Arti evropian i marrëveshjes

Arti evropian i marrëveshjes
  • 22 May 2017 - 09:48

Shkruan: Harold James

Ka kaluar gati një dekadë, që nga kriza financiare e vitit 2008 dhe politikat kundërshtuese, që u paraqitën pas saj, ende mbesin gjithandej të pranishme në Perëndim. Por, përkundër ngjashmërive midis SHBA-së dhe BE-së, dallimet sesi ato i adresojnë çështjet e tyre sociale, ekonomike dhe fiskale, kohëve të fundit kanë qenë mjaft evidente. Që nga fitorja e befasishme e presidentit Donald Trump, SHBA-ja duket se është duke garuar me BE-në rreth asaj se politika e cilës anë është më kontradiktore dhe jo funksionale. Në të dyja rastet, shumë lojtarë potencialë mund ta shkatërrojnë procesin politik. Trump është duke e mësuar këtë gjatë konfrontimit të tij me Kongresin, gjykatat dhe qeveritë e shteteve Evropë, forcat vendore politike në mënyrë rutine ndeshen me gjykatat kushtetuese dhe me organet mbinacionale. Dhe, sa herë që mbahen zgjedhjet nacionale, apo edhe regjionale, në njërin prej 28 (27) vendeve të BE-së, evropianët vetëm sa paralizohen më shumë nga frika e ndonjë rezultati përçarës. 

Politika si lojë e egër

Me qëllim të adresimit të kësaj gjendjeje, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, së fundmi ka lëshuar një 'letër të bardhë' ku ka përcaktuar pesë rrugët e mundshme që çojnë përpara - duke filluar nga mos bërja asgjë, e deri te ndërmarrja e reformave sistematike, me qëllim të kompletimit të integrimit evropian njëherë e mirë. Edhe SHBA-ja është duke u ballafaquar me sfida që kanë të bëjnë me mungesën e unitetit politik, në mos edhe të dezintegrimit. Problemi qendror për të dyja këto nuk ka të bëjë vetëm me lajmet e rreme, apo me "faktet alternative", edhe pse keqinformimi mbizotëron në shumicën e debateve, në të dyja anët e Atlantikut. Vetë politikat kanë bërë tepër jo funksionale. Kur qytetarët dhe politikanët fillojnë që ta konsiderojnë politikën si lojë e egër, si dhe kur ata kthehen kah rrezikimi politik dhe te taktikat e tjera dëshpëruese, atëherë fillojnë që të paraqiten problemet. Si debatet evropiane, po ashtu edhe ato amerikane kanë qenë të mbushura me qëndrime dhe sprova të vullnetit, duke e shndërruar politikën në lojë 'qyqarësh'. Te loja e qyqarëve, dy vozitës vozisin me të shpejtë në drejtim të një humnere, apo në drejtim të njëri-tjetrit. Ai që ndalet i pari, është qyqari. Por, nëse nuk ndalet asnjëri prej tyre, atëherë e pësojnë që të dytë. Në Evropë, vendet kanë kërcënuar se do të dalin nga eurozona nëse BQE-ja apo qeveritë e tjera evropiane nuk ua shlyejnë borxhet e tyre të paqëndrueshme, po ashtu edhe politikanët evropianë kanë kërcënuar se do ta ndalin ndihmën ndaj vendeve të caktuara, nëse ato nuk implementojnë reformat. Në këtë lojë, secila palë beson se pala tjetër duhet të lëshojë pe. Administrata Trump është sjellë ngjashëm gjatë përgatitjes së debatit gjatë tentimit të zhbërjes dhe zëvendësimit të "Obamacare"-s. Administrata bënte presion ndaj Kongresit, duke përdorur taktikat që ishin thuaje identike me ato të përdorura nga palët konfliktuoze në Evropë gjatë krizës së borxheve. Së pari, administrata pohonte se një konflikt i pashmangshëm nuk është e thënë që të ishte i keq, meqë mendimet e ndryshme janë të paevitueshme; apo, sipas fjalëve të sekretarit për shtyp të Shtëpisë së bardhë, Sean Spicer, "diversiteti e bën të fortë një popull". Në fillim të krizës së eurozonës, në vitin 2010, edhe BE-ja shqetë- sohej rreth diversitetit të saj dhe si të pajtojë veriun me jugun, apo qendrën dhe periferinë. 

