Nga doli Macroni?

Nga doli Macroni?
  • 25 June 2017 - 12:34

Shkruan: Dominique Moisi 

ZGJEDHJET FRANCEZE

Macron duket sikur një John F. Kennedy francez

I nxitur nga një ndjenjë e fajit, ai duhet t'u rezistojë tundimeve të Bonapartizmit. Në ndërkohë, bota demokratike duhet ta trajtojë Macronin të tillë, sikur që është -një fije shprese në një det dyshimesh dhe dëshpërimesh

Lehtësimi dhe krenaria janë emocionet kryesore, të cilat janë duke i përjetuar shumë qytetarë francezë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilin Emmanuel Macron doli i pari. Në fillim të themi se anketbërësit kishin të drejtë: dy kandidatët e favorizuar - Macron dhe Le Pen, kjo e fundit nga Fronti nacional - kanë fituar të drejtën që të kalojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili do të mbahet më 7 maj. Tanimë ka kaluar ndjenja e ankthit, e cila kishte zgjatur me javë, ditë dhe orë para zgjedhjeve, për shkak të frikës se Franca do të detyrohej që, në raundin e dytë, të ballafaqohej me përzgjedhjen midis kandidates së ekstremit të djathtë, Le Pen dhe atij të ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon. Shumë vëzhgues e shihnin Francën të brishtë në aspektin ekonomik, social dhe politik ndaj një zgjedhjeje të tillë. Pas votës pro Brexit dhe pas fitores së Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale amerikane, për Le Penin ishte hapur një dritare e re e mundësisë për të fituar. Disa prej nesh, si gjysmë në shaka, bile pyetnim njëri-tjetrin se ku do të iknim po të fitonte Le Pen. 

Rrethanat e jashtëzakonshme

Midis Britanisë, e cila është duke u larguar nga BE-ja dhe SHBA-së nën Trump-in, mundësitë për të zgjedhur janë të pakta. Për fat të mirë, arsyeja dhe shpresa mbizotëruan ndaj zemërimit dhe frikës dhe qytetarët francezë i demantuan ata që thoshin se populizmi mund të fitonte edhe në tokën e Revolucionit francez. Derisa një fitore e Le Penit teknikisht është e mundshme, përbërja e elektoratit francez e bën atë tepër të pamundur. Shumë pak mbështetës majtistë të Mélenchon-it do të kalojnë në ekstremin e djathtë. Dhe, derisa disa nga mbështetësit e kandidatit të qendrës së djathtë, François Fillon, tani mund të votojnë në favor të Le Penit, kjo nuk do të mjaftojë për ta kthyer rezultatin e zgjedhjeve në favor të saj. Me fjalë të tjera, veçantia e Francës është gjallë dhe shëndosh e mirë. Elektorati kundërshtues francez ia ka bërë me dije botës - sidomos asaj anglosaksone - se nuk duhet tradhtuar vlerat përcaktuese me qëllim të mposhtjes së populizmit. Përkundër një vale të re të sulmeve terroriste, francezët kanë demonstruar qëndrueshmërinë kundër politikës së frikës. Dhe, përkundër rritjes së euroskeptikëve, kandidati pro evropian, Macron, mori vota më shumë sesa kandidatët e tjerë. Rrethanat e jashtëzakonshme ndonjëherë ndikojnë në paraqitjen e personazheve të jashtëzakonshme. Pa Revolucionin francez, Napoleon Bonaparte, do të kishte mbetur një oficer i ri i Armatës mbretërore franceze. Ngjashëm, edhe pse më pak dramatike, sikur të mos kishin pësuar kolaps të dy partitë kryesore franceze, atëherë 39-vjeçari Macron, i cili deri një vit më parë ishte i panjohur për shumicën e votuesve francezë, do të vazhdonte të ishte vetëm edhe një ekspert i mençur i ekonomisë. 

Macron do të ballafaqohet me një gamë të tërë të sfidave

Macron duket sikur një John F. Kennedy francez dhe ai bëri një kampanjë të stilit të Barack Obamas. Por, ai arriti ku është tani për shkak se Partia socialiste e François Mitterrandit ka vdekur, derisa 'Les Républicains' konservatorë janë në shkatërrim e sipër. Socialistët, nga ana e tyre, nuk arritën që të dilnin me një agjendë moderne politike, derisa republikanët dështuan që ta gjenin një kandidat tjetër, pasi që Fillon u njollos nga skandali. Si rezultat i kësaj, Franca, përkundër reputacionit të saj për melankoli, vetë-dyshim dhe pesimizëm, është para zgjedhjes së presidentit më të afërt të vet ndonjëherë. Por, në atë rast, Macron do të ballafaqohet me një gamë të tërë të sfidave, duke filluar nga zgjedhjet legjislative, të cilat janë caktuar për qershor. A do të përfundojë Macron me një shumicë qeverisëse në Asamblenë kombëtare, apo e djathta do ta prezantojë një front të bashkuar, duke e detyruar për një praktikë unike franceze të bashkëjetesës? Në sistemin francez gjysmë-presidencial, bashkë- jetesa nënkupton që dega e ekzekutivit mund të paralizohet nëse presidenti dhe kryeministri paraqesin fraksione të ndryshme politike. Por, Macron dëshiron ta dëshmojë se mund të implementojë modelin e koalicionit të shumicës, të preferuar në sistemet parlamentare, me një "aleancë të vullnetit", që përbëhet nga orientime të ndryshme, por kompatibile politike, duke ndjekur një qëllim të përbashkët. Sipas meje, Franca është e pjekur për një qeveri të koalicionit e cila mund t'i tejkalojë linjat gjithnjë e më shumë anakronike të politikës së majtë dhe të djathtë. Ndarja e vërtetë reale në Francë, sikur edhe në pjesën tjetër të Perëndimit, tani është midis atyre që mbrojnë hapjen globale dhe atyre që janë në favor të kthimit të një izolimi nacionalist. Macron do të duhet t'i pranojë rrënjët kulturore të ndarjes tradicionale midis së djathtës dhe të majtës, duke adresuar në të njëjtën kohë zemërimin e thellë revolucionar, i cili ekziston tanë në Francë. Përkundër fitores së Macronit në raundin e parë, rreth 40% të elektoratit francez votuan për kandidatët euroskeptikë Le Pen dhe Mélenchon. Rikthimi i besimit të këtyre votuesve te institucionet ekzistuese, si dhe riintegrimi i tyre në traditën politike, nuk do të jetë i lehtë. Partitë e mposhtura do të tentojnë që të dalin në rrugë dhe ta bllokojnë çdo tentim për reformë. Pasi që të kenë dështuar në zgjedhje, ata munden që, sipas traditës revolucionare franceze, t'iu kthehen "barrikadave". Macron ka dëshmuar kualitetet e tij të mëdha si kandidat. Pas 7 majit, ai do të duhet të dëshmojë se, përkundër rinisë së tij dhe mungesës së përvojës, ai mund të bëhet president i mrekullueshëm. Fitorja e pushtetit është një gjë, por zbatimi i pushtetit në mënyrë efikase është çështje krejt tjetër, duke evituar tendencat autoritare të cilat mund të paraqiten në rrethana të jashtëzakonshme. Kjo është detyra me të cilën ballafaqohet Macron. I nxitur nga një ndjenjë e fajit, ai duhet t'iu rezistojë tundimeve të Bonapartizmit. Në ndërkohë, bota demokratike duhet ta trajtojë Macronin të tillë sikur që është: një fije shprese në një det dyshimesh dhe dëshpërimesh. 
(Dominique Moisi është këshilltar i lartë i Institutit "Montaigne" në Paris) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)