Pse Republika e Kosovës duhet të ketë Ushtri?

Pse Republika e Kosovës duhet të ketë Ushtri?
  • 25 March 2017 - 07:46

Shkruan: PROF. DR. HAKIF BAJRAMI

Ballkani është nën peshën e dukshme të destabilizimit nga agjenturat ruse

Shumë organizata politike në Kosovë, si: UNMIK, OSBE, EULEX, shumë OJQ, kanë ardhur për të harxhuar financa e jo për të ndihmuar krijimin e shtetit

Iniciativa e presidentit Hashim Thaçi me çdo çmim duhet të përkrahet. Lidhur me këtë shumë gojëkëqij, kritizerë politikë po përgojojnë, nuk punojnë asgjë, nuk ofrojnë asnjë zgjidhje, kanë zënë pozicione të larta në pushtet dhe nuk pushojnë tinëzisht dhe publikisht për ta kritikuar iniciativën e presidentit Hashim Thaçi, për themelimin e Ushtrisë Kosovës. Krijimi i Ushtrisë përmes amendamentimit kushtetues do të ishte realiteti. Por, përmes ligjit, tani të lajmëruar se është pranuar nga tri ministritë respektive, është një variant politik, që prapë duhet në konsultim me miqtë të aprovohet. E them si historian i hulumtimeve politike, diplomatike dhe ushtarake, se qëndrimi i Ministrisë së FSK-së është për çdo lëvdatë, sepse brumoset me urti që shteti më i ri në Evropë ta ketë ushtrinë e vet, që ta zbatojë kërkesën e Komandantit Suprem. Shumë organizata politike në Kosovë, si: UNMIK, OSBE, EULEX, shumë OJQ, kanë ardhur për të harxhuar financa e jo për të ndihmuar krijimin e shtetit. Madje, disa prej tyre më tepër kanë penguar në legalizimin e korrupsionit që duhet frenuar dhe dënuar, sesa që kanë ndihmuar pastrimin e kësaj murtaje, e cila ka metastazuar kryesisht në majat e larta të pushtetit. Shkurt, çdo e arritur në Kosovë ka qenë me entuziazëm e pritur nga populli. Por, sidomos "identifikimi i Republikës Kosovës me fusnotë", e ka nxjerrë letërnjoftimin e shumëkujt, si nga tarafet politike të brendshme, që në të shumtën e rasteve blofojnë deklarata boshe, ashtu edhe nga ndërkombëtarët që imitojnë konservim të Republikës Kosovës, vetëm nga prizmi i mundësisë se këtu janë "arbitër i katërt", por në esencë janë arbitër numër një. Fusnotën na e sollën tanët në akordim me të huajt. E kjo ultësi nuk avullohet pa ushtri tani. Ky fakt duhet të dihet nga të gjithë populli. Ne nuk jemi as Qipro, e as Palestinë. Kosova është njësi administrative e veçantë në të gjitha kohërat, nga Antika (Dardania), e deri me sot. Iniciativa e presidentit Hashim Thaçi, pra është shumë serioze, është kategori i nivelit më të lartë kushtetues. Kështu cilësohet në filozofinë e historisë.

Shteti do të mbrohet me forcë

Po flasin gojëkëqijtë se presidenti e ka bërë këtë potez për ta amortizuar dështimin me Asociacionin dhe Demarkacionin. Po pse po difuzojmë çështjet madhore kombëtare? Në esencë bërja e shtetit me ushtri nuk ka lidhje me asnjë element anësor tani. Çdo qytetar i Kosovës, duhet edhe kafshatën e bukës nga goja ta ndajë, e të themelohet ushtria, sepse me të ma nuk do të detyrohemi të jemi "refugjatë kujdestar", në trojet tona. Ma nuk do të mundet Serbia imperialiste të dalë e të thotë ndalu: "Këto e këto pasuri janë të miat". Shteti do të mbrohet me forcë. Kjo filozofi e Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, e Skënderbeut… duhet të njihet në objektiv. Mjaft më. Po, Hashim Thaçi më 19 mars 1999, ka bërë gabim historik, që e ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, sepse aty shkruhet e në të po thirret Rusia dhe Serbia (që nuk e kanë nënshkruar; Serbia, Jugosllavia dhe Rusia, por që, pjesërisht është përcjellë "Marrëveshja" në rezolutën 1244 të KS OKB-së Tani duhet një krahasim historik, jo fort i pëlqyer nga lexuesit. Ndoshta ky krahasim edhe nuk është për gazetë, por… Nëse Fadil Hoxha me shokë… e ka nënshkruar më 10 korrik 1945, se Kosova mbetet me Jugosllavi e në kuadër të Serbisë federale, atëherë Hashim Thaçi me shokë… e ka nënshkruar në Rambuje, se Jugosllavia ka sovranitet të panegociueshëm mbi Kosovën, dhe atë sovranitet e garantojnë 11000 ushtarë dhe policë serbianë. Gabimet e Fadil Hoxhës me shokë kanë vazhduar, por e kanë nxjerrë Kosovën si njësi administrative të veçantë, e kanë nxjerrë Kosovën (shqiptarët nga 98% analfabetë, në 98% që dinë shkrim lexim). E ka nxjerrë Kushtetutën e vitit 1974, në të cilën kur po na nevojitet po themi se Kosova ka qenë element konstitutiv i federatës së shkatërruar, efeketshëm jo vetëm nga shqiptarët, por nga ata që e kanë krijuar.

