Rruga e BE-së për në Romë

Rruga e BE-së për në Romë
  • 24 April 2017 - 10:55

Shkruan: Ana Palacio 

Në fund të këtij muaji, liderët e BE-së do të mblidhen në Itali, për ta festuar përvjetorin e 60-të të Traktatit të Romës. Festimet e përvjetorit janë gjithnjë një shkas i mirë për vetëlavdërim dhe, retorika që e mbush ajrin para mbajtjes së samitit të Romës, sugjeron që edhe kësaj here do të jetë njësoj. Por, liderë e BE-së duhet ta përdorin këtë përvjetor edhe si mundësi për të reflektuar thellë- sisht në lidhje me projektin, për të cilin edhe do të festojnë. BE-ja gjendet në udhëkryq. Britania e Madhe ende nuk e ka lansuar zyrtarisht procesin e largimit, megjithatë Brexit tanimë ka demoluar njërin ndër supozimet themeluese të Projektit evropian: se, sado ngadalë, integrimi do të vazhdojë që të thellohet gjithnjë e më shumë. Tani, rritja e populizmit nacionalist rrezikon të zhbëjë gjashtë dekada të progresit. Një festim i unitetit evropian mund të jetë momenti ideal për t'u ballafaquar me të vërtetën e vështirë të mungesës së tij (unitetit), duke trasuar rrugën përpara. Por, sinqeriteti, vetëdija dhe një vizion i qartë që nevojiten për ta përdorë samitin e Romës në këtë mënyrë, nuk i karakterizon liderët e BE-së, të cilët shquhen më shumë për nga retorika, sesa zgjidhjet pragmatike.

Korniza e Junckerit

Thënë të vërtetën, presidenti i Komisionit evropian, Jean-Claude Juncker, ka marrë iniciativë për përshpejtimin e një zgjidhjeje të tillë. Dokumenti i para pak kohe i Komisionit, me titull "White Paper on the Future of Europe" (Letra e bardhë rreth së ardhmes evropiane), i cili cakton pesë rrugët e mundshme përpara për Evropën, duke filluar nga ngushtimi i përqendrimit të BE-së te një treg i vetëm, e deri te zgjerimi dhe thellimi i integrimit. Aty përfshihen edhe propozimet për ndërtimin e një Evrope me disa shpejtësi. Dokumenti cakton një periudhë prej dhjetë muajsh, për të reflektuar dhe debatuar, gjë që duhet ta arrijë kulminacionin në takimin e Këshillit të Evropës, që pritet të mbahet në dhjetor, me ç'rast liderët evropianë do të vendosin ç'rrugë do të marrin. Qasja e re do të prezantohet para mbajtjes së zgjedhjeve evropiane të vitit 2019. Shtetet anëtare të BE-së tanimë kanë filluar që të angazhohen rreth kornizës së Junckerit. Në një takim në Versajë, katër vendet e BE-së me ekonominë më të madhe - Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja - miratuan një qasje "me shumë shpejtësi", e cila do t'i shndërrojë ato në një qendër unifikuese. Grupi i Vishegradit (Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia) e kanë refuzuar këtë ide, nga frika se do të mbeten prapa. Vendet e Beneluksit po ashtu kanë vërejtje rreth kësaj marrëveshjeje, e cila do t'i përjashtojë ato nga disa vendimmarrje, duke e lënë Gjermaninë si vendin e vetëm kreditor të grupit esencial. Për këtë shkak, debati rreth të së ardhmes së Evropës është i gjallë, sikur që kishte shpresuar Juncker. Por, atij i ikë esenca, duke shkuar në të njëjtën kohë tepër larg, por edhe jo fort larg, për një arsye të thjeshtë: ai nuk bazohet te një vetëvlerësim gjithëpërfshirës dhe i sinqertë. Në vend të rirenditjes së ulëseve të "Titanic"-ut, BE-ja duhet ta pyesë veten pse anija është duke u fundosur. Por, përtej vërejtjes së hendekut midis pritjeve të publikut dhe kapaciteteve të BE-së për të vepruar, 'letra e bardhë' e Komisionit nuk përfshin thuajse aspak një introspektivë. Shumë çështje vitale janë injoruar. 

Përzgjedhja e rrugës

Një çështje absolutisht fundamentale, të cilën letra nuk e merr parasysh, është mënyra e shpërndarjes së autoritetit brenda BE-së. Në këtë aspekt, BE-ja nuk i ka pesë opsione, por vetëm dy: transnacionale, apo ndërqeveritare. Qasja që do të zgjidhet, do ta caktojë formën e strukturës së BE-së dhe qëllimin e aktiviteteve të saj. Përzgjedhja do të kërkojë nga liderët e BE-së që, së pari të analizojnë me sinqeritet dhe guxim, se ku gjendet BE-ja aktualisht. Ata duhet t'i quajnë gjërat me emrin e tyre. Vetëm pasi që të konstatojnë se struktura e BE-së nuk është funksionale, meqë ua lejon si institucioneve të BE-së, por edhe vendeve anëtare, që të ikin nga përgjegjësia, duke bërë me gisht kah dikush tjetër, ata do të mund ta bëjnë rebalancimin e duhur. Një transnacionalizëm i vërtetë e rritë pragun për bashkëpunim, por po ashtu është edhe më i rrezikshëm. Nëse Evropa përzgjedh këtë qasje, atëherë ajo nuk mund të mbështetet te gjysmë masat. Ajo duhet të ndërmarrë hapa të vërtetë për rreshtimin e autoritetit dhe llogaridhënies në nivel të BE-së, duke fuqizuar Parlamentin evropian dhe duke i dhënë Komisionit legjitimitet politik, por edhe më shumë përgjegjësi. Sa i përket qasjes ndërqeveritare, duhet të jetë e qartë që nga fillimi se ky variant në esencë nënkupton një union të udhëhequr nga Gjermania, të paktën për një të ardhme të afërt. Kjo nuk është shumë ndryshe nga gjendja aktuale, ku çdo vendim i rëndë- sishëm duhet ta marrë më parë bekimin gjerman. Kjo mund të jetë një rrugë e mirë përpara. Kjo është sidomos e vërtetë nëse Angela Merkel ia del që ta rifitojë postin e kancelares në zgjedhjet që do të mbahen në shtator. Fundja, Merkel ia ka dalë që ta konsolidojë stilin e saj unik të lidershipit, i cili mund të funksionojë për një Evropë që gjendet nën presion nga të gjitha anët. Kjo nuk është ajo që kishin paraparë etërit themelues të BE-së, por është një zgjidhje funksionale, me kusht që pragu i bashkëpunimit të vendoset goxha lart. Pa marrë parasysh cilën rrugë do ta marrë Evropa, hapi i parë duhet të jetë përzgjedhja e rrugës. Thënë thjesht, Evropa duhet të vendosë, ose për bashkëpunim, ose për punë veç e veç, që do ta kishte të njëjtin qëllim. Kjo duhet të gjendet në tavolinë. Në marsin e vitit 1957, Konrad Adenauer e quajti Romën vendin ideal për vënien e themeleve të një të ardhmeje të përbashkët për Evropën. Në mars të vitit 2017, Roma mund ta përsëritë këtë rol. BE-ja mund të mos ketë më shumë mundësi që të reflektojë rreth të tashmes së saj dhe ta qartësojë të ardhmen e saj. Ajo nuk duhet të lejojë që t'i ikë kjo mundësi.

(Ana Palacio, ish-ministre spanjolle e Punëve të Jashtme, është anëtare e Këshillit spanjoll të shtetit) 

(Kosova Sot)