Pasiguria Trumpiane

Pasiguria Trumpiane
  • 13 January 2017 - 09:18

Shkruan: Joseph E Stiglitz

Trump duket i përkushtuar ta zhvillojë një luftë tregtare.

Derisa vendi me ekonominë më të madhe në botë udhëheq në ujërat politike të vitit 2017 dhe më tej, do të ishte marri për një njeri që të tentonte të parashikonte, përpos që ta thotë atë që është evidente.

Çdo janar përpiqem që ta bëj një parashikim për vitin në vijim. Parashikimi ekonomik është tepër i vështirë; por, pa marrë parasysh të vërtetën e shprehur në kërkesën e Harry Trumanit për një ekonomist "me një anë" (i cili nuk do të mund të thoshte "në anën tjetër"), të dhënat e mia kanë qenë të besueshme. Gjatë viteve të fundit, kam parashikuar në mënyrë korrekte se, në mungesë të stimujve të fortë fiskalë, rimëkëmbja nga Recesioni i madh i vitit 2008 do të ishte i ngadalshëm. Duke bërë këto parashikime jam mbështetur më shumë te analiza e forcave ekonomike, sesa te modelet komplekse ekonometrike. Për shembull, në fillim të vitit 2016 dukej e qartë se mungesat e kërkesës së përgjithshme globale, që ishin manifestuar gjatë viteve të fundit, nuk kishin gjasë që të pësonin ndryshime dramatike. Kështu, mendoja se ata që parashikonin një rimëkëmbje më të madhe, ishin duke e shikuar botën nga prizmi i optimistit të tepërt. Zhvillimet ekonomike ndodhën në një masë të madhe ashtu sikur që i kisha parashikuar unë. Por, jo edhe zhvillimet politike të vitit 2016. Me vite të tëra kam shkruar se, pa adresimin e rritjes së pabarabartë, do të kemi pasoja politike. Por, pabarazia vazhdoi që të përkeqësohej, ku të dhënat tregojnë se jetëgjatësia mesatare në Amerikë është në rënie.

Rrallëherë ka pasur një pasiguri më të madhe Këto rezultate mbetën nën hije nga një studim i vitit të kaluar, të bërë nga Anne Case dhe Angus Deaton, i cili tregoi se jetëgjatësia ishte në rënie për segmente të mëdha të popullsisë - duke përfshirë edhe të ashtuquajturit njerëzit e zemëruar të Amerikës. Por, derisa të ardhurat personale kanë rënë për rreth 90% të njerëzve për rreth një të tretën e shekullit, e për një përqindje edhe kanë rënë, të dhënat shëndetësore thjesht bënin me dije se gjërat nuk ishin duke shkuar mirë për një numër të madh të amerikanëve. Dhe, derisa Amerika mund të jetë në ekstremin e këtij trendi, gjetiu gjërat ishin pak më mirë. Por, nëse ishte e qartë se do të kishte pasoja politike, atëherë forma dhe koha e paraqitjes së tyre ishte më pak e ditur. Pse reagimet në SHBA erdhën vetëm pasi që ekonomia dukej të ishte në një gjendje më të mirë sesa më parë? Dhe, pse kjo u manifestua me një kthesë kah e djathta? Fundja, ishin republikanët ata që kishin bllokuar asistencën ndaj atyre që kishin mbetur pa punë, si rezultat i globalizimit. Ishin republikanët ata që, në 26 shtete, kishin refuzuar që ta lejonin zgjerimin e "Medicaid", duke ua refuzuar kështu sigurimin shëndetësor amerikanëve më të varfër. Dhe, pse fitoi dikush që kishte jetuar nga përfitimi nga të tjerët, i cili haptazi kishte pranuar se nuk i kishte paguar taksat, duke e bërë evazionin tatimor çështje të krenarisë kombëtare? Donald Trump shfrytëzoi disponimin e momentit: gjërat nuk ishin duke shkuar mirë dhe shumë votues donin ndryshime. Tani ata do t'i kenë ato ndryshime: nuk do të ketë biznes si zakonisht. Por, rrallëherë ka pasur një pasiguri më të madhe. Mbetet e panjohur se cilat politika do t'i ndjekë Trump.

Kina varet më shumë nga eksportet në SHBA Trump duket i përkushtuar ta zhvillojë një luftë tregtare. Por, si do të reagojnë Kina dhe Meksika? Trump mund ta dijë se, ajo që propozon ai, do t'i thyejë rregullat e Organizatës botërore të tregtisë, por ai po ashtu duhet ta dijë se do të duhet një kohë e gjatë që OBT të veprojë kundër tij. Deri atëherë gjendja tregtare amerikane mund të jetë ribalancuar. Por, edhe Kina mund të ndërmarrë veprime të ngjashme, edhe pse reagimi i saj pritet të jetë më subtil. Nëse shpërthen një luftë tregtare, atëherë çka do të ndodhë? Trump mund të ketë arsye që të mendojë se do të fitojë; fundja, Kina varet më shumë nga eksportet në SHBA, sesa anasjelltas, gjë që ia jep SHBA-së një përparësi. Por, një luftë tregtare nuk është lojë humb-fito. Edhe SHBA-ja mund të humbë. Kina mund të jetë më efikase në veprimet e saj hakmarrëse. Dhe, kinezët mund të jenë në një pozitë më të mirë që të reagojnë ndaj tentimeve të SHBA-së për t'iu shkaktuar atyre dhembje. Të gjithë mund ta dimë se kush mund t'i durojë më shumë dhembjes. A do të jetë kjo SHBA-ja, ku qytetarët e rëndomtë tanimë kanë vuajtur për një kohë të gjatë, apo Kina, e cila përkundër kohëve të vështira, ia ka dalë që ta ketë një rritje ekonomike prej më shumë se 6%? Trump-it mund t'i pëlqejë shfuqizimi i ligjeve të rëndomta të ekonomisë, meqë ai ndjek versionin e tij të ekonomisë "voodoo". Mirëpo, ai nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë, derisa vendi me ekonominë më të madhe në botë udhëheqë në ujërat politike të vitit 2017 dhe më tej, do të ishte marri për një njeri që të tentonte të parashikonte, përpos që ta thotë atë që është evidente. 

(Joseph E. Stiglitz, laureat i 'Nobelit' në ekonomi, është profesor në Universitetin "Columbia") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"