Tundimi i Theresa May-it

Tundimi i Theresa May-it
  • 17 May 2017 - 14:06

Shkruan: Robert Harvey
T ë tri Terezat e mëdha në histori janë shenjtore. Ajo që u kanonizua së fundmi, ishte Nënë Tereza, një punëtore e palodhshme humanitare dhe një punëtore kontroverse për të varfrit; e para ishte Teresa nga Ávila, njëra ndër personalitetet më dinamike dhe më të fuqishme të Kishës katolike gjatë shekullit XVI. Dhe, në shekullin XIX, Thérèse nga Lisieux fliste me kafshët, kultivonte kopshte, bënte punë të mira dhe u bë e njohur me nofkën Lulja e vogël. Në disa raste, kryeministrja britanike, Theresa May është aq bamirëse, sa edhe Nënë Tereza, aq ambicioze sa Teresa nga Ávila, dhe po aq modeste sa Lulja e vogël. Por, a do të mbahet edhe kjo në mend, sikur këto tri Terezat, shenjtore? Sikur edhe Lulja e vogël, May është aq diskrete, saqë edhe shumë pjesëtarë të partisë së saj nuk e dinë se në çka, në të vërtetë beson ajo. Ajo e ka lavdëruar presidentin toksik amerikan, Donald Trump, sikur që i ka bërë lajka edhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili me të shpejtë është duke e shndërruar vendin e tij në një llucë të errët anadollake të mostolerancës. Që të dy këto gjeste ia kanë kaluar edhe temenave të ish kryeministrit britanik, David Cameron ndaj presidentit kinez Xi Jinping, gjatë vizitës së këtij të fundit në Britani, në vitin 2015. Por, në rastin e May-it, duket të ketë diçka më të thellë. duke aktivizuar nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, qeveria e saj tani ka bërë që Brexit, me fitoren e tij të ngushtë, ta marrë një udhë pa kthim, me një kontroversë minimale, duke vazhduar që të jetë tepër e pëlqyer. Kompromiset në momentin e fundit Natyrisht, nuk është se brenda këtyre nëntë muajve, që nga referendumi, ka ndodhur ndonjë gjë e madhe: nuk janë ndërmarrë hapa konkretë, si dhe kundërshtarët e ashpër të Brexitit, sikur që është sekretari i punës dhe pensioneve, Damian Green si dhe ministri i shtetit për çështje të Komonueltit dhe të çështjeve të jashtme, Alan Duncan, vazhdojnë që të jenë anëtarë të qeverisë. Investitorët me gjasë janë duke u mbështetur te fakti se nuk do të ndodhë asgjë e rëndë- sishme, për të paktën një vit, meqë Evropa do të jetë e preokupuar me zgjedhjet e veta në Francë, Gjermani dhe, ka mundësi edhe në Itali. Qeveritë aktuale evropiane nuk do të duan ta rrezikojnë fuqizimin e rivalëve të tyre djathtistë duke përqafuar shungullimën britanike. Në anën tjetër, populisti holandez Geert Wilders, pësoi një humbje të thellë, krahasuar me atë që të tjerët kishin pritur se do të merrte. Dhe, në Francë, një kandidat i njohur sikur Emmanuel Macron, apo edhe François Fillon me gjasë do ta fitojnë postin e presidentit në një raund të dytë të zgjedhjeve kundër kandidates djathtiste, Marine Le Pen, përpos nëse ajo fillon që të paraqitet si e moderuar, apo edhe si socialiste e moderuar, patriote e shtetit të mirëqenies. Pas kësaj, votuesit gjermanë ose do ta rizgjedhin kancelaren Angela Merkel, apo postin do t'ia besojnë socialdemokratit pro BE, Martin Schulz. Dhe, lideri i ardhshëm italian do të jetë kushdo tjetër, pos Beppe Grillos, liderit ekscentrik të lëvizjes "Pesë yjet". Pasi që të qetësohet situata rreth zgjedhjeve, do të pasojë një luftë false midis Britanisë