Po na sundojnë ata që na përçanë?!

Po na sundojnë ata që na përçanë?!
  • 20 April 2017 - 08:19

SHKRUAN: SKËNDER MULLIQ

Po na sundojnë ata që na përçanë vite më radhë. Po na sundojnë ata të cilët kanë krijuar shtet për vete, për ilake, për shokë, për militantë partiakë… E kanë kapur shtetin ata të cilët janë analfabetë potencialë, me diploma të blera, sahanlëpirës, njerëz dinakë dhe frikacakë, hajna e hoshtaplerë politikë… Në anën tjetër kemi të gjithë ne, e para së gjithash rininë, e cila po sorollatët në rrugë, në kafene, në bastore, në lojëra të fatit… Të gjithë ne në njërën anë po jetojmë keq e më keq nga të parët, të cilët po grabisin çdo gjë para vetit, duke lënë tokë të djegur pas veti… Njeriu ynë secilën ditë e më shumë po bëhet e më i traumatizuar, i demoralizuar, gjithnjë e më shumë po i vizitojnë klinikat neuropsikiatrike nga depresioni gjithnjë në rritje... Kemi pasur me bollëk njerëz pas luftës, të cilët nga dëshpërimi kanë bërë edhe vetëvrasje . Kanë bërë vetëvrasje edhe pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë mbetur në mëshirën e fatit

Kryetari i shtetit i ndërron qëndrimet disa herë në ditë

Ata që janë ngjitur në pushtet po jetojnë si në parajsë, me para të vjedhura të popullit, po jetojnë një jetë luksoze , nuk po prekin përtokë. Nuk do të kemi ndryshime pozitive në këtë shtet derisa në pushtet e kemi këtë klasë politike. Këta moti janë tjetërsuar nga populli, zaten nocioni popull për ta kaherë ka perënduar. Këta nuk po kanë ndërgjegje dhe as moral politik për të gjitha këto negativitete shoqërore, të cilat qëllimisht i kanë shkaktuar . Po frekuentojnë gjithfarë maskarenjsh politike për t'ia zgjatur vetit pushtetin, në vend që të krijojnë zhvillim të gjithmbarshëm dhe mirëqenie. Kemi një kryetar shteti, figurë kontroverse, një person i cili ndryshon qëndrimet për një ditë, pa i llogaritur dëmet politike. Kemi një kryeministër dinak dhe idhnak të tipit komunist, i cili nuk ka hequr dorë nga forma komuniste e sundimit mbi masën. Kemi një shef të ekzekutivit, i cili bashkë me presidentin e shtetit firmosën blanko pa e pyetur shumë sovranin popull. Madje, morën guximin të firmosin edhe humbje territoresh në veri dhe në jug të Kosovës. Kjo klasë politike moti e ka humbur rrugën në oborr . Në fakt po dinë mirë të abuzojnë me të mirat materiale. Po e kthejnë secilën ditë e më shumë Kosovën në funeralë … po e varrosin të ardhmen e brezave që po vijnë . Na kanë izoluar si në geto. Po na i humbin miqtë tanë në botë secilën ditë e më shumë. Kanë zgjedhur metodat e shantazhit dhe të frikës .Po i linçojnë kundërshtarët e vet politikë me metoda fashizoide të veprimit. Po ndihen të lumtur në tragjedinë e shumicës. Këta po ndihen të paprekshëm, po ndihen si Zot mbi këtë tokë .Kjo kastë në pushtet disa kanë qenë e shumica janë shndërruar në hajna, janë bërë njerëz të korruptuar dhe të kriminalizuar. Gjithashtu janë rrethuar me njerëz pakurrizorë, me njerëz servilë. Kjo është fatkeqësia jonë e madhe. Na është mbushur aparati shtetëror me njerëz të padijshëm, të padinjitetshëm, madje po e mbajnë edhe logon e tradhtisë… Sigurisht së këta në krye të shtetit e kanë humbur moti besimin e popullit, e kanë humbur kredibilitetin dhe autoritetin nëse e kanë pasur ndonjëherë. Kanë filluar haptazi dhe fshehurazi të na kthejnë në vitet e 90-ta. Dhe, për çudi pas gjithë këtyre të këqijave, të cilat na kanë vërshuar nga të katër anët, prapë po kërkojnë respekt?! Të gjithë ata të cilët nuk mendojnë me kokat e tyre po i satanizojnë. Këta po na ndryshojnë edhe historinë për së mbrapshti. 

Këta meritojnë fshikullima në rrugë

Kjo kastë politike moti ka merituar të hidhet në bërllokun e historisë, e kishin rastin më të mirë që të mbesin në histori për të mirë. Këta meritojnë fshikullima në rrugë, nga dritaret… Këta meritojnë çdo lloj përqeshjeje ... Këta e dinë mirë së populli vonon, por nuk harron. Nuk harroni t'i ndëshkoni me votë për manipulimet e deri tashme. Do t'i pret gjithsesi ndëshkimi, sepse rregullisht për shumë vite manipuluan me votën , manipuluan me kërkesat reale të popullit. Më duket mua se nuk do të përsëritët më kurrë që vota të shkojë blanko. Mu për atë kjo kastë në pushtet edhe nuk po ndihet rehat. Mjaft qytetarët tanë duruan padrejtësi në kurrizin e tyre. Mjaft duruan duke jetuar keq në një vend, i cili i ka të gjitha predispozitat për të jetuar mirë. Mjaft i duruan të pamoralshmit dhe të pandërgjegjshmit politikë në krye të shtetit. Diçka është tashmë e sigurt. Rinia jonë pas një kohe të gjatë janë duke e kuptuar rolin e vet në shoqëri. Duhet ta tregojnë fuqinë e tyre edhe politike, nëse dëshirojnë një të ardhme më të mirë. Mos të harrojnë se vetëm duke u inkuadruar më shumë në rrjedhat shoqërore politike të vendit edhe mund ta ndryshojnë situatën në favor të tyre…

(Kosova Sot)