Kerry do të flasë për reformat në drejtësi dhe luftëtarët shqiptarë të ISIS-it

  • 14 February 2016 - 11:02
Kerry do të flasë për reformat në drejtësi dhe luftëtarët shqiptarë të ISIS-it

Sekretari i shtetit amerikan, John Kerry, mbërrit në Shqipëri të dielën për të inkurajuar liderët e vendit për t’i përfunduar reformat anti-korrupsion që mund të përmirësojnë mundësitë e vendit për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Kerry pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe me liderët opozitarë. Shqipëria është aleat i ngushtë i NATO-s, por ka çaluar në pengimin e gërshetimit të fuqisë politike dhe asaj kriminale pas rënies së komunizmit, raporton Reuters.

Parlamenti në Tiranë është duke e diskutuar një pako të madhe të reformave, të përkrahur nga Perëndimi, që përfshin një njësit të ri anti-korrupsion, i modeluar sipas FBI-së amerikane.

“Kerry do t’i jap një shtytje të lehtë”, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, në kushte anonimiteti, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se “sekretari amerikan i shtetit planifikon të rifuqizojë mesazhin se kjo pako legjislative është pjesë e pastrimit të Shqipërisë, jo vetëm për t’ia dëshmuar BE-së, por edhe për të përmirësuar klimën për investime”.

Në dhjetor, parlamenti i Shqipërisë votoi për largimin nga politika dhe nga administrata shtetërore çdonjërin që ka të kaluar kriminale.

Shqipëria ka përfituar ndihmë të qëndrueshme ekonomike nga SHBA, përfshi rreth 20 milionë dollarë deri më tani për reformën e saj në drejtësi. E Tirana, si shkëmbim, shpesh e ka ndihmuar Washingtonin me qëllimet e saja të politikës së jashtme, potencon Reuters.

Për shembull, Shqipëria i ka dhënë luftëtarëve kurdë dhe Forcave Irakiane të Sigurisë 15 mijë tonë armatim për të luftuar Shtetin Islamik, ka thënë zyrtari i Departamentit të Shtetit.

Kerry, pas aterrimit në aeroportin e Tiranës, ka takuar shkurtimisht presidentin Bujar Nishani dhe aktualisht është në ndërtesën e kryeministrisë.

Kerry dhe Rama planifikojnë të diskutojnë edhe problemin e shkuarjes së individëve nga Ballkani në Irak dhe Siri për t’iu bashkuar radhëve të ISIS-it. Zyrtarët amerikanë thonë se Shqipëria ka penguar rrjedhën e këtyre individëve duke bërë që në muajt e fundit, nga 140 sa ishin në vitin 2013-2014, të mos raportohet asnjë i tillë që ka marrë rrugën për në luftën e Lindjes së Mesme.

Vizita e Kerryt në Shqipëri është e para e një Sekretari amerikan të Shtetit që nga ajo e nëntorit të vitit 2012, kur Hillary Clinton iu adresua parlamentit të Shqipërisë.  

(Kosova Sot)