Multilateralizmi i stilit evropian

Me vazhdimin e përpjekjeve për zhbërjen e "Obamacare"-s, Trump refuzoi të ofronte ndonjë alternativë: debati rreth kujdesit shëndetësor ishte kufizuar si zgjidhje binare midis miratimit të një projektligji të ndryshueshëm dhe mbajtjes së status quo-s. Duke mos ofruar asnjë "Plan B", qasja e Trumpit ngjante me atë të kancelares gjermane Angela Merkel në krizën e eurozonës, kur ajo kishte marrë një qëndrim të ashpër, i cili nuk lejonte asnjë alternativë ndaj qëndrimit gjerman. Përfundimisht, ekzistonte bindja e patundur e Trump-it se ai do të fitonte, dhe se do të miratohej projektligji që do ta zëvendësonte "Obamacare"-n. Por, përkundër ngjashmërive sipërfaqësore, qasja e politikëbërjes evropiane është shumë e ndryshme nga ajo e administratës Trump. Dhe, ajo na thotë se, gjatë betejës së gjatë evropiane që nga kriza financiare, ajo ka evituar çdo kolaps spektakular, me përjashtim të referendumit pro Brexit në Britani. Konfliktet evropiane gjithmonë janë zgjedhur me një lloj kompromisi. Dhe, përkundër asaj që kritikët shpesh thonë se procesi i brendshëm negociues i BE-së është tepër i gjatë, apo i lodhshëm, ai pa dyshim se ka dhënë rezultate pozitive. Reformat, të cilat kanë përmirësuar koordinimin e politikës dhe energjisë, apo që kanë ndihmuar në krijimin e unionit bankar, kanë dëshmuar të jenë më të forta sesa që mund të jenë dukur në fillim. Multilateralizmi i stilit evropian varet nga përmirësimi i vazhdueshëm i marrëveshjeve ekzistuese, gjë që e bën atë të ndryshëm nga unilateralizmi i Trump-it. Edhe qeveria kushtetuese bazohet te një proces i marrëveshjeve dhe përshtatjeve. Në zemër të Kushtetutës së SHBA-së qëndron besimi se shumë njerëz, duke punuar në arritjen e konsensusit, janë më të mençur sesa vetëm një njeri. Herët a vonë, Trump-it i duhet të mësojë se arritja e konsensusit është gjithmonë proces frustrues dhe se zgjidhjet e arritura me bisedime politike nuk janë as të qarta, e as të thjeshta. Evropa, nga ana e vet, e kuptoi këtë gjatë viteve 1950, kur zbuloi se integrimi do të kërkonte një seri marrëveshjesh për ta ruajtur autonominë politike në shumë fusha kombëtare. Evropa nuk e ka asnjë lider të pakontestueshëm për t'i imponuar preferencat e saj politike te të tjerët. Por, për dallim nga Trump, liderët evropianë sot munden që të lëshojnë sigurime, si "Ne mund ta bëjmë këtë", saktësisht për shkak se ata kuptojnë se "tradeoff" janë të domosdoshme dhe të paevitueshme. Në vitin 2017, Evropa mund të mësojë dy mësime tjera të rëndësishme. Së pari, dalja e një shteti anëtar nga BE-ja nuk duhet të jetë lojë qyqarësh dhe, së dyti, administrata jo funksionale e Trump-it është model si të mos qeveriset dhe votuesit duhet t'i ndëshkojnë ata që vazhdojnë ta imitojnë atë. Harold James është profesori historisë dhe çështjeve ndërkombëtare në Universitetin "Princeton")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)