po e kthejnë në një fitore ekonomike ndaj shqiptarëve. “Përpjekjet për ta vetëdijesuar konsumatorin e të të gjitha trojeve shqiptare për të konsumuar prodhimet e njëra-tjetrës nuk i kanë dhënë rezultatet e dëshiruara”, u shpreh ai.  “Kemi nevojë urgjente për krijimin e një platforme kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të vetëdijesimit të mosvarësisë nga prodhimet e huaja, në veçanti atyre të Serbisë”, theksoi Shahini.

 Kontrabanda me pasoja të rënda

Sipas Shahinit, faji bie mbi të dyja qeveritë e dy shteteve shqiptare që kanë mundur të bëjnë më shumë në këtë drejtim në vetëdijesimin e popullatës që të konsumojnë në radhë të parë prodhime vendore që janë të një cilësie shumë të lartë, siç thekson ai. Ndërsa, eksperti i doganave dhe shpediteri Lutfi  Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se  derisa kryeqeveritarë të Kosovës dhe të Shqipërisë e quajnë njëri-tjetrin vëlla, e në anën tjetër bëjnë tregti me Serbinë. “Kam frikën se ky mosbashkëpunim tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, është i qëllimshëm, sepse kompanitë që kanë monopol në mallrat e Serbisë e pengojnë një gjë të tillë. Gjysma e mallit është kontrabandë nga Serbia, përmes këtyre kompanive që e dëmtojnë rëndë buxhetin e Kosovës, që do të thotë se buxheti i Kosovës shkaku i kontrabandës është më i varfër për 1 miliard euro në vit. Çfarë të mira i sjell Kosovës dhe Shqipërisë nëse shkëmbejnë mallra mes vete, ose më mirë të themi ta bëjmë një treg të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova, formalisht dhe joformalisht importojnë mallra nga vende të tjera diku në vlerën 10-12 miliardë euro në vit", tha ai. (Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)