Nxjerrin dëshmi të rreme të vdekjes së femrave, për t'ua marrë hisen

  • 14 February 2016 - 10:53
Nxjerrin dëshmi të rreme të vdekjes së femrave, për t'ua marrë hisen

Barazia gjinore në Kosovë është një temë për të cilën është diskutohet në vazhdimësi. Një numër i qytetarëve e njohin këtë barazi e disa të tjerë janë të mendimit se vetë ndarja e gjinore bën edhe ndarjen e të drejtave.

Një e drejtë e cila edhe pse është e garantuar me ligj në Kosovë, për të dyja gjinitë, është ajo e trashëgimisë. 

Mirëpo, edhe pse ligji e njehë të drejtën e femrës për trashëgimi, në Kosovë ende ka barriera në këtë drejtim. Madje, në mënyrë që femra të mos e fitojë trashëgiminë në Kosovë ka raste kur meshkujt nxjerrin dëshmi të rrejshme të vdekjes së tyre.

Tradita konsiderohet njëri ndër faktorët kyç, i cili bën që femrat në Kosovë të hezitojnë në kërkim të së drejtës trashëgimore.

Disa nga qytetarët kërkimin e trashëgimisë nga ana e femrës e shohin rrezik për dobësimin apo shkëputjen totale të marrëdhënieve të femrës me familjen e saj.

Se kërkimi trashëgimisë rrezikon marrëdhëniet me familjen e thotë edhe qytetari Xhmajl Ospani, i cili preferon që femrat të mos kërkojnë trashëgimi.

“Trashëgimi me marrë e me shku te burri e me kriju familje atje, me ia shit e me ia honger burri, e tani mbet pa opçin. Është mirë me nejt kështu si janë. Shkon në opçin i viziton, ka respekt, jeta më e mirë”, tha ai.

Mirëpo, ka qytetarë të cilët e mbështesin të drejtën trashëgimore te femrat. Me këtë të drejtë pajtohet edhe qytetari Agim Rexhepi.

“Ajo çështje është e rregulluar edhe me ligj. Ne duhet të kalojmë prej sjelljes tradicionale që është patriarkale në atë që është e paraparë me ligj, natyrisht...”, tha Rexhepi.

Se vendin tonë femrat ende përballen me vështirësi sa i përket fitimit të trashëgimisë, ku disa raste edhe nuk deklarohen si trashëgimtare tha edhe avokatja Teuta Zhinipotoku. Madje, sipas saj, ka raste kur trashëgimtarët meshkuj nxjerrin dëshmi rrejshme të vdekjes së femrave, në mënyrë që e tërë trashëgimia të kalojë te ata.

"Kemi përpjekje të trashëgimtarëve të gjinisë mashkullore që femr at të përjashtohen nga e drejta e trashëgimisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi trashëgimtarët meshkuj nuk i tregojnë trashëgimtaret femra në proceset gjyqësore. Ata nxjerrin dëshmi të rrejshme, si dëshmi të vdekjes, ku është e paraparë që të deklarohen të gjithë trashëgimlënësit, e ku ndonjë prej tyre i mohohet ajo e drejtë. Nuk e deklarojnë fare, duke i fshirë ose duke ia mohuar të drejtën për trashëgimi. Për këtë arsye kohëve të fundit gjithmonë e më tepër ngriten padi nëpër gjykata nga trashëgimtaret femra. Mirëpo, për shkak të zvarritjes së procedurës gjyqësore ka raste kur pasuria trashëgimore, e cila kërkohet me padi të tilla, të tjetërsohet te trashëgimtarët, te personat e tretë”, deklaroi Zhinipotoku.

Sipas saj, gjithashtu ka raste kur femrat marrin edhe kërcënime me arsyetimin se nëse kërkon trashëgimi nuk do të kesh të drejtë ta vizitosh familjen dhe për këtë femrat jan ë të detyruara që të tërhiqen nga e drejta e trashëgimisë.

Se e drejta e trashëgimisë te femrat në vendit tonë nuk gëzohet nga shumica e tyre, e konfirmon edhe gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Drita Rexhaj, e cila shqyrton rastet e trashëgimisë.

Ajo tha se nga numri i proceseve të iniciuar për fitim të trashëgimisë, vetëm 10 për qind e tyre janë iniciuar nga femrat, duke bërë 90 për qind e tyre të iniciohen nga meshkujt.

Sipas saj, në shumicën e rasteve femrat heqin dorë nga trashëgimia, kështu duke bërë që trashëgimia tërësisht t’u kalojë vëllezërve. Ajo theksoi se rastet më të mëdha kur femrat pranojnë trashëgiminë janë kurtrashëgimlënësit janë bashkëshortet e tyre.

Gjyqtarja Rexhaj tregoi se vështirësitë që femrat kanë gjatë procedurës së kërkimit të trashëgimisë është mos kompletimi i provave të mjaftueshme.

“Vështirësi gjatë proceduarave mund të ketë kur njëra nga palët në rastin konkret për shkak të zvarritjes së procedurave nuk i bashkëngjit provat e domosdoshme për shqyrtimin e trashëgimisë, ndërsa pala tjetër nuk mund t’i sigurojë ato prova. Për të përfunduar lëndën gjykata sipas detyrës zyrtare iu drejtohet organeve kompetente administrative dhe në këtë mënyrë i siguron të gjitha provat për shqyrtimin e trashëgimisë. Këto raste janë më të shpeshta kur femrat janë inicuese të procedurës për shqyrtimin e trashëgimisë”, shtoi ajo.

Rexhaj gjithashtu deklaroi se ka raste kur gjatë procesit të marrjes së trashëgimisë nuk deklarohen të gjithë trashëgimtarët, ku mund të ketë edhe femra që nuk deklarohen dhe nëse pas marrjes së vendimit të formës së prerë zbulohet se është fshehur dikush nga trashëgimtarët, atëherë palët kanë të drejtën e tyre me padi civile të kërkojnë të drejtën e tyre në trashëgimi.

Ndërkaq, në anën ndihmën për fitimin e trashëgimisë femrat e kanë kërkuara edhe në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë. Këtë e konfirmoi edhe kryetari i këtij këshilli, Behgjet Shala.

Shala tha se edhe pse Kosova ende është vend tradicional, prapë është në ngritje vetëdija për të drejtën e barabartë në pasuri, për të dyja gjinitë.

“Kohëve të fundit e kemi një situatë më të mirë nëfushën e të drejtës së trashëgimisë, mirëpo Kosova ende është një vend tradicional dhe femrat hezitojnë ta kërkojnë të drejtën e trashëgimisë, sepse duan që ta lënë një vend në familje, sidomos ato femra të cilat martohen, shkojnë tjetër kund. Mirëpo, tash është krijuar një klimë dhe është një vetëdije në rritje e sipër vetëdija se femrat dhe meshkujt janë pronar të pasurisë që kanë dhe atë duhet ta ndajnë në pjesë të barabarta edhe gjatë kohës që jetojnë bashkë dhe krijohet ajo pasuri bashkë dhe në qoftë se ndahen dhe nuk janë më bashkë. tha Shala.

Sipas Shalës, mentaliteti ka ndryshuar në viset urbane të Kosovës, ndërsa, në ato rurale ende dominon tradicionalja. Ai vlerëson se gjithçka varet nga femra se a dëshiron që ta kërkojë të drejtën e saj që është e garantuar me ligj.

Në bazë të hulumtimeve nga organizatat ndërkombëtare e vendore, vetëm 4 për qind e femrave në Kosovë gëzojnë trashëgimi.

(Kosova Sot)