Kush do të jetë Alexander Hamilton-i i Evropës?

Kush do të jetë Alexander Hamilton-i i Evropës?
  • 11 August 2017 - 09:12

Shkruan:

Një union fiskal është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për problemet strukturore të eurozonës

Jo shumë kohë më parë, veprimet e Bankës qendrore evropiane zakonisht përcilleshin me përshëndetje. Por, kohët e fundit, BQE-ja ka marrë kritika jo vetëm nga bankierët dhe ekonomistët, por edhe nga qytetarët dhe politikanët. Me rënien e të ardhurave nga investimet e të ardhurave fikse, investitorët janë duke u detyruar që të përcaktohen për investime në ekuitete, gjë që është bërë më e rrezikshme dhe më e shtrenjtë, për shkak të rritjes së pasigurisë rreth stabilitetit financiar dhe ekonomik. Kjo pasiguri reflekton faktin se normat tepër të ulëta të interesit të BQE-së janë duke shërbyer për parandalimin e reformave mëse të nevojshme strukturore në vendet e eurozonës me deficite dhe borxhe të larta. 

Qëllimi, të arrihet inflacioni 2 për qind

Pyetja e madhe që shtrohet tani, është se a janë politikat aktuale monetare të BQE-së duke bërë më shumë mirë, apo keq. Qëllimi zyrtar i BQE-së është që të arrihet një target i inflacionit prej afër 2%. Por, përkundër injeksioneve masive të likuiditetit, inflacioni i eurozonës ka rënë, duke treguar se nuk ka një kërkesë të mjaftueshme në ekonominë reale. Në fakt, kërkesa është duke ngecur për shkak se shumë kompani nuk mund të bëjnë investime pa i zvogëluar borxhet e tyre. Për më tepër, vendet e eurozonës janë duke ndier efektet e rënies së çmimit të naftës dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike të Kinës. Bankat qendrore mund ta thyejnë një cikël inflator duke rritur normat e interesit dhe duke krijuar një shtrëngim të likuiditetit, por ato nuk mund të gjenerojnë inflacion vetëm me anë të normave të ulëta të interesit. Me fjalë të tjera, BQE-ja mund të ndihmojë duke shtypur pedalin e shpejtësisë, por nëse nuk punon ndërruesi i shpejtësisë, atëherë vetura nuk do të lëvizë, vetëm do ta shkaktojë një zhurmë të madhe. Del se përgjegjësia për sigurimin e rimëkëmbjes evropiane qëndron te qeveritë kombëtare. BQE-ja e ka nxjerrë eurozonën nga zjarri financiar. Por, duke bërë një gjë të tillë, ajo ka ndier erën e nxehtë të institucioneve financiare, të cilët më parë nuk kanë kritikuar, të paktën në publik, politikat e presidentit të BQEsë, Mario Draghi. 

"Plani Juncker" i Komisionit Evropian

Natyrisht se BQE-ja duhet të vazhdojë me politikat mbështetëse monetare. Por, vendet më të forta të eurozonës, sikur Gjermania, Finlanda dhe Holanda, tani duhet ta luajnë rolin e pionierit. Për këtë qëllim, "Eurogroupi" i ministrave të financave të eurozonës, i kryesuar nga holandezi Jeroen Dijsselbloem, duhet ta caktojë agjendën. Komisioni Evropian duhet ta pajisë atë me çdo gjë të nevojshme nëpërmes të të ashtuquajturave Fuqi "Six-Pack". Dhe, vendet më të fuqishme të eurozonës duhet të shkojnë përtej monitorimit të Paktit të stabilitetit dhe rritjes, me qëllim të krijimit të pakove të forta stimuluese dhe reforma të taksave. "Plani Juncker" i Komisionit Evropian për rritjen e investimeve kanë përfshirë një "tradeoff" midis Francës dhe Gjermanisë. Por, ky plan nuk është duke funksionuar dhe eurozona gjendet në një qorrsokak, ku edhe do të mbetet derisa vendet sikur Franca dhe Italia të mos ballafaqohen me një presion më të madh që të ndërmarrin reforma të brendshme. Ajo që nevojitet është një presidium i ri brenda "Eurogroupit", i përbërë nga ministrat e financave të Francës dhe Gjermanisë, nga Draghi, nga zëvendëspresidenti i BQE-së, Vítor Constâncio, si dhe nga përfaqësuesit nga Komisioni evropian, duke përfshirë edhe presidentin e tij, Jean-Claude Juncker. Një presidium i tillë mundet që në një masë të madhe të përmirësojë koordinimin midis "Eurogroupit", BQE-së dhe Komisionit Evropian rreth stimulimit dhe masave të reformave strukturore, por edhe të rritjes së normave të interesit në të ardhmen. Në fund, një presidium jo formal po ashtu e përgatitë terrenin për themelimin e një ministrie evropiane të financave dhe për një union fiskal, nëse qytetarët dhe politikanët e pranojnë një mundësi të tillë. Sikur që ka kohë që thotë ish- presidenti i BQE-së, Jean-Claude Trichet, eurozona nuk mund të funksionojë pa një union fiskal. Por, për ta ndërmarrë këtë hap, Evropa do të ketë nevojë për një Alexander Hamilton të vetin. Hamiltoni i vërtetë ishte sekretari i parë, i fuqishëm, i Thesarit amerikan. 

Unioni fiskal

Fundja, një union fiskal nuk është vetëm një mekanizëm për ndarjen e borxheve ekzistuese dhe të reja, por po ashtu duhet t'i krijojë kushtet për politikëbërje fiskale në nivel nacional, me anë të rregullave të rregullimit të buxhetit dhe masave të tjera. Ashtu sikur që reformat e Hamiltonit morën pushtetin nga shtetet amerikane, duke e përqendruar atë te qeveria federale e SHBAsë, po ashtu vendet e eurozonës do të duhej që ta delegonin një shkallë të sovranitetit të tyre nacional. Një union fiskal është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për problemet strukturore të eurozonës. Pakti i stabilitetit dhe rritjes është zgjidhja e dytë më e mirë, i cili do të bënte që Evropa të kalonte nga kriza në krizë. Historia ka treguar se, për ta krijuar euron, politikbërësit evropianë së pari u desh që të punonin së bashku për rreshtimin e politikave nacionale dhe stimulimeve brenda Sistemit monetar evropian. Një presidium i ri brenda "Eurogroupit" mund ta bëjë të njëjtën gjë për një union fiskal tani. Por, kush do të jetë Hamiltoni i Evropës? Tani për tani të gjitha shikimet janë të drejtuara kah lideri më i dalluar që aktualisht angazhohet për krijimin e unionit fiskal dhe të një ministrie të financës së eurozonës, e ai është presidenti aktual francez, Emmanuel Macron.

(Sylvester Eijffinger është profesor i ekonomisë financiare në Universitetin Tilburg në Holandë) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)