Ushtria e Kosovës nuk është çështje e OJQ-ve, të cilat i kontrollojnë me "investime"

Tani shtrohet pyetja, cilat ishin "Naçertanitë" shtesë kundër shqiptarëve në vijim. Së pari ishte: "Libri i Kaltërt 1976". Në vijim "Nançertanitë" ishin: Platforma politike për Kosovën 1981, me ideolog Vlladimir Bakariqin, Memorandumi i Akademisë Serbe 1986 me ideolog Dobrica Qosiqin, Programi Jugosllav për Kosovën 1988, ku ishin grumbulluar të gjithë ideologët sllavë për ta bërë Kosovën të rikolonizuar dhe të izoluar nga vetvetja, për ta bërë thjeshtë sllave; Memorandumi II i vitit 2011, është dokument kancerogjen, tinëzarë antievropian, Raporti i Dytë i Qeverisë Kosovës për Demarkacionin i vitit 2017, del si firmë e Akademisë, së cilët BE i beson sepse ia fetishizon pazaret e nëntezgës, që janë bërë në Bruksel, për ta "hasmuar Kosovën me: Maqedoninë për Debellde, me Serbinë për Kopaonik, me Malin eZi për Kullë dhe Çakorr, Dialogu në Bruksel me protagonistet e tij(saj) po e shpie Kosovën drejt "Palestinizimit", sepse "Qiprizmi" ka ndodhur me veriun e Kosovës" më 1999. Tani një pjesë jo e vogël diplomatësh po deklarohen kundër iniciativës presidentit Hashim Thaçi për Ushtri. Kjo fushatë i ngjet fushatës anti Adem Demaçit më 1998/99. Dhe miqve të nderuar duhet t`ua themi e atë thënie duhet ta bëjnë institucionet akademike, ku janë strehuar shterrpakpët, kritikucët, fajdexhinjtë, porfiterët funksionalë, me fajin e politikës, e t`u thonë ndërkombëtarëve se: Ushtria e Kosovës nuk është çështje e OJQve, të cilat i kontrollojnë me "investime", institucionet që u dihen firmat dhe mendimi i fundit për Kosovën.

