Fabrikat e tmerrit në Bangladesh, fëmijët paguhen 30 centë në ditë
Nëpërmjet disa fotografive të publikuara së fundmi, është pasqyruar realiteti i të paktën qindra-mijëra fëmijëve në Bangladesh, të cilët janë të detyruar të punojnë për orë të tëra në industrinë e veshmbathjeve. Përkundër faktit që standardet e sigurisë nëpër fabrikat formale janë përmirësuar, ka shumë punishte të paregjistruara, që nuk inspektohen. Ndonëse fabrikat kryesisht punojnë rroba për tregun lokal dhe atë indian, ato furnizojnë edhe markat e njohura ndërkombëtare, nëpërmjet nën-kontratave. Fotografi Claudio Montesano Casillas ka publikuar pamje tmerruese që tregojnë për mungesën e kontrollit të sigurisë përbrenda disa fabrikave të paregjistruara në Bangladesh, si dhe për kushtet e tmerrshme në të cilat punojnë fëmijët e atjeshëm. Casillas fillimisht i kishte vizituar rastësisht fabrikat, gjatë një turi të tij nëpër atë zonë dhe ishte tronditur nga kushtet e tmerrshme, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Punëtorët flenë në fabrika
Një fabrikë e paregjistruar zakonisht përbëhet nga një dhomë me 15 makina për qepje dhe në shumicën rasteve nuk kanë as dalje emergjente, plan të sigurisë nga zjarri dhe vlerësime të sigurisë së ndërtesave. Fëmijët, të cilët zakonisht nuk kanë kohë për të shkuar në shkollë, janë të detyruar të kryejnë punë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ngjitja e xhixhave nëpër rroba, ngjyrosja e materialeve dhe pastrimi i makinave. “Përbrenda këtyre fabrikave ka punëtorë që punojnë të paktën dymbëdhjetë orë dhe si rrjedhojë janë të detyruar ose të flenë në fabrika ose të marrin me qira ndonjë dhomë që gjendet në afërsi të fabrikave. Punëtorët zakonisht janë njerëz që e lënë fshatin për qytet, në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë fotografi, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
9.25 euro i marrin në muaj
Sipas UNICEF-it, të paktën 1 milion fëmijë të moshës 10 deri në 14-vjeçare punojnë punë të rënda në Bangladesh, mirëpo kjo shifër bëhet edhe më e lart kur parasysh merren fëmijët e moshave tjera. Në disa nga fotografitë e Casillas-it mund të shihen fëmijë duke u pastruar përbrenda fabrikës, ku ushqehen, pastrohen dhe flenë për shkak të ngarkesës së madhe që kanë. Industria e veshjeve në Bangladesh është e dyta më e madhe në botë, pas asaj së Kinës, derisa është e njohur edhe për kushtet e tmerrshme në të cilat detyrohen të punojnë punëtorët. Fëmijët dhe të rriturit që punojnë nëpër këto fabrika ilegale fitojnë nga 9.25 euro në muaj, ose më pak se 800 taka të Bangladeshit.
(Kosova Sot)