Fati i Turqisë gjendet në duart e Erdogan-it

 Fati i Turqisë gjendet në duart e Erdogan-it
  • 28 July 2016 - 13:06

Shkruan: David Gardner

Trauma pas puçit të dështuar

ISIS nuk është prioritet i tij, por janë Gulenistët dhe rebelët kurdë

Erdogan ka nënshtruar thuajse çdo çështje të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme para kërkesës së tij për një presidencë të stilit të Vladimir Putinit

Turqia gjendet në traumë pas puçit të dështuar të 11 ditëve më parë, të organizuar nga një fraksion i ushtrisë. Por, derisa presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe partia e tij sunduese neo islamike kanë filluar një spastrim kundër lëvizjes rivale islamiste të cilën ai e fajëson për puçin, aleatët e Turqisë në Evropë dhe në aleancën atlantike kanë pse të shqetësohen rreth asaj se ku është duke çuar kjo, apo thënë ndryshe, a është perëndimi duke rrezikuar që ta humbë vendin kryesor që lidhë Evropën me Azinë. Ky perceptim është më i vjetër sesa drama të cilën e përjetoi Turqia, kjo shtyllë lindore e NATO-s dhe vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE, që gjendet në një regjion të brishtë, që tani pushoi së qeni një lojtar ekipor. Erdogan ka nënshtruar thuajse çdo çështje të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme para kërkesës së tij për një presidencë të stilit të Vladimir Putinit. Raportet me aleatët perëndimorë janë bërë transaksionale. Ai ka shqyrtuar mundësitë se a do të përfitonte më shumë vendi i tij sikur të ishte pjesë e aleancave të tjera, sikur që është Unioni ekonomik euraziatik, krijesë e presidentit rus, ose në Organizatën e bashkëpunimit të Shangait, sesa në NATO dhe BE, ku kjo e fundit nuk ka plane reale për ta pranuar Turqinë.

Aleatët perëndimorë të Turqisë e shikojnë me dyshim Erdoganin

Duke përjashtuar idenë që një Turqi myslimane të jetë anëtare e plotë e BE-së, vendet e udhëhequra nga Franca dhe Gjermania, i kanë ndihmuar Erdoganit që t’ia kthejë shpinën Evropës. Por, në fakt, Turqia filloi të largohej nga Perëndimi që nga viti 2013, kur një rebelim civil dhe evropian plasi kundër, atëherë, kryeministrit me mandatin e tretë, e i cili u shua me forcë. Në dhjetor të atij viti, Erdogan ishte në konflikt të ashpër me Fethullah Gulenin, një imam i cili qëndron në SHBA dhe një ish- aleat të tij, rrjetet sekrete të të cilit provuan ta sulmonin rrethin e ngushtë të Erdoganit. reagimi qe i ashpër, duke arrestuar një në tre gjeneralë të ushtrisë, të akuzuar si Gulenistë.

Ushtria e Turqisë, shtyllë e republikës laike, të ndërtuar nga Mustafa Kemal Ataturk në rrënojat e Perandorisë osmane, është e dyta për nga madhësia në NATO. Aleatët perëndimorë të Turqisë shikojnë me dyshim derisa një e treta e komandantëve thuhet të jenë nën ndikimin e kultit sekret islamik. Z. Erdogan dhe rrethi i tij, nga ana e vet, bëjnë me gisht kah SHBA-ja, ku jeton Gulen (në Pensilvani).

Disa ministra dhe media që janë pro Erdoganit kanë akuzuar SHBA-në si vend që qëndron prapa puçit. Ata i referohen një deklarate të Erdoganit të bërë në vitin 2014, ku presidenti turk kishte deklaruar në një konferencë islamike se, perëndimorët “mund të duken si miq, por ata na duan të vdekur”. Shpesh agresiv, por ndonjëherë edhe pragmatik, ai e ka fatin e Turqisë në duart e veta.

Erdogan dhe partia e tij, ISIS-in e shohin vetëm si kërcënim të sigurisë

Pragmatizmi dukej para puçit, kur Turqia filloi zbutjen e raporteve diplomatike me Izraelin dhe Rusinë, apo edhe duke u distancuar nga situata në Siri, ku ajo kishte mbështetur rebelët islamikë kundër regjimit të Bashar al-Assadit për pesë vjet. Ky ishte një pranim se politika regjionale ekspansioniste e Ankarasë në Siri dhe politika neo osmane regjionale ishin në dështim e sipër. Në atë që duket si gjest ndaj Putinit, Erdogan arrestoi pilotët që rrëzuan një avion luftarak rus në nëntorin e kaluar afër kufirit me Sirinë, duke thënë se ky ishte një provokim Gulenist për përçarjen e marrëdhënieve midis dy presidentëve. Pas puçit të dështuar, Turqia rrezikon që të largohet nga Perëndimi. Shkalla dhe niveli i spastrimit pas puçit të dështuar, që deri tani ka përfshirë 60,000 njerëz – mësues, akademikë, gazetarë dhe gjykatës, por edhe të dyshuar ushtarakë – do ta përshpejtojë çarjen e Turqisë me BE-në rreth lirive themelore dhe sundimit të ligjit. Duket se së pari do të pësojë mundësia e udhëtimit të shtetasve turq pa viza në BE.

Transaksionet me NATO-n, ku baza e forcave ajrore amerikane në Inxhirlik, në jug të Turqisë, është përdorur për t’i sulmuar forcat e ISIS-it në Siri dhe Irak, tani duket më i komplikuar. SHBA-ja duhej që të ofronte mbështetje për luftëtarët kurdë në Siri, të cilët Ankaraja i sheh si një rrezik më të madh sesa vet ISIS-in, për shkak të aleancës së tyre me kurdët në Turqi. Tani duket se Turqia lidhë qasjen në Inxhirlik, të mbyllur pas puçit të dështuar, me ekstradimin e Gulenit për t’u gjykuar në Turqi.

Është e qartë që prioritetet e Erdoganit janë të ndryshme nga ato të Perëndimit: ai është i përqendruar te lufta kundër Gulenistëve dhe kryengritësve kurdë, e jo kundër ISIS-it.

Isis ka qeliza brenda Turqisë, për shkak të politikës deri vonë permisive të Ankarasë ndaj xhihadistëve që shkonin në Siri. Vitin e kaluar ISIS sulmoi caqet kurde brenda Turqisë, por këtë vit ai është duke sulmuar caqet sikur që janë Aeroporti i Stambollit. Por, Erdogan dhe partia e tij ISIS-in e shohin vetëm si kërcënim të sigurisë, derisa “shtetin paralel” Gulenist dhe kryengritësit kurdë ata i shohin si rreziqe ekzistenciale.

Qyshkur u bë president, në vitin 2014, Erdogan ka forcuar identitetin sunit, islamit dhe turk të partisë së tij, AKP, duke e polarizuar atë kundër kurdëve etnikë dhe të të ashtuquajturve shiitëve alevitë, por edhe kundër laikëve. Ksenofobia ka marrë hov. Përkundër kësaj, opozita parlamentare doli në mbështetje të tij kundër kryengritjes ushtarake. Presidenti mund të arrijë me ta një konsensus të ri demokratik, apo, bashkë me islamikët dhe ultranacionalistët që gjenden në rrugë, të vazhdojë regjistrimin dhe sulmin kundër të gjithë kundërshtarëve të tij, në vend dhe jashtë vendit.