Rreziku i destabilizimit të Ballkanit 

Tani, Evropa është në krizë të thellë të identitetit. Ballkani është nën peshën e dukshme të destabilizimit nga agjenturat ruse, të cilat marrin energji në Beograd, dhe provojnë destabilizim në: Zagreb, Sarajevë, Podgoricë, Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe deri diku në Sofje. Tani, Sarajeva, Tirana, Prishtina dhe Shkupi, janë në pozitën më delikate, sepse Ankaraja ka hapur front shumë problematik me BE-në për çështje të një pozite, e cila nuk ka perspektivë. Në të kundërtën ka "palestinizim" përmes çështjes kurde në atë shtet, të cilin e respektojmë shumë. Për të gjitha këto fakte, Presidenti Hashim Thaçi ka pasur të drejtë që e ka lëvizë rrufeshëm themelimin e Ushtrisë, jo për hatër të BE-së, por për ta forcuar rolin amerikan në Ballkan dhe Evropë, për disa dekada. Këtu është çelësi, sepse Rusia pa "vegen" Serbi, nuk mundet t`i futë hundët në asnjë qendër ballanike. Në këtë nyje Hashim Thaçi duhet të udhë- tojë në Uashington, dhe të informojë nga dora e parë kënd duhet. Shteti Kosovës i duhet sërish një Hollbruk, apo një fjali e presidentit Bush, që do ta artikulonte Donald Trump: "Ushtria i duhet Kosovës", dhe shtabi i tij po thotë, por duhet objketivizim, sepse uji deri sa po vjen në Prishtinë, po turbullohet rrugës, sidomos në Bruksel, e ndoshta edhe nga përfaqësitë e dymendësisë tona naive, pa përvojë shtetndërtimi! Hashim Thaçi me shokë përmes fjalisë së Bushit të ri më 10. VI. 2007 në Krujë: "Çka është mjaft, mjaft është, Kosova duhet të shpallet e pavarur", përmes Kushtetutës Ahtisari, 5% e serbianëve po e mbajnë peng shtetin e Kosovës, pra edhe Ushtrinë. Hashim Thaçi ka pasur fatin si politikanë pa përvojë që Serbia ta padisë Kosovën në GJND në Hagë, dhe të marrë përgjigje se "Kosova e pavarur nuk i shkel normat e ligjësisë ndërkombëtare". Me këtë konstatim të GJND-së, presidenti Hashim Thaçi ka plotësisht të drejtë të kërkojë dhe të ndërtojë shtetin e Kosovës, ashtu si çdo shtet tjetër normal. Sepse këtë e ka vërtetuar GJND-ja me shumicë absolute votash. Dhe sot, çdo ndryshim substancial të Kushtetutës Ahtisarit i duhet një fusnotë e GJND nga Haga. Këtë fakt duhet ta mësojë çdo kush që e kundërshton Hashim Thaçin. Atëherë ministër Hashim Thaçi ka gabuar kur e ka nënshkruar Demarkacionin me Malin e Zi, aq më parë kur Komisioni shtetëror në fillim ishte në rrugë të mbarë të rreshtohet drejtë. Tani presidenti Hashim Thaçi duhet ta zbuloi se kush e lakoi rreshtimin për kufirin, e jo t`i vërsulemi Murat Mehës ndoshta pa "nevojë", sepse aq sa ka ditë, e ka vënë kadastrën si kriter primar-gabim i pafalshëm dhe tragjik për një intelektual, që ka pranuar me shokë të punojë dy vite ilegalisht, madje jashtë syrit të opinionit shkencor në Kosovë, ku ka intelektual që e njohin çështjen profesionalisht. Lidhur me këtë, analogjia politike se shumë vende të Evropës, që e kanë matë çdo pëllëmbë toke, e "kanë bazë kadastrën për kufij", është thjesht një lajthitje, silogjizëm katastrofal shkencor profesional.

Tani, çka dhe si me jo-në e SHBA dhe NATO-s për ushtrinë pa ndryshime kushtetuese?

A është joja e SHBA-së + NATO-s jo, apo është me prapavijë PO! Në lidhje me këtë, tri fakte duhet t`i sheshëzohen opinionit kombëtar në Kosovë, sepse ushtria po formohet për të. SHBA dhe NATO e duan "Listën Serbe", të mbetet në lojën politike në Republikën e Kosovës. Shumë qëndrim i drejtë dhe largvajtës politikë dhe diplomatikë, ku ne duhet të rreshtohemi sikurse në yllin polar. SHBA+NATO e bëjnë këtë, sepse pa këtë element nuk mund ta disiplinojnë as Serbinë e as ta lënë Rusinë për t`i skajuar jashtë loje, sepse Ushtria e Republikës Kosovës, është çështje shumë me peshë, sepse pa çështje të mëdha SHBA+NATO, pastaj do të mbesin pa asnjë shans, që të hyjnë në lojërat ballkanike "pa obligime", si kanë hy deri më 24 III 1999 , kur u arrit kulmi. Kur jemi këtu, duhet prononcohemi se pushteti i Presidentit OBAMA e pati futur në një mënyrë çështjen e Kosovës (lexo çështjen shqiptare) në "frigorifer", mos edhe Ballkanin në përgjithësi. Ky pozicion i ka krijuar Rusisë dhe Serbisë hapësirë manovruese të papenguar shumë më tepër gjetiu, rreth kufijve të Kosovës, në Ballkan dhe në tërë Evropën. E Evropa nuk është në maje të krizës, por është ngulur shumë keq në të. Lëvizjet janë gjysmë efektive, për të dalë nga kriza, por ariu i Sibirit po e shtyn Evropën drejt kënetës. Këtë klimë e ka nuhatë efektshëm presidenti Hashim Thaçi, me propozimin e tij për Ushtrinë e Kosovës, dhe nuk duhet dorëzohet, kuptohet duke garantuar se vendimi i tij do të realizohet në katër faza. Nuk ka rëndësi, që në tri fazat e para fiton kundërshtari, me diferencë të ngushtë ndaj Kosovë, por në fazën e fundit fitorja duhet të jetë e thellë në favor të Kosovës, sikurse ngjau me GJND-ën. Lidhur me këtë, vetëm kur të krijohet hapësira politike e Lista Serbe të rreshtohet në "fabrikën " e BE-së pa hile, atëherë Serbia dhe Rusia do të largohen prej lojës pokerit rus, për dominim në Ballkan. Me këtë përjashtim mendoj se shumë do të fitojë edhe Serbia, sepse në asnjë variant teorike nuk ka mundësi të ëndërrojë që të kthehet në Kosovë si i thonë popat dhe si i thonë qymezet e Kremlinit, për të pasur Serbia fatin e Sirisë. Ja sa e do Rusia Serbinë në esencë! Po, Serbia gjithmonë do të reagoi kundër themelimit të ushtrisë (tani). Ky reagim i nevojitet kundër kantonizmit Serbisë: me një Vojvodinë, me një Sanxhak, me një Vllahi që do të lind si çështja kurde në Turqi, sepse në Negotin janë mbi 2 milion vllah dhe bullgarë. Ata duan një ditë të ngritën si feniksi.

