Kurti çmon vullnetin e Papës për thellimin e raporteve Kosovë - Vatikan

  • A.P /
  • 29 March 2024 - 16:20
Kurti çmon vullnetin e Papës për thellimin e raporteve Kosovë - Vatikan

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takimin sot Delegatin Apostolik  të Selisë së Shenjtë për Kosovë, Jean Marie Speich, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Kurti në takimin ku ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Përfaqësuesi I Kosovës për kontakt me Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, e ka uruar delegatin për Pashkët. Ai po ashtu ka shprehur “mirënjohjen e tij për angazhimin e Delegatit Speich, me të cilin ndau gjithashtu kujtime dhe përshtypjet e tij nga vizita në Vatikan dhe takimi me Papa Françeskun në qershor të vitit 2023”.

“Ai e çmoi vullnetin e Papës për thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit. Hapjen e Misionit Special të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë në janar të këtij viti, kryeministri e veçoi si një zhvillim të rëndësishëm në përafrimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai gjithashtu ritheksoi vullnetin e qeverisë që të punojë ngushtë me Selinë e Shenjtë në promovimin e vlerave njerëzore dhe paqes, krahas raporteve dypalëshe”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Speich është Nunc Apostolik i Vatikanit në Slloveni dhe nga atje mbulon edhe Kosovën.

(Kosova Sot Online)