Vendimi i presidentit Trump rreth marrëveshjes me Iranin

Vendimi i presidentit Trump rreth marrëveshjes me Iranin
  • 17 May 2018 - 09:21

Shkruan: Michael Oren

Vendimi i presidentit Donald Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, që formalisht quhet Plani i përbashkët gjithëpërfshirës i veprimit (JCPOA), e bën Amerikën, Izraelin dhe tërë botën një vend shumë më të sigurt

Izraelitët janë duke festuar. Vendimi i presidentit Donald Trump për t'u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, që formalisht quhet Plani i përbashkët gjithëpërfshirës i veprimit (JCPOA), e bën Amerikën, Izraelin dhe tërë botën një vend shumë më të sigurt. Marrëveshja në fjalë rrezikonte sigurinë dhe vet të ardhmen e Izraelit. Ajo e legjitimonte agresionin iranian në Lindjen e Mesme dhe financonte masakrat dhe tmerrin nëpërmes lehtësimit të sanksioneve dhe kontratave të biznesit. Ajo, po ashtu, ia mundësonte Iranit që ta ruante infrastrukturën bërthamore dhe aftësinë për ta riaktivizuar atë në një të ardhme të afërt. Deklarata se SHBA-ja do të tërhiqet nga JCPOA pason dekada të përpjekjeve të bashkërenduara të Izraelit për ta penguar Iranin që të bëhet me armë bërthamore. Përkundër pretendimit se asnjë marrëveshje nuk do të na kënaqte neve, izraelitët, në fakt, kërkonin një marrëveshje e cila do të çmontonte qendrat bërthamore të Iranit, do të ndalte prodhimin e raketave balistike, të afta për të bartur koka luftarake bërthamore dhe do të siguronte që regjimi xhihadist në Teheran kurrë të mos mund të prodhonte armë bërthamore.

Injorohet roli i Iranit

Ne donim një marrëveshje, e cila do ta lidhte aftësinë e Iranit për të bërë biznes jashtë shtetit, me pushimin e mbështetjes së tij ndaj tmerrit, me pushimin e kampanjës së tij për të dominuar në Lindjen e Mesme dhe të qëllimit të deklaruar për shkatërrimin e shtetit çifut. JCPOA, e nënshkruar në vitin 2015, nuk kishte arritur asnjërën nga to. Në vendqë ta bllokonte rrugën e Iranit kah armët bërthamore, ajo e kishte lehtë- suar atë. Të gjitha qendrat bërthamore iraniane, duke përfshirë edhe ato që ishin bërë me qëllim të prodhimit të bombave bërthamore, ishin ruajtur, bashkë me centrifugat e tyre. Shkencëtarët iranianë, të udhëhequr nga veteranët e programit sekret të armëve bërthamore, zhvilluan centrifuga të afta për ta pasuruar uraniumin deri në katër herë më shumë sesa niveli i vitit 2015. Dhe, inspektorëve ndërkombëtarë iu ishte mohuar hyrja në qendrat ushtarake iraniane. Këto të meta do të mjaftonin për ta diskredituar JCPOA-n, por kjo marrëveshje kishte edhe datë të skadimit. Pas vetëm shtatë vjetësh, kufizimet ndaj programit bërthamor iranian do të hiqeshin gradualisht. Për një periudhë të shkurtër, Irani do të ishte në gjendje që ta pasuronte uraniumin sa për të prodhuar një arsenal të tërë të bombave bërthamore. Por, të metat e JCPOA-s nuk mbaronin këtu. Ajo injoronte rolin e Iranit si sponsori më i madh i terrorit shtetëror, pjesë- marrjen e tij në vrasjen e gjysmë milioni sirianësh dhe kërcënimet e tij për ta shkatërruar shtetin e Izraelit. Ajo bile anashkalonte edhe agresionin iranian kundër amerikanëve. Iranin nuk i duheshin raketat ndërkontinentale për të arritur Izraelin, por SHBA-në.

Izraeli do të vazhdojë ta mbrojë veten

Dhe, përkundër kësaj, JCPOA e shpërbleu Iranin me disa dhjetëra miliardë dollarë në formë të lehtësimit të sanksioneve dhe kontratave ndërkombëtare. Përpjekjet iraniane për hegjemoni regjionale nuk pengoheshin. Shtetet e rrezikuara fqinje konsideronin mundësinë e lansimit të programeve të tyre bërthamore, gjë që rriste frikën për një garë armatimi në Lindjen e Mesme. Në mënyrë të drejtë, izraelitit ishin kundër kësaj marrëveshjeje dhe nuk arrinin të kuptonin pse, derisa ekonomia e Iranit ishte e dëmtuar keq, nuk ishte arritur një marrëveshje më e mirë. Por, tani, SHBA-ja përsëri është në gjendje që ta ushtrojë një presion të madh kundër Iranit, duke zvogëluar në një masë të madhe aftësinë e tij për të ushtruar agresion në regjion dhe jashtë tij. Amerika, përsëri, është bashkë me aleatët e saj në Lindjen e Mesme, duke dërguar një mesazh të qartë të fuqisë në botë. Por, rreziku nga Irani mbetet, sidomos në Siri, të cilën Irani tenton ta shndërrojë në një bazë të tij ushtarake kundër Izraelit. Irani po ashtu ka furnizuar Hezbollahun me 130,000 raketa dhe i ka vendosur ato në fshatrat libaneze. I ballafaquar me këto rreziqe, Izraeli do të vazhdojë ta mbrojë veten, me besim te mbështetja nga Amerika dhe i çliruar nga fantazma e një marrëveshjeje të keqe. (Michael Oren është zëvendësministër izraelit i diplomacisë)

(Kosova Sot)