Trumpi thotë se po e shqyrton faljen për Snowdenin, dikur thoshte se duhet ekzekutuar

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 09:23
Trumpi thotë se po e shqyrton faljen për Snowdenin, dikur thoshte se duhet ekzekutuar

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të shtunën se po e shqyrton mundësinë që ta falë Edward Snowdenin, ish-kontraktuesin e Agjencisë për Siguri Kombëtare të Shteteteve të Bashkuara, që tashmë jeton në Rusi. Publikimet e tij në vitin 2013 e kishin shokuar komunitetin amerikan të inteligjencës.

Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhën pas një interviste që e dha këtë javë për New York Post këtë javë, ku tha se shumë njerëz mendojnë që Snowdeni nuk është duke u trajtuar në mënyrë të drejtë nga organet amerikane të drejtësisë.

Autoritetet amerikane për vite të tëra kanë kërkuar që Snowdeni të kthehet në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh, shkruan Reuters.

Snowdeni kishte ikur nga Shtetet e Bashkuara dhe kishte siguruar azil në Rusi pasi publikoi shumë dokumente sekrete në vitin 2013 në organizatat e lajmeve. Në këto dokumente ishin zbuluar shumë operacione të vëzhgimit brenda dhe jashtë vendit nga Agjencia për Siguri Kombëtare.

Qëndrimi i zbutur i presidentit amerikan për këtë rast paraqet ndryshim të madh të pozicionit. Pak kohë pas publikimit të dokumenteve sekrete, ai kishte thënë se Snowdeni është një spiun që duhet të ekzekutohet.

Presidenti Trump shpesh e ka përdorur pushtetin ekzekutiv, përfshirë faljen e personave të akuzuar, për përfitimet e aleatëve të tij dhe figurave politike të lidhura me të.

(Kosova Sot Online)