SHBA+ NATO na duhen sa më afër zemrës

Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë Ligjin për Ushtrinë e Kosovës. Pas atij aprovimi, mund të ngjajë TRI prapakthime, që për Kosovën nuk janë kurrfarë dobësie: SHBA + NATO të urdhërojnë moratorium të Ligjit. Kjo urdhëresë e dobëson autoritetin e Kosovës, por e forcon edhe më tej autoritetin e pakontestuar të SHBA+NATOS. Njëherit, përjashtohet çdo mundësi e infiltrimit ruso-serb në Kosovë, të paktën, sepse edhe në shtetet përreth çështjet janë fare kritike. SHBA+ NATO na duhen sa më afër zemrës. Nuk është ky naivitet politik, por është realitet i dëshiruar. E dimë se botën e ka përfshi kriza e besimit, por ne duhet të qëndrojmë pranë miqve në rresht me ta. Presidenti Hashim Thaçi nuk po kërkon asgjë më shumë, si tregojnë kritikat pozitive dhe negative. Edhe kritikat negative kanë vlerë, sepse prej tyre kuptohen vijat e kuqe, kuptohet jo drejtë për drejtë, por në mes rreshtave. Mendoj se Presidenti Hashim Thaçi, e ka lëvizë një çështje substanciale. E ka vënë në veprim një çështje që Administrata e Obama-s, gati e pati vënë në "harresë'. Dhe administrata Trump tani për tani është në tranzicion dhe ka punë të tjera thelbësore rreshtimi për botën globale. Po, në disa shkrime të importuara apo të porositura në shtypin e Kosovës, po kritikohet Donald Trump. Ua themi troç, se ato shkrime e dimë se ku e kanë adresën në "Klubin e Sorosit", që me elegancë do ta kthente mikun e Izraelit dhe Vatikanit, Sadam Hysenit e Gadafit, për t` i ngulë spirancat sërish Serbia në Kosovë. Kjo këngë nuk do kallauzë, se po shihet, se prej kah po i vjen zani. Larg duart nga interesat bajraktare dhe fitimet kriminale si bëjnë disa firma ekonomike dhe informative, tani në Kosovë, po edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Për Serbi çështjet dihen, atje nazifashizmi po lulëzon në frigorifer nga frika. Tani presidenti Hashim Thaçi me propozimin e tij historik sërish e ka rizbuluar kolerën e ish sabotuesve (tradhtisë), të atyre që më 1998 e sabotuan luftën dhe ia mbathën kush ku. Të paktën tani sërish do të ua nxjerr rrënjën katrore. Po përsëritet historia. Dhe dalja e disa funksionarëve të "lartë këto ditë me numërimin e viktimave të partiakëve të tyre, për t` i ruajtur fotelet e pushtetit pistë, po dëshmon se "pacifizmi, nuk ka shkuar në plehun e historisë ende. Ende primati për "të drejtën" e odës, po provohet të mbahet, me moton: "Nuk mund ta themelojmë Ushtrinë deri sa të na thotë Amerika". Kjo llomotitje do të zgjatë, dhe Presidenti duhet ta kuptoj se: kur SHBA thonë jo, dihet se kur do të thotë PO, kur SHBA thonë po, do të thotë PO! Këtë realitet e kemi pasur mësuar më 1999. Na duhet si mësim dhe respekt miqësor.

(Kosova Sot)