dhe BEsë. duke përsëritur luftërat e Margaret Thatcherit të tri dekadave më parë, që të dyja palët do të ofshajnë, do të kërcënojnë me tërheqje nga bisedimet dhe do ta arrijnë, më pas, një kompromis të momentit të fundit. Në fund, marrëveshja e cila do të arrihet, me gjasë do të ngjajë me anëtarësinë e Norvegjisë në Zonën ekonomike evropiane, por do të duket sikur e bërë apostafat për Britaninë. Sipas këtij skenari, qasja e Britanisë ndaj tregut të BE-së do të jetë e ngjashme me atë që e ka sot, me një kontroll më të madh rreth imigrimit nga BE-ja dhe me një përfundim të kundërshtimit të institucioneve të tilla evropiane, si Gjykata evropiane e drejtësisë. Në këmbim të kësaj, Britania do ta humbë tërë ndikimin e saj në përcaktimin e mënyrës sesi do të operojë tregu unik evropian. Duke apeluar ndaj Trump-it dhe Erdo?an-it, strategjia aktuale e Mayit duket se është duke shkuar kah kënaqja e Brexiterëve dhe euroskeptikëve të krahut të djathtë. Por, nëse ajo bën tepër lëshime ndaj tyre, atëherë ajo mund ta pamundësojë arritjen e një marrëveshjeje finale me Evropën. Sido që të jetë, eurofobët, sikur Liam Fox, sekretari i teptisë, do ta denoncojnë çdo marrëveshje si "shitje të stilit të Cameron-it", duke bërë presion për një Brexit "të pastër". Kjo do të kërkojë respektimin e rregullave të Organizatës botërore të tregtisë në raport me Evropën, gjë që do ta vendosë Britaninë në një disavantazh të veçantë. Fakti që May është duke u ballafaquar me opozitën më të dobët vendore që mund të merret me mend, mund t'i shtojë vështirësitë e saj. Lideri i Partisë laburiste, Jeremy Corbyn, ka ngecur me ekstremizmin e tij të vjetër majtist, ku ai është duke komprometuar njërin prej parimeve më të shenjta të laburistëve, duke bërë aleancë me partitë e ekstremit të djathtë, sikur që është Partia britanike e Pavarësisë. May mund t'i frustrojë laburistët duke mbajtur zgjedhjet në këtë vjeshtë Corbyn, si një leninist i pastër, beson se çdo strategji është e pranueshme, në kërkim të marrjes së pushtetit. Në një karrierë të gjatë gati 35 vjet, ai gjithmonë ka qenë largpamës. Ai tani duket se është duke menduar se mund të dalë, sikur Trump, një fitues i pabesueshëm i zgjedhjeve të vitit 2020, sidomos nëse Brexit e çon ekonominë në një spiralë të rënies. Por edhe me liderët sindikalistë, sikur Len McCluskey, që tani e kritikojnë Corbynin, një zëvendësim më i moderuar mund të gjendet. Nëse ish kancelari nën hije, Ed Balls, ose ish sekretari i jashtëm, David Miliband vijnë në pushtet, atëherë laburistët me të vërtetë mund të kenë gjasa që të fitojnë në vitin 2020. Megjithatë, May mund t'i frustrojë laburistët duke mbajtur zgjedhjet këtë vjeshtë, gjë që do ta fuqizonte pozicionin e saj në parti. Tani për tani, ajo duket se nuk ka ndërmend caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, para fillimit të negociatave rreth Brexitit. Por, e pajisur me një mandat popullor të saj dhe me një vizion, fuqi dhe kurajë, ajo mund ta sigurojë një marrëveshje me Evropën e cila do t'i shërbente si Britanisë, po ashtu edhe stabilitetit global. (Robert Harvey është autor i librit "Global Disorder and A Few Bloody Noses: The Realities and Mythologies of the American Revolution"). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot
 

(Kosova Sot)