Nagavci e VV-së: Sot duhet të kemi unitet vetëm për të shkuar në zgjedhje të reja

  • G.G /
  • 17 November 2020 - 12:26
Nagavci e VV-së: Sot duhet të kemi unitet vetëm për të shkuar në zgjedhje të reja

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ka thënë se thirrjet për unitet duhet të kenë qëllim dhe bosht.

Sipas saj unitet ka pasur për marrëveshjen me Serbinë në vitin 2013, për formimin e Gjykatës Speciale, për demarkacionin me Malin e Zi, rrëzimin e Qeverisë Kurti etj.

Prandaj, ajo thotë se sot unitet duhet të ketë për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

Postimi i saj i plotë:

Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet

Kurdo që lindë nevoja, thirrjet për unitet duhet të kenë qëllim dhe bosht. Pra për çka po bashkohemi dhe rreth kujt?

Këto dy pyetje janë tepër të rëndësishme, sepse unitet ne kemi pasë edhe për çështje që në fund rezultuan të dëmshme për vendin.

Unitet ka pasë edhe për marrëveshjen me Serbinë në vitin 2013, rreth atëherë Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasë edhe rreth formimit të Gjykatës Speciale në vitin 2015, përsëri rreth Hashim Thaçit kryeministër.

Unitet ka pasë edhe për demarkacionin me Malin e Zi në vitin 2017, rreth atëherë Ramush Haradinajt kryeministër e PAN-it koalicion qeverisës.

Unitet ka pasë edhe për rrëzimin e Qeverise Kurti me 82 vota në mes të pandemisë këtë vit, rreth Hashim Thaçit president e Isa Mustafës lider të klubit të stërvjetëruar politik.

Uniteti nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Ai duhet të jetë instrument në shërbim të një qëllimi. Nuk mund të këtë unitet rreth atyre që nuk kanë legjitimitet, e aq më pak rreth atyre që janë përgjegjës dhe shkaktarë për situatën sot.

Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë e në dëm të saj nga ata që ishin dje e që vazhdojnë të jenë sot. Uniteti rreth klubit të stërvjetëruar politik do të ishte një tjetër gabim.

Vendit i duhen zgjedhjet të reja sa më parë që mundësojnë krijimin e një boshti legjitim e të duhur për unitet. 

(Kosova Sot Online)